Policia zbulon përsëri objekte antike në Durrës, arreston poseduesin

Policia e Durrësit arrestoi 37 vjeçarin me iniciale D. K. që ju gjetën ndër të tjera sipas policisë disa vepra arti me vlera historike.

Ajo i zbuloi objektet pas kontrollit në një ambient në lagjen numër 15 të qytetit. Në fotot e shpërndara për median dallohen disa objekte në dukje antike, një pjesë e tyre prej qeramike dhe mermeri të gdhendur.

Policia i gjeti 37 vjeçarit edhe një sasi me lëndë narkotike “Cannabis sativa”, grirëse hashashi, krehër arme dhe municion luftarak, armë të ftohta (thikë dhe shpatë), uniforma policie me simbolet e Policisë së Shtetit, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe 14 makineta për lojëra fati. 

Ai akuzohet ndër të tjera për veprën penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, teksa ky është rasti i dytë brenda 24 orëve, pasi ditën e djeshme Policia e Durrësit njoftoi sekuestrimin e një ikone që mendohet se i përket periudhës bizantine dhe arrestoi poseduesin e saj që do e shiste kundrejt parave. Ajo dyshohet se është vjedhur nga një kishë.

Poseduesit të saj, një 45-vjeçari me banim në Kavajë ju gjetën edhe 12 kilogramë e 150 gramë lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa”. Edhe një vit më parë policia arrestoi në Durrës 3 persona që tentuan të trafikonin 2 objekte të periudhës së antikitetit.

_____________

*Foto në krye: Objektet e sekuestruara. Foto kortezie: Policia e Durrësit.