Nga Fieri në Lezhë, dy zjarre përfshinë sipërfaqe të mëdha

Dy zjarre përfshinë Fierin dhe Lezhën gjatë fundjavës, ndërsa më problematiku u regjistrua në Fier, ku flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha pranë disa fshatrave, detyruan evakuimin e 12 familjeve dhe çuan në arrestimin e një 20-vjeçari të dyshuar për zjarrvënie. Në Lezhë, një tjetër vatër zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pranë plazhit të Tales.

Shqipëria u përball gjatë fundjavës me disa vatra zjarri, nga Fieri në Lezhë, ndërsa zjarri më problematik u regjistrua në Fier, ku flakët detyruan evakuimin e 12 familjeve dhe çuan në arrestimin e një 20-vjeçari të dyshuar për zjarrvënie. 

“Vatra e zjarrit, e cila ka nisur fillimisht pranë vendit të quajtur ‘Azotiku’, në fshatin Drizë, e më pas është përhapur në zonën e Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg”, njoftoi Policia e Shtetit të dielën. 

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë, autoritetet evakuuan 12 familje, ndërsa në terren u angazhuan shërbimet zjarrfikëse, efektivë të Policisë së Shtetit, Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Policia Rrugore dhe helikopterë të Forcave të Armatosura. Për disa orë u bllokua qarkullimi i mjeteve në segmentin “Qafa e Koshovicës-Cakran”, ndërsa në gatishmëri u vendos edhe ekipi i urgjencës së spitalit.

Hetimet e kryera pas shuarjes së zjarrit çuan në identifikimin e autorit të dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë një 20-vjeçar, banues në fshatin Drizë.

“Shtetasi me inicialet N. J. dyshohet se në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale”, njoftoi Policia e Shtetit.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri u regjistrua në zonën e plazhit të Tales, në Lezhë, ku flakët përfshinë një sipërfaqe të madhe me kallamishte dhe shkurre përgjatë vijës bregdetare. E favorizuar nga era e fortë, vatra u përhap me shpejtësi në një brez me gjerësi që varionte nga rreth 500 metra deri në afërsisht një kilometër.

Në terren ndërhynë shërbimet zjarrfikëse të Lezhës, të cilat u përballën me vështirësi për shkak të terrenit kënetor mes plazhit dhe zonës së përfshirë nga flakët. Pranë vatrës ndodheshin edhe disa struktura shërbimi të plazhit, të cilat u mbajtën nën monitorim për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

 
Vatra e zjarrit në Lezhë. Foto:  “Screenshot” nga video e gazetarit Elvis Hila 

Pak ditë më parë, Lezha u përball edhe me një tjetër zjarr në malin e Shëngjinit, ku pas një nate ndërhyrjesh nga shërbimet zjarrfikëse të disa bashkive, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor dhe strukturat e Emergjencave Civile, situata u vu nën kontroll. Gjatë operacionit u raportua edhe plagosja e një të riu, pasi një gur i shkëputur nga mali goditi automjetin me të cilin po udhëtonte.

Sezoni veror vijon të shoqërohet me rritje të rasteve të zjarreve në vend, ndërsa autoritetet kanë evidentuar edhe raste të dyshuara zjarrvënieje të qëllimshme. 

Vitin e kaluar, gjatë muajve të verës, në vend u regjistruan dhjetëra vatra zjarri që dogjën sipërfaqe pyjore, kullota dhe tokë me shkurre, ndërsa në disa raste u dëmtuan edhe objekte të trashëgimisë kulturore dhe u rrezikuan banesa.