Hetimi për “review-t” negative ndaj bizneseve turistike hap debat mbi lirinë e shprehjes në internet

Njoftimi i Policisë së Shtetit se po heton një aktivitet të dyshuar të koordinuar me “review” negative ndaj bizneseve turistike nxiti reagime në opinionin publik, duke hapur debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes në internet.

Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, për një hetim mbi një aktivitet të dyshuar të koordinuar me “review” negative ndaj bizneseve turistike ka hapur debat mbi kufijtë mes luftës kundër manipulimit të vlerësimeve dhe lirisë së shprehjes në internet.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten, Hita bëri të ditur se strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat në internet, ku brenda një periudhe të shkurtër kohore janë publikuar në masë komente dhe vlerësime negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit.

“Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare”, tha Hita gjatë konferencës për shtyp.

Sipas tij, nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit. Drejtori i Policisë tha se sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së komenteve përbëjnë elemente që po analizohen për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprimtari të organizuar.

Deklarata e Drejtorit të Policisë nxiti reagime të menjëhershme. Aktivisti Andi Tepelena ngriti shqetësimin se hetimi i “review-ve” negative mund të interpretohet si një ndërhyrje ndaj lirisë së shprehjes në internet.

“Qëkur Policia e Shtetit merr përsipër të censurojë komentet në mediat sociale dhe të zëvendësojë Google-n?”, shkroi Tepelena në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.

Edhe gazetari Mentor Kikia reagoi pas deklaratës së Policisë, duke vlerësuar se përdorimi i llogarive reale dhe të rreme në rrjetet sociale është kthyer në një mjet të përplasjeve publike në internet.

“Si armë përdoren dhjetëra mijëra llogari në rrjet, reale dhe ‘fake’, që shpërndajnë informacion të vërtetë, të rremë, shpifje, sharje etj.”, shkroi Kikia në një postim në rrjetet sociale.

Edhe avokati Elton Laska e sheh debatin të lidhur me kufijtë mes lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë ligjore, por thekson se nga pikëpamja juridike përgjegjësia penale nuk mund të lidhet me publikimin e një “review” negativ në vetvete. Në një prononcim për Media Amfora, ai u shpreh se hetimi duhet të provojë se bëhet fjalë për një veprimtari të koordinuar dhe të qëllimshme mes disa personave.

“Hetimi duhet të nxjerrë nëse kjo është një veprimtari e koordinuar, nëse kemi të bëjmë me një grup personash që kanë vepruar së bashku. Vetëm në këtë rast mund të flitet për përgjegjësi penale. Nuk besoj se hetimi do të arrijë të provojë përpara ligjit ekzistencën e një grupi të strukturuar që ka pasur këtë qëllim”, tha Laska për Amforën.

Gjatë konferencës për shtyp, Hita theksoi se, nëse provohet se aktiviteti ka qenë i qëllimshëm, ai nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por edhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion turistik.

Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik janë urdhëruar të vijojnë veprimet për identifikimin e autorëve, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve mes llogarive dhe administrimin e provave digjitale, në bashkëpunim me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë.

Debati i hapur pas deklaratës së Policisë ka rikthyer në vëmendje kufirin mes të drejtës së qytetarëve për të shprehur publikisht vlerësimin e tyre për një shërbim dhe rasteve kur publikimi masiv i komenteve mund të përbëjë pjesë të një fushate të organizuar për të dëmtuar reputacionin e një biznesi. 

Ndërsa Policia këmbëngul se po heton një aktivitet të dyshuar të koordinuar dhe jo opinionet individuale të konsumatorëve, reagimet e deritanishme tregojnë se çështja ka hapur një diskutim më të gjerë mbi lirinë e shprehjes në internet dhe kufijtë e ndërhyrjes së institucioneve në hapësirën digjitale.