SPAK çon në gjyq grupin e akuzuar për trafik ndërkombëtar droge
SPAK dërgoi në gjykatë 15 persona, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, grupi dyshohet se trafikoi mbi 8.1 ton drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke përdorur komunikime të koduara në platformën SkyECC.
Godina e SPAK. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të mërkurën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen ndaj 15 personave, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se të pandehurit… kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazil, Ekuador e Kolumbi) dhe Spanja e Maroku për në vendet evropiane (Itali, Belgjikë, Spanjë, Holandë etj.)… sasi të konsiderueshme prej 8126 kg lëndë narkotike”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, grupi drejtohej nga Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, i njohur edhe me nofkat “Kili” dhe “Ekil”, Nazmi Shahini, i njohur edhe me nofkën “Drazhi”, si edhe Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej, të cilët akuzohen se kishin role drejtuese dhe financuese në aktivitetin kriminal.
Referuar hetimit, rrjeti kriminal siguronte lëndë narkotike nga Amerika Latine dhe Afrika Veriore, të cilat më pas trafikoheshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Prokuroria pretendon se grupi transportoi 7261 kilogramë kokainë, 590 kilogramë hashash dhe 275 kilogramë kanabis, të destinuara kryesisht për tregjet në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC”, njoftoi SPAK.
Sipas Prokurorisë, komunikimet e siguruara nga autoritetet franceze përmes platformës SkyECC kanë qenë ndër provat kryesore të hetimit. Dosja u ndërtua gjithashtu në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Francë, Spanjë, Belgjikë, Britani, Holandë, Brazil, Itali dhe Ekuador, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme që lidhet me narkotikët”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas dosjes, pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal akuzohen edhe Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi, Amer Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në episode të ndryshme të trafikimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike.
SPAK njoftoi se i ka kërkuar gjykatës edhe pushimin e hetimeve për tre persona. Për Devid Patrut, në një nga episodet e hetuara, Prokuroria vlerëson se zbatohet parimi “ne bis in idem”, pasi ai është dënuar më parë nga autoritetet belge për të njëjtin fakt penal. Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin, hetimi arriti në përfundimin se fakti penal nuk ekzistonte ose nuk u provua.
Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet franceze, spanjolle, belge, britanike, holandeze, braziliane, italiane dhe ekuadoriane të drejtësisë, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit. Ndërkohë, SPAK bëri të ditur se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar dhe për verifikimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.