Projekti për pritat malore në Mërtur, banorët kërkojnë pezullimin e punimeve

Banorët e Nikaj-Mërturit në Tropojë kundërshtuan projektin për ndërtimin e tre pritave në lumin Mërtur, duke kërkuar pezullimin e punimeve dhe më shumë transparencë. Të mbështetur edhe nga organizata mjedisore, ata pretendojnë se ndërhyrjet po devijojnë rrjedhën e lumit dhe rrezikojnë ekosistemin e zonës.

Qindra banorë u mblodhën të dielën në protestë për të kundërshtuar punimet që po kryhen në lumin Mërtur, duke ngritur shqetësime për ndikimin që projekti mund të ketë mbi burimet ujore, tokat bujqësore dhe jetën e komunitetit. 

 “Lumi është jeta. Kanë marrë dhe kanë devijuar lumin, kanë shkatërruar shtratin e tij dhe nuk dihet se cili është qëllimi”,tha një prej banorëve gjatë protestës. 

Protesta, e mbështetur edhe nga organizata mjedisore, u organizua kundër projektit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) “Mbrojtja me prita malore e Përroit të Lekbibajt (Mërturit) – Loti I”. Sipas tabelës informuese të vendosur në kantier, projekti parashikon ndërtimin e pritave malore.  

Punimet kanë nisur rreth tre javë më parë dhe, sipas tabelës informuese të projektit, janë parashikuar të zgjasin 24 javë. Ndërsa sipas banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, ndërhyrjet kanë devijuar rrjedhën e lumit dhe kanë ndryshuar shtratin e tij pa konsultim paraprak me komunitetin.

Protestuesit mbajtën pankarta dhe kërkuan ndalimin e punimeve deri në sqarimin e plotë të projektit, ndërsa argumentuan se lumi përfaqëson një burim jetese për zonën dhe nuk duhet të ndryshohet pa dëgjuar më parë zërin e komunitetit. Banorët ngritën shqetësimin edhe për emërtimin e projektit, pasi në tabelën informuese ai figuron si “Përroi i Lekbibajt (Mërturit)”, ndërsa komuniteti i referohet si lumi Mërtur, të cilin e konsideron burimin kryesor ujor të zonës.

Në mbështetje të banorëve foli edhe administratori i Njësisë Administrative Lekbibaj, Besard Ndoja, i cili kërkoi më shumë transparencë për ndërhyrjet në lumin Mërtur.

Sipas administratorit, komuniteti lokal nuk është informuar mjaftueshëm mbi ndërhyrjet që po kryhen dhe pasojat që ato mund të kenë për zonën. Ai kërkoi më shumë transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe sqarime për mënyrën se si do të zbatohet projekti në lumin Mërtur.

Banorët shprehën shqetësimin se ndërhyrjet mund të ndikojnë në ekuilibrin natyror të lumit dhe në burimet ujore që përdoren nga komuniteti. Ata kërkuan që çdo vendimmarrje të shoqërohet me konsultim publik dhe me publikimin e dokumentacionit përkatës, duke argumentuar se projekte të tilla kanë ndikim afatgjatë në mjedis dhe në jetën ekonomike të zonës.

Protesta u shoqërua me thirrje për mbrojtjen e lumit Mërtur. Banorët deklaruan se do të vijojnë të kundërshtojnë projektin deri në marrjen e përgjigjeve për shqetësimet e ngritura dhe pezullimin e punimeve.

Lumi Mërtur përshkon zonën malore të Nikaj-Mërturit në Bashkinë Tropojë dhe konsiderohet një prej burimeve kryesore ujore të zonës. Çështja e ndërhyrjeve në lumenjtë malorë ka nxitur edhe më herët debate mes komuniteteve lokale, institucioneve dhe organizatave mjedisore, të cilat kanë kërkuar që projekte të tilla të shoqërohen me transparencë, konsultim publik dhe vlerësim të ndikimit në mjedis përpara zbatimit të tyre.