Kompleksi i termes publike romake në Durrës, i fshehur pas kangjellave

Punimet që po realizoheshin për ndërtimin e pallatit të kulturës në Durrës, pak nga pak nxorën në dritë rrënoja antike që sollën ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Në vitin 1960 mori formë gërmimi arkeologjik që zbuloi një kompleks termal që shërbente në periudhën kur qyteti i Durrësit ishte nën ndikimin romak.

I realizuar në një sipërfaqe gërmimi të kufizuar, nga nëntoka dolën harqet e furrës, muret dhe dyshemeja e ambienteve të asaj që dikur shërbente si banjë publike për qytetin. Gjurmët e monumentit tregonin se ai zgjerohej përtej sipërfaqes 700 metër katrorë, po megjithatë nuk ishte i mundur gërmimi i mëtejshëm i tij.

Referuar studimeve ndërtesa publike mendohet se u ndërtua në shekullin 2 të Erës Sonë dhe u përdor deri në shekullin 5-6 të Erës Sonë. Monumenti termal kishte në hyrje dhomën e zhveshjes, duke vijuar me atë të djersitjes dhe nën dyshemenë e saj ishin vendosur tullat në formë hipokausti, që shërbenin për kalimin e avullit të nxehtë.

Monumenti kishte si pjesë të tij edhe dhomën me ujë të ftohtë, e cila pasohej nga ambienti i një pishine dhe sot ruhet ende në sipërfaqe dyshemeja me pllaka prej mermeri bardh e zi, në formën e fushës së shahut. 

Hapësirat e monumentit duket se ruajnë me fanatizëm edhe shtresa të tjera të qytetërimit të Durrësit. Në vitin 2016 Projekti Topografia e Epidam-Dyrrahut, falë bashkëpunimit mes arkeologëve shqiptarë dhe atyre francezë zbuloi shtresa të reja arkeologjike. 

Nën zbulimet e periudhës romake dolën shtresa të periudhës më të hershme, asaj të qytetërimit helenistik. Rrënojat që datojnë në shekullin 3 përpara Erës Sonë dëshmonin për një shtëpi helenistike me dy dhoma dhe në njërën prej tyre ishte vendosur mozaik, që ishte shkatërruar më pas.

Mbi zbulimin e rëndësishëm antik u ngrit ai që sot njihet si Teatri “Aleksandër Moisiu”, duke bashkëjetuar me zbulimet arkeologjike në themelet e tij. Zbulimi që prej vitit 1973 u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe vijon ta gëzoj ende këtë status.

Përtej tabelës së dalë boje dhe me gabime drejtshkrimore, vizitorëve nuk i mbetet veçse të hedhin ndonjë shikim kureshtar pas rrethimit me kangjella të ndryshkura. Që prej vitit 2016 me ndikimin edhe të pandemisë së COVID-19 në monument nuk ka shkelur më këmbë arkeologu.

I lënë në harresë dhe pa mirëmbajtje, pjesë të dyshemesë antike kanë pësuar dëmtime nga kushtet atmosferike dhe bimësia. Dyert e monumentit qëndrojnë të mbyllura prej vitesh dhe nuk shërbejnë për informimin e publikut apo mbledhjes së të ardhurave nga vizitat, megjithëse ndodhet pranë qendrës së qytetit, bulevardit dhe monumenteve të tjera madhështore, si Forumi Bizantin.

_____________

*Foto në krye: Ambientet e termes romake të mbyllura. Foto: Media Amfora