4.2 milionë euro të emergjencave për koncertin e Kanye West, qeveria ndryshoi mendje në minutën e fundit
Koncerti i artistit të huaj, Kanye West, ishte prezantuar si një ngjarje që do të organizohej pa angazhimin financiar të shtetit shqiptar, por një Akt Normativ akordoi pak ditë para tij gati 4.2 milionë euro për financimin e pjesshëm, duke pakësuar fondin rezervë të buxhetit të shtetit. Vendimi hapi debat mbi arsyet e ndërhyrjes dhe përdorimin e këtij fondi për një aktivitet kulturor, megjithëse qëllimin e ka për emergjenca shtetërore.
Arena e "Eagle Stadium" në Kashar, ku do të mbahet koncerti i Kanye West. Foto: "Screenshot" nga video e publikuar nga Kryeministri Edi Rama.
Mes vapës së korrikut, jashtë qendrës së Tiranës vijojnë punimet për ngritjen e stadiumit të përkohshëm ku është planifikuar të mbahet koncerti i artistit të huaj Kanye West, i njohur edhe si Ye, një vendim i qeverisë ndryshoi rrjedhën e debatit publik. Koncerti, i prezantuar fillimisht si një ngjarje që do të organizohej pa angazhimin financiar të shtetit, mori më pas një financim prej 4 milionë eurosh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
“Shteti shqiptar është detyruar vetëm dje të japë katër milionë euro për të garantuar që ata mijëra e mijëra njerëz, të cilët kanë prerë biletat…”, bëri me dije kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të punimeve të martën.
Për Kryeministrin, ndërhyrja e qeverisë nuk justifikohet me shmangien e anulimit të koncertit, por edhe me atë që ai e cilëson si një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë dhe përfitimet ekonomike që sipas tij pritet të sjellë aktiviteti.
“Ky event, nëse do të mbetej i pa realizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit. Sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt të menjëhershëm, por sjellin dhe një impakt ekonomik hap pas hapi”, tha Rama.
Koncerti i Kanye West është planifikuar të mbahet më 11 korrik në arenën e përkohshme të quajtur “Eagle Stadium”, i ndërtuar në zonën e Kasharit, pranë autostradës Tiranë-Durrës. Sipas qeverisë, koncerti synon të tërheqi mijëra vizitorë nga dhjetëra shtete, duke e pozicionuar Shqipërinë në kalendarin ndërkombëtar të aktiviteteve të përmasave të mëdha dhe duke krijuar një ndikim ekonomik për kryeqytetin.
Akti Normativ, i miratuar nga Këshilli i Ministrave më 6 korrik dhe i publikuar një ditë më vonë në Fletoren Zyrtare, parashikon finanicimin e pjesshëm të organizimt të koncertit të Kanye West me 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro.
Sipas të dhënave të regjistrit të biznesit, kompania organizatore është “REDCLOUD” sh.p.k., e cila, ndër të tjera ka në objekt të veprimtarisë organizimin e ngjarjeve, festivaleve dhe koncerteve.
Rigels Xhemollari, nga organizata “Qëndresa Qytetare”, e lidhi vendimin me mënyrën se si, sipas tij po përcaktohen prioritetet e shpenzimeve publike.
“4.23 milionë euro brenda ditës me një firmë tak-tak për Kanye Ëest. Për autobusë elektrikë s’ka lekë! Për ilaçe s’ka lekë. Për spektakël paratë gjenden! Me kaq para mund të ishin organizuar kampe verore kulturore dhe edukuese për 15.000 fëmijë për 30 ditë, ndërsa ti na i shpenzove për 1 ditë spektakël”, shkroi aktivisti Rigels Xhemollari në një postim në rrjetet sociale.
Lajmin për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë fillimisht e bëri publik vetë Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale më 30 prill, duke e cilësuar ardhjen e artistit si një ngjarje historike për vendin. Në deklaratat publike që pasuan dhe deri në miratimin e Aktit Normativ, nuk u njoftua zyrtarisht se shteti shqiptar do të mbështeste financiarisht organizimin e koncertit. Po ashtu, nuk u bë publike asnjë shumë që do të akordohej nga buxheti i shtetit.
Publikimi i Aktit Normativ u pasua me reagime të menjëhershme nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë, të cilët vunë në pikëpyetje përdorimin e fondeve publike që ishin parashikuar për emergjencat dhe ndryshimin e qëndrimit të qeverisë.
Studiuesi dhe eksperti i politikave publike, Adri Nurellari, e përqendroi reagimin te kontrasti mes deklaratave fillestare të qeverisë dhe financimit të miratuar me Akt Normativ.
“Paska dalë një nivel krejt i ri i matematikës qeveritare ku zero qindarka bëhet 4.2 milionë euro brenda pak ditësh”, shkroi Nurellari në një postim në rrjetet sociale.
Akti Normativ autorizon Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) të nënshkruajë marrëveshjen me kompaninë organizatore të koncertit, me qëllim disbursimin e fondit prej 400 milionë lekësh të parashikuara për financimin e pjesshëm të koncertit.
Me përgjegjësinë për administrimin e këtij fondi që i kalon MTKS mbrojtja publike e vendimit u bë edhe nga ministri Blendi Gonxhja. Sipas tij, koncerti nuk duhet parë vetëm si një aktivitet muzikor, por si një investim me ndikim afatgjatë për ekonominë dhe pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Nga pikëpamja ekonomike është drejtpërdrejt një përfitim i jashtëzakonshëm për zonën, për qytetin. Këtu nuk po punohet për një event, për një ngjarje. Po punohet për të pasur një reputacion që, nëse ne ia dalim në të gjitha elementet, do të jetë një gjë që do të zgjasë për 10 vjet”, tha ministri Blendi Gonxhja, gjatë inspektimit të punimeve, krah kryeministrit Rama.
Sipas Gonxhjes, ndikimi i koncertit nuk kufizohet vetëm te zhvillimi i tij, por edhe te mundësia për ta përfshirë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të aktiviteteve të mëdha.
“Do të jemi në kalendarin global të eventeve, por edhe hyrja e Shqipërisë në një nivel krejt tjetër”, tha Gonxhja.
Në qendër të këtij debati është vetë Kanye West, i njohur artistikisht edhe si “Ye”, një nga artistët më të njohur të muzikës bashkëkohore, me dhjetëra çmime ndërkombëtare dhe miliona albume të shitura. Vitet e fundit, ai është bërë pjesë e polemikave ndërkombëtare për shkak të deklaratave të tij antisemite.
Përmasat e koncertit lidhen drejtpërdrejt edhe me shitjen e biletave. Sipas përgjegjësve të punimeve në terren, arena e përkohshme “Eagle Stadium” do të ketë një kapacitet prej mbi 60 mijë spektatorësh, duke e bërë këtë një nga koncertet me kapacitetin më të madh të organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Prej javësh, organizatorët po promovojnë shitjen e biletave, me çmime që nisin nga 120 euro, megjithatë deri më tani nuk është bërë publik asnjë informacion zyrtar mbi numrin e biletave të shitura.
Përtej pritshmërive për ndikimin ekonomik dhe promovimin e Shqipërisë, mbetet fakti se 4.2 milionë euro u akorduan nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të një koncerti privat. Një vendim që, brenda pak ditësh, e zhvendosi debatin nga muzika te mënyra se si përdoren fondet publike dhe sidomos ato të përcaktuar për raste emergjencash.