Salla “Black Box” e shkollës artistike rihap debatin për përdorimin e mjediseve arsimore në Durrës

Përplasja mes Bashkisë Durrës dhe drejtuesve të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” për sallën “Black Box” nxori në pah debatin për përdorimin e mjediseve arsimore edhe për veprimtari të tjera publike, duke nxitur reagime nga përfaqësues të komunitetit.

Ndërhyrja e Policisë Bashkiake në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” më mesin e muajit qershor për të marrë çelësat e sallës “Black Box” krijoi një përplasje mes Bashkisë Durrës dhe drejtuesve të institucionit arsimor, duke hapur një debat mbi administrimin dhe përdorimin e hapësirave arsimore përtej shkollës.

Gjithçka nisi më 17 qershor, kur përfaqësues të Policisë Bashkiake u paraqitën pranë shkollës për të marrë çelësat e sallës, ndërsa drejtuesit e institucionit kundërshtuan dorëzimin e tyre, duke argumentuar se bashkia nuk kishte paraqitur një shkresë ligjore. 

Drejtoresha e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, Adriana Gjepali, deklaroi në atë kohë për mediat se shkolla nuk kundërshtonte bashkëpunimin me institucionet, por se mungonte një bazë ligjore për dorëzimin e administrimit të sallës.

“Kemi një ngërç institucional që shpresojmë të zgjidhet shumë shpejt. Kërkohet marrja e çelësave, por salla është në funksion të shkollës, ky është problemi. Nuk ka një urdhër ligjor. Patjetër që në momentin që ka një shkresë ligjore, mund të hapet dhe të bëhet procedura normale”, tha Gjepali.

Salla “Black Box”, e ndërtuar si një hapësirë multifunksionale brenda shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, përdoret për aktivitete artistike dhe edukative të nxënësve.

Për shkak të situatës së krijuar, një nga aktivitetet e planifikuara në sallën “Black Box” u zhvillua në Qendrën Kulturore për Fëmijë. Drejtuesit e shkollës shprehën shqetësimin se mosmarrëveshja institucionale mund të ndikonte në zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe edukative të nxënësve, ndërsa kërkuan që çdo ndryshim në administrimin e sallës të mbështetej në procedurat ligjore përkatëse.

E gjithë kjo shkaktoi reagime në opinionin publik. Ndër reagimet publike ishte edhe ai i urbanistit dhe planifikuesit Artan Kacani, i cili e kritikoi ndërhyrjen e Bashkisë, duke argumentuar se hapësirat kulturore dhe arsimore po përdoren për qëllime të tjera.

“Gjithmonë e më tepër hapësirat kulturore i ngushtohen qytetit dhe për të arritur atë çfarë kërkohet në edukim duhet të kesh gjithmonë miq të fortë në politikë, në drejtori dhe në ministri. Kjo është padrejtësi ndaj qytetit dhe të mirës publike të tij”, shkroi Kacani në një postim në rrjetet sociale.

Ndryshe nga qëndrimi i shkollës dhe reagimet e komunitetit, Bashkia Durrës argumenton se veprimet e saj mbështeten në kompetencat që i njeh legjislacioni për administrimin e pasurive publike. Në një përgjigje zyrtare për Amforën, bashkia theksoi se ushtron përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin përkatës.  

“Kjo kërkesë nuk synon kufizimin e veprimtarisë së institucionit arsimor apo ndërhyrjen në procesin mësimor, por garantimin e administrimit të rregullt të një pasurie publike dhe mundësimin e përdorimit të saj në përputhje me funksionin për të cilin është ndërtuar”, shkroi bashkia në përgjigjen zyrtare.

Sipas Bashkisë, salla “Black Box” nuk është projektuar si një ambient në përdorim ekskluziv të shkollës, por si një hapësirë multifunksionale që duhet t’u shërbejë aktiviteteve artistike, kulturore, edukative dhe komunitare. Për këtë arsye, Bashkia shpjegoi se i është drejtuar zyrtarisht drejtorisë së shkollës me kërkesë për vënien në dispozicion të çelësave, me qëllim ushtrimin e përgjegjësive ligjore për administrimin, mirëmbajtjen dhe garantimin e funksionalitetit të këtij aseti publik. Bashkia shtoi se administrimi i një pasurie publike nuk mund të kushtëzohet nga disponimi i çelësave apo kufizimi i aksesit të autoritetit administrues.

Në përgjigjen e saj, Bashkia Durrës pranoi se është përballur me refuzimin e shkollës për dorëzimin e çelësave dhe thekson se do ta ndjekë çështjen përmes rrugëve institucionale, administrative dhe ligjore, duke argumentuar se salla “Black Box” duhet të jetë funksionale dhe e aksesueshme për komunitetin artistik, nxënësit dhe qytetarët e Durrësit.

Për të kuptuar qëndrimin e institucionit përgjegjës për arsimin parauniversitar, Amfora iu drejtua edhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës me një kërkesë për koment lidhur me çështjen, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk mori përgjigje.

Përplasja ka rikthyer debatin mbi administrimin e hapësirave publike brenda institucioneve arsimore dhe mënyrën se si ato mund të përdoren për aktivitete të tjera, pa cenuar funksionin e tyre parësor edukativ. Nga njëra anë, Bashkia argumenton se salla “Black Box” është një aset publik me funksion kulturor për qytetin, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit e shkollës dhe përfaqësues të komunitetit kërkojnë që çdo ndërhyrje në administrimin e saj të mbështetet në procedura të qarta ligjore dhe të mos ndikojë në veprimtarinë artistike të nxënësve.

Debati për përdorimin e ambienteve publike në vend nuk është i ri. Përdorimi i institucioneve arsimore dhe aseteve të tjera publike gjatë fushatave zgjedhore ka qenë objekt denoncimesh dhe shqyrtimesh nga institucionet përgjegjëse, duke ngritur diskutime mbi kufijtë e përdorimit të tyre. 

Në vitin 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti Emirjana Sako, atëherë kandidate për kryetare të Bashkisë Durrës, me 100 mijë lekë për përdorimin e ambienteve të një shkolle 9-vjeçare gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, pas një denoncimi të organizatës Qëndresa Qytetare. Rasti i fundit riktheu në vëmendje debatin mbi përdorimin e aseteve publike dhe kufijtë e administrimit të tyre.