Gazetari në Shkodër dhunohet pas publikimeve për shitje të produkteve të skaduara
Gazetari Ervin Dushi denoncoi në polici dhunën e ushtruar ndaj tij në Shkodër, duke deklaruar se sulmi lidhej me publikimet në rrjetet sociale për shitje të produkteve të skaduara në markete të qytetit. Ndërkohë, biznesmeni Prek Gjoni mohoi ta ketë dhunuar gazetarin dhe deklaroi se ishte shantazhuar përmes publikimeve në internet, ndërsa rasti u dënua edhe nga organizatat në mbrojtje të gazetarëve.
Gazetari Ervin Dushi pas denoncimit të dhunës së ushtruar. Foto: “Screenshot” nga video e postuar në rrjetet sociale.
Të hënën në mbrëmje, gazetari i lirë Ervin Dushi deklaroi se u dhunua në Shkodër nga biznesmeni Prek Gjoni dhe tre persona të tjerë, pak orë pasi kishte publikuar video në rrjetet sociale ku denonconte tregtimin e produkteve të skaduara në markete të qytetit.
“E gjithë goditja erdhi si shkak i detyrës si gazetar, sepse unë me profesion jam gazetar i lirë si në Suedi ku banoj dhe në Shqipëri”, tha Dushi gjatë një videoje ku paraqitet me plagë dhune në fytyrë pas denoncimit në polici.
Ai rrëfeu se dhuna ndodhi pas takimit me pronarin e rrjetit të marketeve “Xhedis” që ishte paraqitur fillimisht si një sqarim lidhur me materialet që kishte publikuar në internet dhe që, sipas tij, ishte kërkuar nga vetë pronari i supermarketit.
“Ditën e sotme kam publikuar në rrjetet e mia sociale një video ku kam denoncuar se në supermarketet e Shkodrës ka produkte të skaduara. Kjo goditje sonte ishte një mënyrë për të na bërë të heshtim”, tha Dushi.
Sipas gazetarit, në vendngjarje ndodheshin katër persona dhe tre prej tyre ushtruan dhunë fizike ndaj tij, ndërsa ai pretendon se kishte shkuar në takim në mënyrë paqësore. Dushi njihet si gazetar i lirë dhe prej vitesh jeton mes Shqipërisë dhe Suedisë, ndërsa më herët ka qenë bashkëpunëtor në një emision investigativ.
Pas denoncimit publik të gazetarit reagoi edhe biznesmeni Prek Gjoni, pronar i rrjetit të marketeve “Xhe-Dis”, i cili mohoi ta ketë dhunuar gazetarin dhe deklaroi se ishte shantazhuar përmes publikimeve në internet. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” në televizionin “News24”, ai deklaroi se kishte njoftuar më herët policinë dhe institucionet përkatëse për situatën.
“Ky Ervini ka 25 orë që më ka shantazhuar në rrjetet sociale. Ai kërkoi të më takonte. Nuk e kam goditur. Është rrëzuar. E kam shtyrë, me thënë të drejtën”, tha ai në emision.
Biznesmeni deklaroi gjithashtu se akuzat për shitje të produkteve të skaduara nuk qëndrojnë dhe se është i gatshëm të përballet me hetimet. Ai mohoi që ngjarja të kishte lidhje me intimidimin e gazetarit për shkak të profesionit të tij.
“Nëse ka prova, 100 vjet burg të më dënojnë mua”, tha ai.
Ndërkohë, Policia e Shtetit bëri me dije se ka identifikuar një prej personave të përfshirë në konflikt, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Për rastin reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili e cilësoi ngjarjen si një agresion ndaj gazetarisë dhe kërkoi reagim nga institucionet ligjzbatuese.
“Goditjet në grup mbi gazetarin Dushi janë akt i pastër kriminal dhe meritojnë ndëshkim ligjor”, shkroi unioni në një deklaratë për shtyp pas ngjarjes.
UGSH deklaroi se dhuna ndaj gazetarit vjen pas raportimeve të tij për produkte të skaduara dhe kërkoi masa për garantimin e sigurisë së gazetarit dhe familjarëve të tij, duke e konsideruar rastin një kërcënim serioz ndaj raportimit të lirë.
“Kjo dhunë mbi reporterin vjen pas raportimeve kurajoze prej tij në media dhe në internet, ku vihen në dukje abuzime me cilësinë dhe afatet e skadencës së produkteve ushqimore”, shkroi më tej unioni.
Rasti po hetohet nga autoritetet në Shkodër, ndërsa ngjarja ka nxitur reagime në komunitetin e gazetarëve dhe në rrjetet sociale.