Teoricienët e Komplotit dhe “Revolucioni i Flamingove”
Mes shumë paradokseve dhe debateve që po shoqërojnë protestën e emërtuar “Revolucioni i Flamingove”, qëndron edhe habia e një bashkimi gati të pamundur midis grupeve të ekstremit të majtë dhe teoricienëve të komplotit. A ka mundësi që ky bashkim i panatyrshëm i këtyre kundërshtarëve arkaik të ketë ndodhur për një qëllim më të madh apo i nxitur nga interesa e aktorëve më të fuqishëm?!
Foto nga protesta përpara Kryeministrisë/ Media Amfora
Për herë të parë termin “Shqipëri e Re” e ka përdorur Partia e Punës për të emërtuar mjetin e saj kryesore të propagandës: Kinostudion. Sot parrullën “Shqipëri e Re” e gjejme përbri kërkesës tjetër që kanë protestuesit për “Revolucion”. Pra qartazi “Shqipëria e Re” – ashtu si në fakt termi “Njeri i Ri” – nuk është asgjë më shumë se as një parrullë e ekstremit të majtë.
Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera të botës, ka teoricienë që mbështesin teorinë e një komploti botëror. Këta teoricienë besojnë se bota drejtohet nga një elitë lunatikësh satanistë (ose “reptilianë”, në vartësi të të çmendurit që e thotë!) – që në fund kërkojnë robërimin e njeriut. Ata shohin tek e majta dhe veçanërisht tek financuesit kryesorë të së majtës armikun kryesor të njerëzimit dhe të vetë njeriut.
Siç do të shkruante Eric Voegelin edhe pse filozofikisht e majta dhe teoritë e komplotit e kanë substraktin ideologjik të përbashkët te gnosticizmi mesjetar (por kjo është një temë tjetër)! ato prej dekadash luftojnë me njëri-tjetrin një luftë të përgjakshme. Shumë rallë – shumë rallë, për të mos thënë kurrë – ata mund të bashkohen në ndonjë kauzë. Por në Shqipëri kjo mrekulli ka ndodhur. Dhe në kuptimin sociologjik është shumë e rendësishme për të kuptuar “pse”-në. Cilat janë mekanizmat e kësaj proteste që kanë bashkuar nën të njëjtin shesh komunitetin LGBTQI+, transfeministet antifashiste me teoricienët e komplotit në Shqipëri? A ka mundësi që ky bashkim i panatyrshëm i këtyre kundërshtarëve arkaik të ketë ndodhur për një qëllim më të madh apo i nxitur nga interesat e aktorëve më të fuqishëm?
Në dekadën e fundit, studimi i dezinformimit ka nxjerrë në pah një aspekt të rëndësishëm të luftës moderne të informacionit. Kjo ka të bëj me përdorimin e teorive të konspiracionit si instrument për të ndikuar opinionin publik dhe për të dobësuar besimin ndaj institucioneve demokratike. Tre burime me autoritet të lartë – “NATO Strategic Communications Centre of Excellence (StratCom COE)”, projekti evropian “EuvsDisinfo” dhe raportet e “Komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara” – kanë analizuar në mënyra të ndryshme këtë fenomen, duke arritur në përfundimin se aktorë të lidhur me Federatën Ruse kanë përdorur ose amplifikuar narrativa konspirative si pjesë të strategjisë së tyre të dezinformimit.
Një nga studimet më të rëndësishme në këtë fushë është ai i “NATO Strategic Communications Centre of Excellence”, i cili shqyrton mënyrën se si propaganda moderne nuk synon domosdoshmërisht të bindë publikun për një version të vetëm të së vërtetës, por të krijojë konfuzion, pasiguri dhe mosbesim. Studiuesit e këtij institucioni argumentojnë se teoritë e konspiracionit janë veçanërisht të dobishme për këtë qëllim sepse ato nxisin dyshimin ndaj mediave, qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare. Në raportin, “Internet Trolling as a Hybrid Warfare Tool: The Case of Latvia” (2018), autorët theksojnë se operacionet e informacionit synojnë të “rrisin konfuzionin, mosbesimin dhe polarizimin brenda shoqërive të caktuara”. Ky konstatim është bërë një nga referencat kryesore në studimet mbi luftën hibride.
Një burim i dytë me rëndësi është “EuvsDisinfo”, një projekt i krijuar nga “European External Action Service” (EEAS), për të monitoruar dhe dokumentuar rastet e dezinformimit pro-Kremlinit. Që nga themelimi i tij në vitin 2015, projekti ka ndërtuar një bazë të dhënash me mijëra shembuj narrativash të rreme ose mashtruese. Analizat e tij tregojnë se shumë prej këtyre narrativave mbështeten në elemente tipike të teorive të konspiracionit, si pretendimet për komplote globale, laboratorë biologjikë sekretë, manipulime zgjedhore ose kontroll të fshehtë të elitave ndërkombëtare. Në metodologjinë e tij, “EuvsDisinfo” thekson se, “Dezinformimi është informacion i rremë ose mashtrues që përhapet me qëllim mashtrimin e njerëzve ose për të siguruar përfitime ekonomike apo politike”. Projekti nuk pretendon se çdo teori konspirative është produkt i Kremlinit, por dokumenton rastet kur media ose aktorë pro-Kremlinit i kanë përforëcuar ato.
Një perspektivë tjetër ofrohet nga raportet e “Komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara”, veçanërisht dokumenti, “Assessing Russian Activities and Intentions in Recent US Elections” (2017), i përgatitur nga “Office of the Director of National Intelligence” (ODNI). Ky raport vlerëson se Federata Ruse zhvilloi një fushatë të gjerë ndikimi përmes mediave shtetërore, rrjeteve sociale dhe aktorëve të tjerë të lidhur me shtetin. Dokumenti deklaron se, “Qëllimet e Rusisë ishin të minonin besimin e publikut në procesin demokratik të Shteteve të Bashkuara”. Raporti argumenton se përhapja dhe amplifikimi i narrativave polarizuese – përfshirë edhe atyre me natyrë konspirative – ishte pjesë e kësaj strategjie më të gjerë të ndikimit.
Në këtë prizëm edhe monitorimi i konspiracionistëve shqiptarë ka treguar se ata shpesh mbështesin një narrativë i cili sulmon elitat ndërkombëtare perëndimore, tenton polarizimin dhe konfuzionin. Kjo narrative u vu re edhe gjatë protestës, ku disa pankarta, qëndrime dhe shënime në rrjetet sociale përmbanin edhe thirrje anti-BE, anti-semite dhe anti-amerikane. Atëherë përse në kontekstin aktual shqiptar këto teoricienë po mbështesin gati unanimisht “Revolucionin Flamingo”? A janë ata vërtetë të shqetësuar për demokracinë dhe cilësinë e jetesës në Shqipëri? A kërkojnë ata dorëheqjen e Ramës për arsye fisnike? Apo janë duke polarizuar shoqërinë shqiptare në shërbim të Kremlinit dhe Teheranit dhe këtu krahu i ekstremit të majtë është vetëm mjeti i përkohshëm për këtë polarizim dhe konflikt?