Policia e Durrësit sekuestroi një ikonë të vjedhur nga një kishë dhe arrestoi poseduesin

Policia e Durrësit njoftoi sekuestrimin e një ikone që mendohet se i përket periudhës bizantine, e cila ishte vjedhur nga një kishë dhe arrestoi poseduesin e saj.

Gjatë realizimit të operacionit policor të koduar “Ikona” një 45-vjeçari ju gjet vepra e artit që mendohet se i përket periudhës bizantine, të cilën ai dyshohet se e ka vjedhur në një kishë dhe do e shiste kundrejt parave. 

45 vjeçarit me iniciale Ç. P., që banonte në Kavajë ju gjetën edhe 12 kilogramë e 150 gramë lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa”. Ai ishte i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike dhe përvetësim të mallrave ose parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Policia njoftoi se materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Trafikimi i  lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i veprave të artit”.

Një vit më parë Policia e Durrësit arrestoi 3 persona që tentuan të trafikonin 2 objekte të periudhës së antikitetit, një basoreliev ku ishin gdhendur imazhet e 2 njerëzve dhe një enë prej qeramike.

_____________

*Foto në krye: Ikona që mendohet se i përket periudhës bizantine. Foto kortezie Policia e Durrësit