Restaurimi ricikloi të shkuarën, projekti i Muzeut Arkeologjik të Durrësit u rrudh në rikonstruksion

Katër vite pas nisjes së restaurimit me një fond prej 3.8 milionë eurosh të Bashkimit Evropian, Muzeu Arkeologjik i Durrësit u rihap me një muzealizim që në pjesën më të madhe riciklon konceptin e mëparshëm dhe pa transformimin digjital të premtuar. Projekti u rrudh kryesisht në punime ndërtimore, ndërsa mungojnë pavijonet e planifikuara, laboratorët funksionalë dhe kushtet e përshtatshme për ruajtjen e mijëra artefakteve, një pjesë e të cilave vijojnë të mbahen në kontejnerë.

Grafikë ilustruese nga Amfora për restaurimin e Muzeut Arkeologjik Durrës

Saga e restaurimit të radhës të Muzeut Arkeologjik të Durrësit mori fund 28 prillin e këtij viti, gati 4 vite vite pas tërmetit shkatërrimtar që u bë shkak edhe për nisjen e kësaj ndërhyrje të gjerë rikonstruksioni dhe përmirësimi të ambienteve muzeale.

Projekti zë vend në “kurorën” e investimeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri në fushën e trashëgimisë kulturore, i zbatuar nga organizata ndërkombëtare UNOPS dhe që solli ndërhyrje brenda objektit të muzeut dhe në territorin përreth tij, me një faturë që i kushtoi taksapaguesve evropianë 3.8 milionë euro.

Punimet e restaurimit erdhën pas dëmeve që u konstatuan në ndërtesë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe projekti mblodhi në fazat e para një ekspertizë të gjerë, nga ndërhyrjet e muraturës, tek muzealizimi dhe krijimi i një plani biznesi për muzeun ku strehohen mbi 3000 artefakte, pjesa më e madhe e zbuluar në Durrës.

“Nisur nga eksperienca që kam këtu [në shtetin ku jeton sot] që është pjesë e turizmit, gjëja e parë që turistët duan të ndeshin në një qytet që vizitojnë janë vlerat arkeologjike, është trashëgimia kulturore e një vendi dhe aq më shumë siç mund të na përfaqësojë muzeu arkeologjik që është dhe krenari kombëtare për të gjithë ne”, tregoi për vlerat e muzeut ish-përgjegjësi i tij, Albert Koni.

Nga renderat e ndritshëm, tek plani i ri i muzealizimit dhe i ambienteve të reja shtesë, projekti që në fazat e para ishte premtues por ndërhyrja u rrudh kryesisht në punime me karakter ndërtimor. Si rezultat ajo krijoji hapësira jo funksionale, një imitim të faqes së shkuarës të pavijoneve dhe hapësira muzeale që nuk u krijuan kurrë megjithëse u premtuan në hapat e parë. 

Aktiviteti i arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë dhe i fondit të objekteve që ata menaxhojnë tashmë prej dekadave u ngjesh në një magazinë që nuk i plotëson nevojat, ndërsa një pjesë e madhe e objekteve janë stivuar në kontejnerë.

Nga investigimi i Amforës i shtrirë në gati 4 vite, rezultoi se projekti përfundoi në ndërhyrje që janë ende larg standardeve muzeale të Bashkimit Evropian, duke krijuar një fasadë që riciklon formën e kaluar të muzeut dhe nuk ofron pavijone digjitale, kushte të ruajtjes së të gjitha artefakteve dhe hapësira të dedikuara si pjesë e kërkimit shkencor, punës laboratorike dhe aktiviteteve “ekonomike jofitimprurëse” në funksion të muzeut.

Shansi i humbur për një “kapitull të ri” 

Pas dëmeve të rënda dhe shembjeve në një pjesë të monumenteve dhe objekteve muzeale pas tërmetit të nëntorit 2019, Bashkimi Evropian i erdhi në ndihmë Shqipërisë duke krijuar programin “EU4Culture” (Bashkimi Evropian për Kulturën), me një fond prej 40 milionë eurosh dhe që ndërhyri në 23 vende të përcaktuara si trashëgimi kulturore kombëtare, e po ashtu duke mbështetur aktivitete kulturore në terren.

Në Durrës nga programi përfitoi Muzeu Etnografik “Aleksandër Moisiu”, Hamami Mesjetar, Torra Veneciane, Muzeu Arkeologjik Durrës – dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile nga qyteti dhe jashtë tij – që ngjashëm si projektet e tjera të programit u zbatuan nga UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve).

Muzeu Arkeologjik Kombëtar Durrës pas punimeve restauruese. Foto: Media Amfora
Muzeu Arkeologjik Kombëtar Durrës pas punimeve restauruese. Foto: Media Amfora

Sipas përgjigjes së UNOPS, vlerësimi i gjendjes së muzeut pas tërmetit krijoi mundësinë që ndërhyrja të zgjerohej dhe të merrte një karakter transformues, përmes një projekti me vlerë 3.8 milionë euro (360.000.000 lekë). Megjithatë, UNOPS nuk iu përgjigj pyetjes së Amforës nëse vlera e projektit u rrit gjatë zbatimit. Në tabelën e punimeve gjatë zbatimit të projektit, vlera e kontratës ishte shënuar më pak, në 348.368.610 lekë ose rreth 2.93 milionë euro sipas kursit të këmbimit të vitit 2022.

Nga ana tjetër Amfora zbuloi në një raport të “Ministrisë së Kulturës” në vitin 2020 për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, se Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk renditej në listën e objekteve me përparësi për ndërhyrje dhe në vlerësimin paraprak të buxhetit që duhej për të kryer riparimet në të, vlera ishte 4 milionë e 800 mijë lekë (rreth 39 mijë euro me kursin e kohës).

Projekti i paraqitur nga “ATELIER 4” dhe i hartuar nga arkitekti Alban Efthimi në shtator të vitit 2021, paraqiste ndërhyrjet në fasadë, punimet konstruktive, ndërtimore dhe krijimin e hapësirave të reja.

Zbatimi i tij në terren ka diferenca midis asaj që u parashikua në fillim të projektit dhe asaj që sot i është dorëzuar autoriteteve të kulturës nga UNOPS-i, aty mungojnë pavijone arkeologjike, hapësira dhe një pjesë e punimeve janë të ndryshme nga planifikimet në renderat e projektit.

Fituesit e tenderit që realizuan punimet janë bashkimi i operatorëve “2T SH.P.K” – të njohur për punimet e ndërtimit dhe që janë angazhuar ndër vite vetëm ose në partneritet në 39 tendera publikë dhe kompania ”K.A.E.XH SH.P.K” – që disponon një licensë në arkeologjinë private, restaurim dhe që është angazhuar ndër vite vetëm ose në partneritet në 13 tendera publikë.

UNOPS-i nuk shpjegoi nëse kishte pasur ndryshime arkitektonike, strukturore apo në përdorimin e hapësirave, por nga krahasimi i projektit me punimet e zbatuara në terren, Amfora zbuloi së pari se në pjesën e jashtme, në hapësirën pas muzeut punimet për ndërtimin e shkallëve të emergjencës kanë një formë krejt tjetër nga projekti i hartuar, duke krijuar një strukturë më të madhe në vëllim dhe me ndryshime të dukshme estetike.

Duke shkuar në pjesën e brendshme të muzeut, në katin përdhes apo zero, nga projekti i parashikuar në letër aty ka mbërritur vetëm tabela “Librari & Suvenire”, që njëkohësisht të dërgon në hapësirën ku mund të futesh për në “Tualet”. Hapësira mbetet e zbrazët dhe asnjë mobilim nuk i shërben nevojave të parashikuara.

Hapësira boshe e shënuar si "Librari & Suvenire". Foto: Media Amfora
Hapësira boshe e shënuar si “Librari & Suvenire”. Foto: Media Amfora

Shkallët aty pranë, të dërgojnë në katin e dytë të muzeut, aty ku supozohej që për herë të parë Durrësi do të kishte pavijonin e arkeologjisë nënujore, si një muze që numëron me mijëra artefakte nga nëntoka dhe bota nënujore.

Shiritin me mbishkrimin “Ndalohet hyrja” e kapërcejnë vetëm punonjësit e Qendrës Muzeore Durrës. E mobiluar për t’u hapur si pavijone arkeologjike shtesë, aty mungon “zemra” e arkeologjisë nënujore. Renderat e projektit paraqisnin një pavijon modern dhe tërësisht të vizualizuar, i cili ka mbetur vetëm në sirtarët e zyrave të UNOPS-it. Ekranet LED, projektimet 3D, ekspozitorët në formë akuariumi duket se i përkasin premtimeve për atë që muzeu do të ishte pas restaurimit, pasi nuk dallohen gjëkundi në terren.

Renderi i projektit për pavijonin e parashikuar për arkeologjinë nënujore, që nuk u realizua. Burimi: Faqja e "EU4Culture"
Renderi i projektit për pavijonin e parashikuar për arkeologjinë nënujore, që nuk u realizua. Burimi: Faqja e “EU4Culture”

Albert Koni punoi si përgjegjës i muzeut dhe i amfiteatrit antik deri në rënien e tërmetit të nëntorit, midis viteve 2014-2019 dhe kujton se ka pasur edhe një projekt të mëparshëm për të krijuar disa ambiente shtesë të përshtatshme për ekspozimin e atyre objekteve që qëndronin në magazinat e muzeut dhe që menaxhoheshin nga Instituti i Arkeologjisë.

“Duhet një punë bashkërenduese, shumë profesionale me specialistë të fushës që duhet të ndërmarrin këto nisma. Sigurisht që duhet një projekt madhor, nuk e di se sa të gatshme do të jenë të dy katet për të mbajtur gjithë atë aset të trashëgimisë kulturore që kemi në dispozicion në muzeun arkeologjik”, shpjegoi ai.

Duke u ngjitur edhe një kat më lart, aty ku sipas projektit do të zhvillohej “aktiviteti ekonomik”, hapësira ka mbetur ende bosh. Me një ashensor të montuar nga pas muzeut në formë panoramike që të çon direkt aty, kati i tretë pritet të shërbejë si një bar-kafe që mbetet problematike për nga forma e menaxhimit edhe për vetë faktin se parashikohet që të jetë e aksesueshme edhe nga publiku që nuk është vizitor.

“…ndërsa kati i sipërm është planifikuar për funksione ekonomike. Kati i sipërm do të jetë i aksesueshëm për të gjithë, jo vetëm për vizitorët e muzeut… Qëllimi është të afrojë vizitorët e muzeut, komunitetin lokal dhe turistët, duke krijuar një hapësirë të gjallë për ndërveprim dhe përfshirje”, shpjegoi UNOPS-i në një përgjigje për Amforën.

Nga renderat e projektit tek rezalimi, shkallët e emergjencës morën formë tjetër. Foto: Media Amfora
Nga renderat e projektit tek rezalimi, shkallët e emergjencës morën formë tjetër. Foto: Media Amfora

Pjesa e pasme është edhe më delikatja në raport me sigurinë, pasi aty janë vendosur fondet e muzeut dhe të Institutit të Arkeologjisë, të cilat edhe përmes kësaj ndërhyrjeje nuk e përmirësuan menaxhimin e tyre.

E ideuar si një projekt që do të ndihmonte edhe autoritetin menaxhues shtetëror, Qendrën Muzeore Durrës, ndërhyrja parashikonte të ndihmonte edhe në krijimin e një plani biznesi me qëllim që vetë muzeu të diversifikonte të ardhurat – përmes shërbimeve si shitja e suvenireve, publikimeve apo shërbimi i bar-kafesë së brendshme.

Ndërhyrje e rrëmujshme: “Kleitia” ilire u transformua në “Aristomena”

Projekti për rikonstruksionin e muzeut parashikonte edhe një rimuzealizim të pavijoneve, me qëllim shtimin e tyre dhe po ashtu pasurimin e informacioneve. Në vlerësimin paraprak të nevojave ekspertët konstatuan se muzeu në vitin 2020 kishte mangësi në shpjegimin e objekteve dhe të detajeve historike.

Nga analizimi i projektimit të pavijoneve në fazën para punimeve dhe të atyre që janë tashmë gati për t’u vizituar, ato janë si dy pika uji me gjendjen ekzistuese që muzeu kishtë parpara vitit 2022, duke mos krijuar asnjë vlerë të re në katin përdhes, që edhe në katin e parë ka dështuar të sjellë pavijonin e arkeologjisë nënujore digjitale.

Organizimi i nisjes së turit në muze mbetet i njëjti në katin përdhes, ai nis me prehistorinë, duke vijuar drejt antikitetit dhe një nga hapësirat ku ciceronët e muzeut ndër vite ndalonin me krenari, ishte ai i artefakteve ilire.

“Në këtë pavijon paraqitet shumë qartë karakteri ilir, mund të veçojmë këtu bustin e një gruaje ilire, ‘Kleitia’, ky lloj busti është shumë i veçantë për mënyrën e paraqitjes, së veshjes. Lidhet me kulturën zadrimore në Shkodër dhe kjo lloj velloje përdoret edhe sot nga gratë dhe vajzat e reja në këtë zonë”, shpjegonte në një intervistë për Amforën, Bledar Bica, ish-ciceroni i muzeut deri në mbylljen e tij për restaurim.

Por ajo që deri para ndërhyrjes quhej “Kleitia”, tashmë është rivendosur aty me emrin “Aristomena”. Emri “Kleitia” është i patjetërsueshëm si fakt historik sepse është gdhendur në gjoksin e bustit që ishte vendosur pranë varrit të gruas ilire me atë emër.

Majtas, busti ilir para ndërhyrjes quhej "Kleitia" dhe djathtas, pas ndërhyrjes quhet "Aristomena". Foto: Media Amfora
Majtas, busti ilir para ndërhyrjes quhej “Kleitia” (foto nga “Albanian Archaeology”) dhe djathtas, pas ndërhyrjes quhet “Aristomena”, foto: Media Amfora

Në një artikull të botuar në vitin 2020, arkeologët Neritan Ceka dhe Olgita Ceka e identifikojnë bustin funerar të Durrësit si “Kleitia Lysandrou”, duke theksuar se megjithëse ajo mban një emër dhe patronim grek, ajo paraqitet me veshje tipike ilire.

Autorët shkruajnë se nga Dyrrahu njihen tre emra funerare femrash: Euklea Lykou, Kleitia Lysandrou dhe Aristomenea, të cilat trajtohen si tre monumente të ndryshme. Sipas tyre, ato mbajnë emra grekë, por janë paraqitur me veshje ilire – kjo sepse vetë qyteti ishte ilir dhe i banuar nga ata së bashku me kolonët grekë.

Për ironi të fatit, artikulli gjendet në publikimin e akteve të konferencës arkeologjike ndërkombëtare të mbajtur Tiranë në datat 16-18 dhjetor 2019 dhe është redaktuar nga arkeologu italian Giuseppe Lepore dhe arkeologia shqiptare Belisa Muka – kjo e fundit rezulton të jetë pjesë e grupit të punës që ka realizuar projektin e muzealizimit.

Pak më tutje nga “Kleitia” ilire, gjendet vitrina e “Artemisionit”, një nga fondet më të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht më të studiuara nga ekipet ndërkombëtare të arkeologëve. E gjithë ekspozita e gjetjeve arkeologjike është rikthyer pa sjellë ndonjë risi nga gjendja që ishte përpara restaurimit.

Përshkrimet e tyre në tërësi duken gati në kufijtë e banalitetit. “Vajza të ulura të zhveshura/Kukull e ulur e zhveshur”, “Vajza të ulura të veshura/Kukull e ulur e veshur”, “Grua e ulur në fron”, janë disa nga përshkrimet e figurinave të Artemisës, duke mos arritur të kompensojnë “varfërinë” e informacionit historik, problematikë për të cilën vetë ky projekt u hartua që ta zgjidhte.

“Artemisioni i Dyrrahut” konsiderohet si një nga komplekset më të rëndësishme fetare të Durrësit antik. Tempulli i kushtohet perëndeshës Artemis dhe funksionoi për shekuj si qendër kulti, ku besimtarët depozitonin objekte prej balte me bustin e Artemisës, në shenjë adhurimi dhe falënderimi.

Për rëndësinë e saj studiuesit kanë publikuar informacione deri në Universitetin e Harvardit dhe e kanë cilësuar si një nga burimet kryesore për të kuptuar kultin e Artemisës në brigjet e Adriatikut. Por përshkrimi i parë që hasin vizitorët për të në muzeun e rikonstruktuar të Durrësit duket gati jashtë kontekstit, duke e pagëzuar figurinën prej balte me mbishkrimin “Zadrimore/Protome-bust i zhveshur”. Termi “zadrimore” i referohet tipologjisë së modelit të flokëve dhe jo identitetit apo funksionit të artefaktit, çka mund ta lërë vizitorin pa informacionin thelbësor për origjinën dhe domethënien e objektit.

Përshkrimet në vitrinën e Artemisionit. Foto: Media Amfora
Përshkrimet në vitrinën e Artemisionit. Foto: Media Amfora

UNOPS kufizoi dokumentet që Amfora kërkoi, megjithëse është një organizatë ndërkombëtare që operon si pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e pavarur nga institucionet shqiptare. Në asnjë rast ajo nuk pranoi të vendoste në dispozicion një kopje të planit të muzealizimit, të projektit arkitektonik dhe të detajeve të tjera teknike, të cilat sipas saj duheshin kërkuar tek autoritetet shqiptare, të cilave ajo ua kishte dorëzuar.

Megjithatë vetë ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në ditën e inaugurimit të muzeut, ekspozoi zinxhirin e ekspertëve të projektit të muzealizimit dhe kurimit, që rezultoi të ishte një kopje e rrëmujshme e asaj që muzeu kishte më parë.

Ai përmendi profesorë, kërkues shkencorë dhe akademikë që janë “ajka” e arkeologjisë shqiptare, puna e të cilëve duhej të sillte si rezultat rikonceptimin e pavijoneve dhe pasurimin e tyre me informacione të reja.

“Dua të shpreh mirënjohjen për të gjitha institucionet dhe individët e përfshirë në projektet e EU4Culture…si dhe autorët Iris Pojani, Lorenc Bejko, Belisa Muka dhe Luan Përzhita, dhe kuratoren Yllka Gjikopuli”, përmendi Gonxhja në fjalën e tij.

UNOPS-i shpjegoi në përgjigjen zyrtare se ekspozita muzeale u rikonceptua tërësisht dhe se nga një total prej 2854 artefaktesh që u ruajtën gjatë punimeve, më pas u rivendosën në një organizim të ri me 56 njësi ekspozimi, ku prezantohen mbi 2300 artefakte që mbulojnë periudhën nga neoliti deri në atë osmane. Sipas tyre ekspozimi i objekteve për herë të parë u zgjerua edhe në katin e parë, megjithëse pavijoni i arkeologjisë nënujore nuk u realizua sipas konceptit fillestar të prezantuar.

Restaurimi i Muzeut Arkeologjik Durrës ricikloi muzealizimin e vjetër. Foto: Media Amfora
Lart, qendra e katit zero para restaurimit dhe poshtë si një fotokopje pas restaurimit. Foto: Media Amfora

Por për ish-përgjegjësin e muzeut, Albert Koni, ai i kishte të dyja katet të pajisura me ekspozitorë artefaktesh edhe më parë, duke theksuar se një pjesë e madhe e fondit mbetej e paekspozuar dhe e vendosur në magazinat pas muzeut.

“…në ekspozimin e katit të parë [përdhes], të cilat përbëheshin prej 2412 objekte, në të cilat përfshiheshin periudha prejhistorike, arkaike, klasike dhe ajo e mesjetës. Kati i dytë [sot i quajtur si i pari] ishte mesjeta e vonë që ishte e përbërë prej 700 artefaktesh. Sigurisht që rreth 2 mijë objekte të tjera ishin në magazinat anësore të muzeut”, kujtoi ai për fazën para ndërhyrjeve në muze.

Nga ana tjetër, konceptimi i projektit arkitektonik solli krijimin e disa hapësirave dedikuar restaurimit dhe ruajtjes së objekteve arkeologjike. “Laboratori i konservimit” dhe “Gipsoteka” janë hapësirat e reja që kanë një emërtim pompoz, por që nuk përbëjnë asgjë më shumë se sa dhoma boshe që nuk ofrojnë asnjë instrument pune për proceset e restaurimit dhe ndërhyrjeve teknike në objekte.

“Përmes ndërhyrjes arkitektonike janë krijuar dhe mundësuar hapësirat për laboratorin e konservimit, gipsotekën dhe arkivin e muzeut. Megjithatë, pajisja e këtyre hapësirave me aparatura dhe mjete të specializuara konservimi nuk ka qenë pjesë e objektit të kësaj ndërhyrjeje”, shpjegoi UNOPS-i për hapësirat që edhe në të kaluarën ishin po dhoma të pakompletuara me instrumente.

E ardhmja nuk duket aspak e ndritshme për muzeun që edhe pse tentoi që të sillte si vlerë të shtuar mozaikun e njohur si “Bukuroshja e Durrësit”, ajo mund të shihet vetëm në një faqe muri të printuar. Arkat me kompensata shumëvjeçare u mbyllën sapo kryeministri Edi Rama dhe pjesëmarrësit e tjerë u larguan më 28 prill sepse montimi i mozaikut kërkon ndërhyrje të specializuar, pasi u transferua nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.

Projekti ishte konceptuar si një ndërhyrje që do të sillte edhe rrëfimin digjital, duke e çuar muzeun në një tjetër nivel të ndërveprimit përmes teknologjisë bashkëkohore. Por 4 vite pas nisjes së projektit, ajo që ka mbetur në muret e muzeut nuk është shumë e ndryshe nga e kaluara.

Pavijonet e restauruara të Muzeut Arkeologjik. Foto: Media Amfora
Pavijonet e restauruara të Muzeut Arkeologjik. Foto: Media Amfora

Audio-guidat, ekranet digjitale dhe ndërveprimi me aplikacione nuk u ofruan përmes ndërhyrjes – në një kohë kur muzeu nuk ka më pjesë as ish-ciceronin e tij dhe synon të zgjerojë aktivitetin në të trija katet, që paralelisht kërkon shtimin e burimeve njerëzore.

Për këtë tjetër dështim të projektit fillestar UNOPS-i sqaroi se kjo ndërhyrje mbetet pjesë e projekteve të radhës, që mund ta ofrojnë shërbimin e guidës me audio apo me ndërveprim digjital.

“Vendosja e tyre ishte parashikuar në konceptin fillestar të projektit, së bashku me elemente më të gjera të interpretimit digjital. Megjithatë, këto nuk mundën të realizoheshin për shkak të një kombinimi faktorësh, përfshirë disa çështje të pazgjidhura të pronësisë (tashmë të zgjidhura), si dhe kufizimet buxhetore të programit EU4Culture”, shpjegoi përgjigjja zyrtare.

Regjistrimi i pronës, “kali i betejës” për tejzgjatjen e projektit

Restaurimi i Muzeut Arkeologjik për pak u kthye në një film me seri sepse afatet për përfundimin e punimeve u shkelën herë pas here dhe sipas UNOPS-it shkak ishte fakti se muzeu nuk dispononte certifikatën e pronësisë, si një plagë e vjetër e tij.

Punimet e restaurimit nisën pranë fundit të vitit 2022, me një afat fillestar 17-mujor për përfundimin e tyre, por ai u shty disa herë dhe muzeu më i rëndësishëm arkeologjik në vend mbylli dyert për publikun për gati 4 vite.

Punimet e restaurimit përfunduan në ndërhyrje rikonstruksioni. Foto: Media Amfora
Punimet e restaurimit përfunduan në ndërhyrje rikonstruksioni. Foto: Media Amfora

Menaxhimi i projektit nga UNOPS-i nuk e lehtësoi “huqin e vjetër” që tashmë gati çdo 10 vite sjell mbylljen e muzeut për rreth 5 vite për qëllime restaurimi. Muzeu Arkeologjik i Durrësit u themelua për herë të parë në vitin 1951 pranë ndërtesës aktuale – që u inaugurua dhe u hap për publikun në vitin 2002. Më pas në vitin 2011 ai u mbyll për një rikonstruksion të plotë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe u rihap në mars të vitit 2015, për t’u mbyllur edhe për katër vite të tjera në 2022-in.

“Sipas rregullave, leja e ndërtimit nuk mund të merrej pa regjistrimin e pronës në emër të Qeverisë së Shqipërisë. Ky proces kërkoi kohë dhe përfshiu vendimmarrje në nivele të larta”, tha UNOPS-i në një përgjigje për Median Amfora.

“Ky proces zgjati 25 muaj, pasi përfshiu një sërë vendimmarrjesh në nivel të lartë dhe kërkoi bashkëpunim e koordinim të ngushtë ndërmjet të gjithë partnerëve”, vijoi përgjigja.

UNOPS-i ia hodhi përgjegjësinë vonesave në zbatimin e projektit mungesës së regjistrimit të pronës – që nga investigimi i Amforës rezulton një justifikim që nuk përkon me faktet, pavarësisht se edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mbante këtë linjë.

“Një nga çështjet kryesore që u shfaq gjatë zbatimit të projektit ishte nevoja për regjistrimin e pronës ku ndodhet godina e Muzeut në pronësi të MEKI-t, në mënyrë që të merrej leja e ndërtimit”, tha ministria në përgjigjen e saj.

Amfora zbuloi se certifikata e pronësisë në emër të “Republikës së Shqipërisë” disponohej për truallin me sipërfaqe 1724 metër katrorë të paktën që nga qershori i vitit 2023 dhe po t’i referohemi përllogaritjes së linjës zyrtare të punimeve prej 17 muajsh – ato duhej të mbaronin së paku në nëntor të vitit 2024. Ndërsa inaugurimi final u realizua gati një vit e gjysmë më pas, më 28 prill 2026. Sot muzeu i ka hapur dyert me orar të reduktuar nga mëngjesi deri në drekë dhe fundjavat qëndron i mbyllur, deri në përgatitjen e plotë nga ana e Qendrës Muzeore Durrës, që për 1 vit do ta ketë “në testim” të githë infrastrukturën e dorëzuar. Ajo tashmë prej një organikë të re me të paktën 33 punonjës, që përbën dyfishin e personelit të tanishëm për t’i shërbyer denjësisht vizitorëve.

“Ka pasur një problem për hipotekimin e territorit të muzeut, për shkak se një familje kishte një banesë në hapësirën e tij, por nuk jetonte aty”, kujtoi Albert Koni, ish-përgjegjës i sektorit të muzeut dhe amfiteatrit deri në dhjetor 2019.

“Specialistët bënë përpjekjet e nevojshme dhe me sa di unë, procesi i hipotekimit ka mbaruar në atë kohë. I gjithë territori i muzeut ka qenë i hipotekuar dhe me certifikatë pronësie, falë edhe ndërhyrjes së specialistëve të Institutit të Arkeologjisë”, kujtoi ai për sa kishte informacion deri në dhjetor 2019.

Restaurimi “kyçi” arkeologët dhe fondin arkeologjik në kontejnerë

Muzeu Arkeologjik i Durrësit përfaqësonte një rast gati unik në vend, ku muzeu nga njëra anë administrohej me fondin e tij nga Ministria e Kulturës dhe arkeologët që kryejnë studimet, së bashku me fondin kryesor të zbulimeve janë pjesë e Institutit të Arkeologjisë, që është në varësi të një tjetër ministrie, asaj të arsimit.

Me nisjen e punimeve, punonjësit e Ministrisë së Kulturës, të përfaqësuar nga Qendra Muzeore Durrës dhe “punonjësit” e Ministrisë së Arsimit, të përfaqësuar nga Instituti i Arkeologjisë përfunduan në kontejnerë për gati 4 vite, ku duhej të menaxhonin punën e tyre dhe të realizonin procesin e kërkimit shkencor.

Projekti që rezultoi të fokusohej në shkulje dritaresh dhe shqepje pllakash kërkoi zbrazjen e plotë të tij me qëllim finalizimin e ndërhyrjeve. Së bashku me to u nxorën jashtë edhe mobiljet, të cilat nga vëzhgimi i Amforës në rreth 4 vite u lanë në mëshirë të kushteve atmosferike, duke u degraduar tërësisht.

“Mobiljet dhe pajisjet e zyrave të përdorura nga arkeologët, të cilat ishin në gjendje funksionale dhe me vlerë për aktivitetin e përditshëm, janë nxjerrë jashtë në oborr…Për pasojë, ato janë dëmtuar rëndë dhe tashmë kanë dalë jashtë përdorimit, duke krijuar një tjetër mungesë të theksuar në mjetet bazë të punës për stafin shkencor”, shpjegoi Instituti i Arkeologjisë në një përgjigje zyrtare.

Së bashku me mobiljet, në diell përfundoi edhe atelieja antike e qelqit. E restauruar pas zbulimeve arkeologjike tek ish-Lulishtja 1 Maji, atelieja e qelqit të lagjes romake u konstatua për herë të fundit gjatë monitorimit gati 4-vjeçar të Amforës jashtë kushteve teknike të konservimit. Megjithëse duhej transportuar dhe ruajtur nën siglën “Fragile”, ajo u konstatua pothuajse e shkatërruar dhe e thërrmuar.

“Riparimi i objekteve dhe vendosja e tyre në ekspozitat e muzeut realizohet nga UNOPS përmes kontraktorit të tij, nën mbikëqyrjen e Qendrës Muzeore të Durrësit dhe Institutit Kombëtar të Regjistrit të Trashëgimisë Kulturore”, shpjegoi UNOPS, duke dëshmuar se i gjithë zinxhiri institucional nuk mundi ta parandalonte dëmtimin flagrant të ateliesë së qelqit.

Atelieja e qelqit gjatë ndërhyrjes rikonstruktuese. Foto: Media Amfora
Atelieja e qelqit gjatë ndërhyrjes rikonstruktuese. Foto: Media Amfora

Nga ana tjetër, UNOPS-i në përgjigjen e saj u shpreh se ka raportuar çdo 2 javë për ecurinë e punimeve tek Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, megjithëse refuzoi t’i bënte publike këto raporte dhe orientoi që t’i kërkoheshin direkt ministrisë – teksa mohoi kategorikisht të ishin dëmtuar objekte gjatë procesit të restaurimit.

“Jo. Të gjitha punimet janë kryer në përputhje të plotë me standardet e cilësisë së UNOPS-it dhe me sistemet e menaxhimit HSSE (Shëndeti, Siguria, Aspektet Sociale dhe Mjedisore), për të garantuar integritetin e sitit dhe të artefakteve të tij”, shpjegoi UNOPS-i.

Amfora dokumentoi në monitorimin e punimeve për një periudhë gati 4-vjeçare se objektet e fondit të Institutit të Arkeologjisë u transportuan edhe përmes vinçave që spostonin arkat e hapura të vendosura rrëmujshëm njëra mbi tjetrën dhe që nuk siguronin ruajtjen e objekteve brenda tyre.

Po ashtu, u konstatua se objektet qëndruan në arka të hapura shumë pranë murit rrethues të muzeut, ku perimetri ishte i pambrojtur si pasojë e punimeve në proces dhe që lehtësisht mund të kalohej nga oborri i një pallati tek fondi i Institutit të Arkeologjisë “që qëndronte në diell”.

“Projekti i rikonstruksionit dhe muzealizimit të Muzeut Kombëtar Arkeologjik Durrës ka respektuar planin e zhvendosjes të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), që nga marrja e masave për paketimin e zhvendosjen e artefakteve, sigurimin e tyre në hapësira të sigurta, si dhe ndërtimi i zonave të reja teknike në pjesën e pasme për depozitimin e artefakteve, pjesë e fondit arkeologjik të Institutit të Arkeologjisë”, shpjegoi Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

UNOPS-i tregoi se projekti ka krijuar struktura të reja për depozitimin e fondeve të objekteve arkeologjike dhe me kushte të ndryshme nga më parë – ndërsa magazina që ishte ndërtuar vitet e fundit u rrafshua gjatë punimeve për të ndërtuar një të re, teksa ajo nuk përmbush as gjysmën nevojave. Megjithatë, në magazinën e ndërtuar rishtazi rezulton e njëjta situatë si në hapësirat e brendshme të “laboratorëve të muzeut”, ku mungon infrastruktura bazë e magazinimit.

“Në hapësirën e jashtme, artefaktet që ndodheshin në depo të vjetra dhe të papërshtatshme janë zhvendosur në një hapësirë të re magazinimi të ndërtuar posaçërisht, ndërsa ato të mëdha që më parë ishin të ekspozuara në kushte atmosferike do të sistemohen nën një strukturë të re me formë kanavace pranë depozitës së re, ndërkohë që gjelbërimi dhe rregullimi i territorit përreth muzeut do të përmirësojë ndjeshëm pamjen dhe përvojën e hapësirës”, shpjegoi UNOPS-i.

Por në magazinën ku është depozituar fondi i objekteve arkeologjike rezultojnë rafte metalike të salduara pa kujdes, të tjera që janë trashëguar ndër vite, tavolina “relikte” që nga periudha e komunizmit – shumë larg fasadës së magazinës që ndërthuret me instalacione hekuri për dekorim.

Magazina e objekteve arkeologjike, e fotografuar gjatë procesit të punimeve. Foto: Media Amfora
Magazina e objekteve arkeologjike, e fotografuar gjatë procesit të punimeve. Foto: Media Amfora

Ndërsa pak më tutje, një derë tenton të mbulojë 6 kontejnerë që janë “magazina provizore” e mijëra objekteve arkeologjike, që në rast studimi kërkojnë zbrazjen e dhjetëra arkave për të gjetur të duhurën.

“Një pjesë e rëndësishme e fondit arkeologjik me karakter studimor dhe material krahasues ndodhet ende në 6 kontejnerë metalikë, të vendosur në oborrin e muzeut. Këto kontejnerë, të menduar fillimisht si zgjidhje e përkohshme, tashmë janë bërë hapësira të vetme të mundshme për ruajtjen e këtij materiali, si edhe për akomodimin e arkeologëve”, shpjegoi Instituti i Arkeologjisë.

Përmes kërkesave për të drejtë informimi, Amfora lexoi qëndrimet e Institutit të Arkeologjisë dhe dokumente të ngjashme, ku arkeologët e bërthamës së Durrësit ngritën zërin për rrezikun që fondet arkeologjike të mbeteshin pa kushte të përshtatshme ruajtjeje.

Ata kanë theksuar se problemi nuk ishte thjesht përkohësia e punimeve, por mungesa e një vizioni afatgjatë për artefaktet që vazhdojnë të zbulohen çdo vit në Durrës. Kërkesat e tyre shkuan përtej nevojave të përditshme, duke prekur vetë thelbin e ruajtjes së objekteve arkeologjike.

“Instituti i Arkeologjisë (IA), në bashkëpunim me arkeologët e angazhuar në qytetin e Durrësit dhe në dakordësi me drejtuesit e departamenteve përkatëse, ka përcjellë një sërë kërkesash dhe rekomandimesh në lidhje me nevojat imediate për ruajtjen dhe menaxhimin e materialeve arkeologjike të zbuluara në këtë qytet me rëndësi të veçantë historike”, u shpreh Instituti për Median Amfora.

Që në fillim të procesit, Instituti i Arkeologjisë ka kërkuar që të mos preken hapësirat e arkeologëve, pasi ato nuk ishin thjesht vetëm zyra, por edhe vendi ku ruheshin dhe dokumentoheshin materialet e zbuluara.

“Këto hapësira kishin një rol thelbësor në procesin e dokumentimit, studimit dhe ruajtjes së të dhënave arkeologjike”, theksoi Instituti i Arkeologjisë.

Fondi i objekteve arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë është mbyllur në kontejnerë. Foto: Media Amfora
Fondi i objekteve arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë është mbyllur në kontejnerë. Foto: Media Amfora

Përballë nevojës së përhershme për hapësira sistemimi dhe magazinimi të fondeve arkeologjike, ai ka propozuar ndërtimin e një strukture të re të posaçme, e cila do të duhej të ishte projektuar mbi bazën e kritereve të qarta dhe efikase për sistemimin e fondeve arkeologjike dhe krijimin e kushteve optimale të punës për arkeologët dhe stafin teknik ndihmës.

“Kjo ndërtesë do të siguronte ruajtjen afatgjatë dhe me standarde bashkëkohore të trashëgimisë arkeologjike, si dhe do të përmirësonte ndjeshëm eficiencën dhe cilësinë e punës kërkimore e shkencore në terren”, shpjegoi Instituti i Arkeologjisë.

Por, kërkesat e arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë në Durrës nuk u morën parasysh dhe përveç magazinës për depozitimin e objekteve edhe kontejnerët janë të tejmbushur me objekte, duke lënë rrjedhimisht pa zyra arkeologët që realizojnë kërkimin shkencor.

Për gati 4 vite puna kërkimore e arkeologëve është zhvilluar në kontejnerët metalikë, të ndarë me kalendarë për të mundësuar rotacionin midis arkeologëve, por sot as ata kontejnerë nuk gjenden më, duke lënë si kujtim vetëm kontejnerët metalikë të formatit të transportit ndërkombëtar për fondin e objekteve – tërësisht jashtë kushteve minimale të ruajtjes sipas normave të Bashkimit Evropian.

“Në dijeninë time unë mund t’ju them që vërtet nuk është aspak e duhur që objektet të lihen në kontejnerë. Uroj që kjo të jetë e përkohshme dhe të marrë një zgjidhje të përhershme në lidhje me ekspozimin e atyre objekteve. Kjo kërkon një punë unike, vërtet bashkëpunuese”, shpjegoi Albert Koni.

Pasi kaluan dy vite në kushte provizore, situata për arkeologët nuk u përmirësua, por përkundrazi, në vend që të riktheheshin në zyrat që dikur dispononin pranë muzeut arkeologjik, ato iu morën përfundimisht. Kjo lëvizje e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, pasi mori në dorëzim muzeun, i hoqi Institutit të Arkeologjisë mundësinë për të qenë i pranishëm aty ku është qendra e kërkimeve shkencore, tek fondi i objekteve të zbuluara.

“Situata ka pësuar përkeqësim së fundmi. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka marrë vendimin për të ndryshuar administrimin e ambienteve që më parë ishin në përdorim të IA, pranë muzeut”, sqaroi Instituti.

“Si alternativë, arkeologëve u janë ofruar dy kontejnerë metalikë për përdorim afatgjatë si hapësira pune. Kjo zgjidhje është e papërshtatshme dhe nuk përmbush as kushtet minimale të një ambienti profesional për punë studimore, përpunim të materialit arkeologjik, dokumentim dhe bashkëpunim me ekspertë të huaj”, sqaroi më tej Instituti.

Një nga kontejnerët ku mbahen objektet arkeologjike, e fotografuar gjatë procesit të punimeve. Foto: Media Amfora.
Një nga kontejnerët ku mbahen objektet arkeologjike, e fotografuar gjatë procesit të punimeve. Foto: Media Amfora

Në përgjigjen e saj, UNOPS-i sqaroi se projekti nuk ka parashikuar hapësira pune për arkeologët e Institutit të Arkeologjisë në Durrës, pasi ministria e tyre e varësisë, ajo e Arsimit, nuk është përfitues direkt i programit “EU4Culture”.

“Nga dizajni, mund të konfirmojmë se hapësira e re e magazinimit u ndërtua për të strehuar artefaktet e Institutit të Arkeologjisë. Përfituesi direkt i projektit ‘EU4Culture’ është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Instituti i Arkeologjisë funksionon nën mandat të institucioneve të tjera, të ndryshme nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, sqaroi zbatuesi i projektit, organizata ndërkombëtare UNOPS.

Ajo u shpreh se dëgjesa me grupet e interesit u realizua në tetor të vitit 2021 dhe pavarësisht ecejakeve të Institutit të Arkeologjisë, ai nuk arriti t’i paraprinte situatës së krijuar pas rikonstruksionit të muzeut dhe nevojës për ndarjen e ambienteve midis ministrive.

“Instituti i Arkeologjisë ka kërkuar nga MEKI që të merren masat e nevojshme për rikthimin e kushteve minimale të punës për stafin shkencor dhe për garantimin e ruajtjes me standarde profesionale të fondeve arkeologjike, në zbatim të Marrëveshjes së nënshkruar për Muzeun Arkeologjik të Durrësit”, shpjegoi Instituti në përgjigjen zyrtare për Amforën.

“Sigurisht që duhet të gjendet një zgjidhje optimale, vërtet konkrete, bazuar në lidhjet e trashëgimisë kulturore. Specialistët e Institutit të Arkeologjisë duhet të kenë një përfaqësim dinjitoz. Unë personalisht, nga ana institucionale, por edhe personale, nuk do ta hedh kurrë poshtë punën e madhe që ata kanë bërë gjatë viteve në atë institucion”, vlerësoi ish-përgjegjësi i muzeut, Albert Koni.

Programi “EU4Culture”, i menaxhuar nga UNOPS-i, u mbyll këtë qershor pas gati gjashtë vitesh zbatimi (2020–2026), duke lënë pas një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen dhe rijetësimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me rivitalizimin e 23 vendeve të trashëgimisë kulturore përmes një buxheti total prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Ndërsa projekti i zbatuar nga UNOPS-i pas tërmetit të nëntorit 2019 për restaurimin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar Durrës rezultoi të reduktohej në një ndërhyrje kryesisht me karakter ndërtimor, ndryshe nga sa premtonte në hapat e parë lidhur me muzealizimin, digjitalizimin dhe menaxhimin financiar.

Redaksia - Amfora.al

Amfora.al është një media online kushtuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në Shqipëri, me fokus në qytetin e Durrësit. Ne synojnë informimin e qytetarëve për zhvillimet mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e redaksisë së Medias Amfora.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *