Korrupsion dhe abuzime me tenderat, SPAK dërgon për gjykim Ballukun dhe 27 të pandehur të tjerë
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është dërguar për gjykim së bashku me 25 persona të tjerë dhe dy kompani, pas hetimeve për dhjetë procedura prokurimi publik. Mes të pandehurve janë tre ish-drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa SPAK akuzon Ballukun për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë, fshehje pasurie dhe pastrim parash, si dhe ka sekuestruar dy vila me vlerë të përgjithshme prej 1.83 milionë eurosh.
Godina e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të hënën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me 27 të pandehur të tjerë.
“SPAK ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal të vitit 2025, në ngarkim të 26 të pandehurve dhe 2 personave juridik”, shkruhet në njoftimin e institucionit.
Mes tyre janë ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi, dhe tre ish-drejtorët e përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, Ergys Verdho dhe Gentian Gjyli.
Në gjykatë janë dërguar gjithashtu ish-drejtues të sektorëve dhe specialistë të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës, përfaqësues të biznesit dhe dy shoqëri tregtare.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë në nëntë raste, korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe të funksioneve të larta shtetërore, fshehje ose mosdeklarim të pasurisë në dy raste, si dhe pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
“Nga provat e administruara në kuadër të hetimit të procedimit penal me numër 136 të vitit 2025, kanë rezultuar fakte penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe gjatë ushtrimit të detyrës së mëparshme si Drejtoreshë e Përgjithshme e Albcontrol sh.a.”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë ushtrimit të këtyre detyrave, Balluku ka ndërhyrë në procedurat e prokurimit për të favorizuar kompani të caktuara, ndërsa në dy raste dyshohet se ka përfituar vila në bregdet në këmbim të favorizimit të kompanive fituese.
Dhjetë tenderët e hetuar nga SPAK
Dosja e dërguar në gjykatë përfshin dhjetë procedura prokurimi, mes të cilave ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, disa segmente të Unazës së Madhe të Tiranës, rrugën e Porto Romanos në Durrës dhe rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol-it.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku, në bashkëpunim me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, dhe ish-përgjegjësen e Sektorit të Prokurimeve, Miranda Shkurti, ka ndikuar në përzgjedhjen e kompanive fituese në disa prej tenderëve të infrastrukturës rrugore.
Hetimet kanë evidentuar raste kur zyrtarët kanë shkurtuar afatet për paraqitjen e ofertave, kanë vendosur kritere të paargumentuara dhe kanë shpallur fituese kompani që nuk plotësonin kushtet e tenderëve.
Një prej këtyre rasteve është tenderi për vazhdimin e punimeve në segmentin Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1, dhe Qendrën e Monitorimit të Trafikut, me fond limit rreth 2.38 miliardë lekë pa TVSH.
“Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi kanë shkurtuar afatin ligjor të paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë, këto veprime kanë favorizuar kompaninë “Salillari” sh.p.k., e cila është shpallur fituese e tenderit.
Evis Berberi akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë në nëntë raste, ndërsa Miranda Shkurti për të njëjtën vepër penale në tetë raste.
Mes të pandehurve janë edhe Erald Elezi, ish-drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Genti Raça, ish-përgjegjës i Sektorit të Preventivit, dhe Klarita Konomi, ish-përgjegjëse e Sektorit të Hartimit të Projekteve të Brendshme.
Elezi akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë në tre raste, ndërsa Raça për të njëjtën vepër penale në katër raste, si dhe për shpërdorim detyre. Konomi akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë në bashkëpunim.
Mbi 7.4 miliardë lekë dëm në Tunelin e Llogarasë
Një nga procedurat kryesore të hetuara nga SPAK është tenderi për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit rreth 18.97 miliardë lekë pa TVSH.
Sipas hetimeve, Balluku ka ndjekur dhe orientuar të gjithë procedurën e tenderit, nga përgatitja e dokumentacionit deri në lidhjen e kontratës, megjithëse përgjegjësitë për zhvillimin e procedurës ia kishte deleguar sekretares së përgjithshme të ministrisë.
Prokuroria pretendon se qëllimi i këtyre veprimeve ishte favorizimi i bashkimit të kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
Sipas SPAK-ut, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, i kanë shpallur fituese këto kompani, ndonëse nuk plotësonin kriteret e tenderit.
SPAK ka evidentuar gjithashtu shkelje në përllogaritjen e kostos së ndërtimit të tunelit dhe në rishikimin e saj gjatë zbatimit të kontratës.
Sipas ekspertimeve të kryera gjatë hetimeve, përllogaritja e fondit limit me çmime të fryra i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë lekësh.
Për këtë pjesë të procedurës, SPAK ngarkon me përgjegjësi ish-sekretaren e përgjithshme të ministrisë, Viola Haxhiademi, ish-drejtorin e ARRSH-së, Ergys Verdho, dhe ish-përgjegjësin e Sektorit të Preventivit, Genti Raça.
Një dëm tjetër ekonomik, prej rreth 5.48 miliardë lekësh, është evidentuar gjatë miratimit të preventivit të rishikuar për ndërtimin e tunelit.
“Miratimi i preventivit të rishikuar është bërë në kundërshtim me ligjin, me volume dhe çmime të fryra, pa iu nënshtruar shqyrtimit teknik të sektorëve përkatës të Autoritetit Rrugor Shqiptar”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Për miratimin e këtij preventivi, Prokuroria ngarkon me përgjegjësi Haxhiademin, ish-drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli, Genti Raçën dhe ish-specialistët Adja Strazimiri, Anila Sulollari dhe Adrian Kroi.
Viola Haxhiademi dhe Ergys Verdho akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ndërsa Gentian Gjyli akuzohet edhe për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë në dy raste.
Sipas shifrave të bëra publike nga SPAK, dëmi ekonomik i evidentuar në të dyja fazat arrin në rreth 7.48 miliardë lekë.
Rruga e Porto Romanos në dosjen e Ballukut
Pjesë e hetimeve është edhe tenderi për vazhdimin e ndërtimit të rrugës së Porto Romanos në Durrës, Loti 3, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë pa TVSH.
Sipas SPAK-ut, edhe në këtë procedurë Balluku, Berberi dhe Shkurti kanë ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e kompanisë fituese, “Geci” sh.p.k.
“Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit, Arlinda Gordani, Miranda Shkurti dhe Adja Strazimiri, e kanë shpallur fitues këtë operator në kundërshtim me kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Të tria janë mes personave të dërguar për gjykim për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë, ndërsa Strazimiri akuzohet edhe për shpërdorim detyre.
Dy vila në këmbim të favorizimit të kompanive
Hetimet e SPAK-ut kanë evidentuar edhe përfitimin e dy vilave nga Balluku, në Palasë dhe Dhërmi, të cilat Prokuroria pretendon se janë produkt i korrupsionit.
Vila e parë, me sipërfaqe totale 478 metra katrorë, ndodhet në kompleksin turistik “Green Coast”, në Palasë.
Sipas SPAK-ut, Igli Tare ka investuar 250 mijë euro për këtë pasuri, deri në fazën e ndërtimit të karabinasë, ndërsa punimet për përfundimin e vilës dhe ndërtimin e pishinës janë vijuar nga biznesmeni Arbër Abazi.
Ky i fundit është administrator i kompanisë “Alko Impex General Construction”, e cila, në bashkëpunim me kompaninë “2T”, fitoi tenderin për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë.
Prokuroria pretendon se Balluku ka kërkuar dhe marrë investimin për përfundimin e vilës në këmbim të favorizimit të kompanisë së Abazit në këtë tender.
“Përfitimi i parregullt rezulton të jetë marrë nga e pandehura Belinda Balluku në formën e investimit të bërë nga i pandehuri Arbër Abazi për përfundimin e ndërtimit të vilës, në periudhën kohore gjatë vitit 2022-2023”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë, punimet e kryera nga Abazi arrijnë në një vlerë prej rreth 13.9 milionë lekësh, ndërsa preventivi për punimet e vilës dhe pishinës varionte nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.
SPAK pretendon se për të fshehur pronësinë e vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren, në emër të të cilit është krijuar dokumentacioni i pronësisë.
Sipas Prokurorisë, Balluku nuk ka deklaruar përfitimet prej 250 mijë eurosh nga Tare në deklaratat vjetore të pasurisë, nga viti 2021 e në vijim.
Vila tjetër ndodhet në kompleksin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut, dhe lidhet me një tender të zhvilluar gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol-in.
Bëhet fjalë për rikonstruksionin e godinës teknologjike të institucionit, me fond limit rreth 88.7 milionë lekë pa TVSH, tender që u fitua nga kompania “Eurocol”.
Sipas hetimeve, Balluku dhe Evis Berberi, i cili në atë periudhë drejtonte Sektorin e Prokurimeve në Albcontrol, kanë favorizuar kompaninë fituese që në fazën e përgatitjes së projektit.
SPAK tha se favorizimi i kompanisë ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, duke i siguruar një parapagim në masën 50 për qind të vlerës së kontratës, që në momentin e lidhjes së saj.
“Përfitimi i parregullt është siguruar nga e pandehura Belinda Balluku sipas kontratës fiktive të porosisë, në emër të të pandehurit Igli Tare, në vlerën 145 mijë Euro, në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë, Balluku nuk e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratat vjetore të pasurisë nga viti 2019 e në vijim.
Për fshehjen e kësaj pasurie, sipas SPAK-ut, Balluku ka përdorur edhe Pandeli Carapulin, përmes kompanisë “Eurocol”, dhe ish-vartësen e saj, Joana Bushi, përmes një kontrate fiktive qiraje.
Igli Tare, Pandeli Carapuli dhe Joana Bushi janë dërguar për gjykim për pastrim parash, ndërsa Arbër Abazi akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe falsifikim të vulave, stampave ose formularëve.
Edhe kompania “Alko Impex General Construction” është dërguar për gjykim për korrupsion aktiv, ndërsa “Eurocol” akuzohet për pastrim parash.
SPAK ka sekuestruar të dyja vilat, të cilat kanë një vlerë të përgjithshme prej 1.83 milionë eurosh. Vila në Palasë vlerësohet në 1.11 milionë euro, ndërsa ajo në Dhërmi në 720 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal të ndarë, nr. 136/1 të vitit 2026, për zbulimin e fakteve të tjera penale.