Ndërtimi i “Velierës” në Durrës, mbulohet muri rrethues i qytetit

Prej pak muajsh në një nga sheshet historike të qytetit të Durrësit, po kryhen punimet për zbatimin e projektit “Veliera”, me kosto 6 milion dollarë.
Lidhur me kontrollin e punimeve nga arkeologët, ministria e Kulturës, tha për “Gazeta Shqiptare”, se “aktmarrëveshja trepalëshe është lidhur në datë 27 janar 2017, ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (IA), bashkisë Durrës dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), me objekt ‘Monitorimin arkeologjik të punimeve në kuadër të projektit ‘Zbatimi i sheshit publik para hyrjes së Portit Durrës’”.
Por tre ditë para lidhjes së kontratës, me datë 24 janar, u mbulua një pjesë e murit rrethues të qytetit, që kishte dalë në dritë nga gërmimet për ndërtimin e sheshit.


Arkeologë që prej vitesh e eksplorojnë nëntokën e Durrësit, thanë për Amfora.al në kushtet e kofidencialitetit, se ky fragment muri i mbuluar, është i njëjti me atë të mbetur ngjitur me torrën veneciane, e që lidhet me fragmentin e murit mbi të cilin është ndërtuar pallat.


Edhe pse punimet nisën në nëntor të vitit 2016-të, kontrata midis bashkisë Durrës dhe IA-së, e ASHA-s, u lidh dy muaj më pas. Aktualisht ky fragment muri është mbuluar me material çakull dhe pritet të hidhet shtresa e betonit.

Përveç fragmentit të murit, janë zbuluar edhe varre që mund t’i përkasin periudhës së mjesjetës, siç dokumentohet nga fotografia e shkrepur me datë 24 janar 2017-të. Por në mungesë të një kontrate me arkeologët, këto varre nuk dihet se ku kanë përfunduar.


Fragmenti i murit ndodhet larg vendit ku janë zbuluar muret dhe topat e periudhës së mesjetës, zbulim i cili që prej datës 4 shkurt solli pezullimin e punimeve në këtë zonë.
“Dyshohet se kemi të bëjmë me një banesë të periudhës osmane”, u shpreh për Amfora.al, kreu i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKKD), Ledion Lako, duke shtuar se zbulimi po dokumentohet dhe dosja do t’i dërgohet Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, e cila pas krijimit të një komisioni vlerësues, do të vendos se si do të veprohet me këto gjetje.

Zona ku u zbuluan muret dhe topat mesjetarë

Shkelje të tjera:

1. Në ligjin “Për trashëgiminë kultutrore”, NENI 38, shkruhet se:
“Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm”.
DRKK Durrës, bën me dije për ne se muri poshtë pallatit është monument kulture i kategorisë I. Rrjedhimisht nga kjo, të njëjtin status duhet të gëzojë edhe fragmenti i murit të mbuluar në muajin janar.

2. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave, datë 23.3.2011, Për miratimin e rregullores “Për administrimin e zonës arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit”, Neni 2, pika 3, shkruhet se;
“Vendosja e konstruksioneve të lehta, dru, xham, plastikë, metal me lartësi maksimale 3 m, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet vendosen dhe përdoren nga institucionet shtetërore të specializuara, duhet të jenë të lëvizshme dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi”.

Burimi: Interneti

Në kundërshtim me këtë përkufizim, që i referohet ndërhyrjeve në zonat arkeologjike A, tenda e velierës parashikohet të jetë rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inoks çelik, si direku i një anijeje me vela.

Gjithashtu mbi muret e banesës osmane të zbuluara ditët e fundit, janë ngulur pilota me hekur dhe beton.
Fragmenti i mbuluar i murit, lidhej me pjesën ekzistuese të tyre, të cilët u ndërtuan nga perandori bizantin Anastasi I, me origjinë nga Durrësi dhe pas dëmtimit nga tërmeti katastrofik i vitit 345, ndëryrjet u bënë nga perandori Justinian (527-565). Përgjatë mesjetës së hershme dhe të vonë, ato janë përforcuar në pjesë të ndryshme.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109