Trafik narkotikësh, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive me vlerë 9.1 milionë euro

SPAK i ka kërkuar gjykatës konfiskimin e pasurive me vlerë 9.1 milionë euro, të lidhura me persona të hetuar për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Shumica e pronave ndodhen në Durrës, ndërsa në listë janë edhe automjete luksoze dhe pjesë pronësie në disa biznese.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 9.1 milionë euro, që dyshohet se lidhen me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Sipas SPAK-ut, hetimet kanë zbuluar pasuri në emër të personave nën hetim, familjarëve dhe personave të lidhur me ta, “të cilat nuk justifikoheshin nga burimet e ligjshme të të ardhurave”.

Kërkesa është dorëzuar në gjykatë më 17 nëntor, pas verifikimeve të pasurive dhe të ardhurave të personave të përfshirë në një hetim për trafik narkotikësh, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

SPAK ka kërkuar konfiskimin e 24 pasurive të paluajtshme, tre automjeteve dhe pjesëve të pronësisë në katër kompani dhe një biznes të regjistruar si person fizik.

Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e tyre, me çmimet aktuale të tregut, arrin në rreth 9.1 milionë euro.

Nga 24 pasuritë e paluajtshme për të cilat kërkohet konfiskimi, 22 ndodhen në Durrës dhe dy janë vende parkimi në Vlorë.

Në Durrës përfshihen apartamente, njësi tregtare, truall dhe ndërtesa. Lista përmban apartamente me sipërfaqe nga 48 deri në 199 metra katrorë, dy njësi me sipërfaqe rreth 548 dhe 355 metra katrorë, si dhe një truall prej 282,5 metrash katrorë me një ndërtesë 248 metra katrorë.

Në kërkesë janë përfshirë edhe prona të tjera në Durrës, më e madhja prej të cilave ka një sipërfaqe prej 3 mijë e 50 metrash katrorë.

Përveç pronave, SPAK kërkon konfiskimin e tre automjeteve: një BMW të vitit 2018, një Mercedes-Benz AMG GLE 63 4MATIC të vitit 2017 dhe një BMW X6 të vitit 2021.

Në listë janë edhe pjesë pronësie në kompanitë “Marquess”, “Felix Vinum”, agjencinë e udhëtimeve “Dubai im” dhe shoqërinë e televizionit kabllor “Vlora CABLE”.

Kërkesa përfshin edhe një biznes të regjistruar si person fizik, që në njoftim identifikohet vetëm me iniciale.

Kërkesa për konfiskim vjen nga një hetim pasuror i nisur në vitin 2025, i lidhur me një dosje penale të hapur në vitin 2019 për trafik narkotikësh nga një grup i strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Prokuroria nuk ka publikuar emrat e personave të hetuar dhe as se kujt i përket secila pasuri.

Tashmë i takon Gjykatës së Posaçme të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut dhe të vendosë nëse pasuritë do të konfiskohen.