Kulla e Mic Sokolit, simbol i luftëtarit që i vuri gjoksin topit armik

Figura e një luftëtari malësor që i del përpara grykës së një topi osman është fiksuar në memorien e kombit shqiptar, si një nga momentet kulminante të qendresës sonë për pavarësi. Kulla e Mic Sokolit ku ai u lind, gjendet në fshatin Bujan të Tropojës.

Kulla e Mic Sokolit gjendet në fshatin Bujan, jo larg rrugës që lidh Fierzën me qytetin e Bajram Currit, përmes një peizazhi piktoresk.

Ndërtimi i kullës që lidhet me figurën e Mic Sokolit sipas informacioneve për monumentet e kulturës mendohet se daton që në shekullin XVIII. Ajo është një banesë tradicionale trekatëshe, e ndërtuar me elementë guri, që në vendin tonë përfaqëson arkitekturën e kullave të Malësisë së Madhe. 

Pamja e ajrore e banesës muze të Mic Sokolit në Tropojë. Foto: Media Amfora

Mic Sokoli u shquajt si patriot dhe udhëheqës gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit. Ai u lind në këtë kullë, duke ushqyer ndjenjat për atdhen dhe mbrojtjen nga pushtuesit e huaj.

Vdekja e tij tragjike u kthye në simbol të rezistencës, ditën që ai ra dëshmor, në prill të vitit 1881. Në krye të revoltës, ai e vendosi trupin përpara grykës së një topi armik përgjatë një beteje kundër osmanëve dhe ndërroi jetë për tu përjetësuar në memorien e kombit shqiptar.

Hyrja e banesës së Mic Sokolit. Foto: Media Amfora

Ndonëse është përballur me shumë beteja, kulla ku ai lindi dhe u rrit i ka mbijetuar shumë sulmeve, duke u kthyer ashtu si i zoti i saj, në simbol qëndrese. 

Kati përdhes ka shërbyer si vend magazinimi dhe për mbajtjen e kafshëve, ndërsa katet e sipërme janë përdorur për banim dhe pritjen e patriotëve të shumtë.

Oda e pritjes. Foto: Media Amfora

Dhomat e katit të fundit të kullës janë kthyer që përpara viteve ’90 në ekspozita të fokusuara tek figura e Mic Sokolit, por edhe e rezistencës kombëtare kundër pushtuesve osmanë.

Në vitet e Lidhjes së Prizrenit ai ishte udhëheqës i njohur gueril dhe mori pjesë në luftimet e Gjakovës kundër Mehmet Ali Pashës, më tej në Betejën e Nokshiqit kundër malazezëve dhe kundër pushtuesve të tjerë të trojeve shqiptare.

Odë gjumi. Foto: Media Amfora

Imazhi i luftëtarit trim u përjetësua në telajo nga piktori Sali Shijaku, i cili në vitin 1969 e rindërtoi skenën e daljes përpara topit të ushtrisë osmane. 

Veturat e parkuara në oborrin e kullës dhe të banesës përbri janë të kuqe “gjak”. Duke sikur ato manifestojnë qendresën e fisit kundër pushtuesve të këtyre anëve. Një zonjë e përulur i pret buzagaz vizitorët. Ditën e ndan midis përkushtimit për familjen dhe vizitorët që mbërrijnë në kullë.

Portreti i nënës së Mic Sokolit. Foto: Media Amfora

Ajo tregoi për Median Amfora se toka dhe banesa moderne i përket fisit të Mic Sokolit dhe vijon të trashëgohet me krenari ndër breza. Si nuse në këtë derë të madhe, ajo kujtoi se përpara viteve ’90 kulla kishte “ciceronin” e saj, i cili vinte të shoqëronte sa herë që mbërrinin grupet me nxënës apo vizitorë.

Mjediset e brendshme të banesës. Foto: Media Amfora

Sot kulla mirëmbahet tërësisht nga familja dhe kontributet vullnetare që hidhen në një arkë të vogël sa një pëllëmbë, me një metal që ka nisur të ndryshket me kalimin e viteve. Falë përkujdesjes së familjes ajo është e ruajtur mirë, megjithëse herën e fundit kur ata u larguan nga aty pranë, dhomat u zbrazën gjatë një grabitje të vitit të zhurmshëm 1997.

Korridori i katit të dytë. Foto: Media Amfora

Pas kësaj “plaku” i familjes u izolua në kullë për disa vite, duke e ruajtur deri në vendosjen e stabilitetit të plotë të rendit dhe sigurisë në zonën e Tropojës.

Kulla është ndërtuar në formë prizmi, ka një çati të dallueshme piramidale. Dritaret e harkuara janë të shpërndara në të katër anët e ndërtesës dhe janë një detaj tradicional i zonës, të përforcuara me frëngji për 3 pushkë në secilin.

Libri i përshtypjeve në monumentin e kulturës. Foto: Media Amfora

Çdo hapësirë ​​brenda saj kishte një funksion shumë të qartë, të dedikuar për të mbajtur bagëtitë, për të ruajtur mallrat, apo për të pritur mysafirët dhe patriotët. 

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1973, ajo është ngritur pranë një tjetër banese që ka të njëjtin status mbrojtje, “Banesa e Sali Manit”. Gjithashtu në fshat gjenden edhe rrënojat e “Qytezës së Rosunjës”.