4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West, aktivistët kundër vendimit të qeverisë

Aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit artistik kundërshtuan financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të Kanye West, duke kërkuar që fondet publike të orientohen drejt mbështetjes së kulturës shqiptare dhe institucioneve kulturore.

Vendimi i qeverisë për të financuar me 4.2 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West nxiti reagimin e aktivistëve dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik, të cilët këtë të enjte zhvilluan një aksion para godinës së Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ku vendosën postera me mbishkrimet “Ministria e Ahengut” dhe “Ministria e Turpit”, duke argumentuar se ky shpenzim bie ndesh me nevojat e sektorit të kulturës në Shqipëri.

Në një komunikatë publike, aktivistët u shprehën se artistët shqiptarë mbeten ndër më pak të mbështeturit në rajon dhe Europë, ndërsa fondet publike po përdoren për të garantuar zhvillimin e koncertit të një artisti të huaj.

“Teksa artistët shqiptarë janë më pak të mbështeturit në rajon dhe Europë, një artisti problematik të huaj i garantohet koncerti nga qeveria shqiptare”, shkruhej në komunikatën e shpërndarë për mediat pas aksionit.

Sipas tyre, prioritetet buxhetore duhet të orientohen drejt mbështetjes së institucioneve kulturore, trashëgimisë kulturore dhe artistëve vendas, duke argumentuar se sektori i kulturës vijon të mbetet ndër më pak të financuarit nga buxheti i shtetit.

Aktivistë gjatë protestës kundër financimit të koncertit të Kanye West me fonde publike. Foto: Trivet Paja.

Sipas aktivistëve, Ministria e Kulturës ka pasur ndër vite buxhetin më të ulët krahasuar me ministritë e tjera, ndërsa shpenzimet për kulturën përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në komunikatë përmenden gjithashtu problematika që lidhen me gjendjen e institucioneve kulturore, financimin e kinematografisë, trashëgimisë kulturore dhe bibliotekave publike.

“Teksa për koncertin e Kanye West qeveria shpenzon 4 milionë euro, për thirrjen e hapur për artistët vendas për vitin 2026 ajo ka planifikuar vetëm 1.9 milionë euro”, shkruhej në komunikatë.

Në përfundim të komunikatës, përfaqësuesit e nismës kërkuan rritjen e buxhetit për kulturën, më shumë mbështetje financiare dhe sociale për artistët vendas, si edhe një rishikim të politikave publike në këtë sektor.

Reagimi vjen pasi qeveria miratoi përdorimin e 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur financimin, duke argumentuar se koncerti pritet të sjellë përfitime për turizmin dhe ekonominë.