Qendra Amfora kërkon transparencë dhe auditim për projektin TID Durrës
Qendra Amfora i ka nisur një deklaratë publike institucioneve qendrore dhe lokale ku kërkon transparencë institucionale, auditim të pavarur procedural dhe publikim të dokumentacionit për projektin TID Durrës, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në trashëgiminë kulturore.
Paneli i forumit publik për projektin TID Durrës. Foto: Media Amfora
Me një deklaratë publike të nisur më 18 maj drejt institucioneve qendrore dhe lokale, Qendra Amfora ka kërkuar transparencë institucionale, auditim të pavarur procedural dhe pezullim të ndërhyrjeve të pakthyeshme për projektin TID Durrës, pas shqetësimeve të ngritura gjatë forumit qytetar të zhvilluar prej saj më 28 shkurt mbi ndikimin e projektit në trashëgiminë kulturore dhe zonën historike të qytetit.
“Deklarata i është nisur Presidencës, Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë, Bashkisë Durrës, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, si dhe institucioneve të tjera qendrore e lokale, përfshirë për dijeni edhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)”, shkruhet në përmbajtjen e deklaratës.
Deklarata është firmosur nga drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri, ekspertët arkitektë dhe urbanistë Entela Koja-Spahivogli dhe Artan Kacani, ndërsa në përmbajtjen e saj kërkohet transparencë e plotë dokumentare, auditim i pavarur procedural dhe mbrojtje e trashëgimisë kulturore në zonën historike të Durrësit.
“Pezullimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje të pakthyeshme në zonën historike të Durrësit deri në përfundimin e procesit të verifikimit procedural, transparencës dokumentare dhe vlerësimit të pavarur profesional”, shkruhet në deklaratë.
Deklarata vjen pas forumit qytetar të organizuar nga Qendra Amfora më 28 shkurt në Durrës, ku ekspertë të urbanistikës, trashëgimisë kulturore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë diskutuan ndikimin e projektit TID Durrës në zonën historike të qytetit. Forumi u zhvillua me synimin për të nxitur transparencën publike, debatin profesional dhe përfshirjen qytetare në vendimmarrjet që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin urban.
Në deklaratë kërkohet gjithashtu rritje e transparencës institucionale dhe përfshirje e ekspertëve të pavarur e qytetarëve në proceset vendimmarrëse që lidhen me projektin TID.
“Garantimin e aksesit publik mbi dokumentacionin teknik dhe procedurat vendimmarrëse që lidhen me projektin TID Durrës, si dhe përfshirjen e ekspertizës së pavarur dhe konsultimit qytetar në çdo ndërhyrje që prek trashëgiminë kulturore dhe identitetin historik të qytetit”, shkruhet më tej në deklaratë.
Në deklaratë shpjegohet se shqetësimet e ngritura gjatë forumit qytetar e kanë bërë të nevojshëm reagimin publik dhe institucional të Qendrës Amfora ndaj projektit TID Durrës, për shkak të mungesës së transparencës dhe paqartësive mbi procedurat që prekin zonën historike të qytetit. Ekspertët e përfshirë në deklaratë ngrenë shqetësime për ndërhyrje që mund të cenojnë trashëgiminë kulturore, identitetin urban dhe integritetin historik të Lagjes “Kala”, duke theksuar nevojën për verifikim të pavarur profesional dhe respektim të standardeve të mbrojtjes së trashëgimisë. Në deklaratë theksohet se çdo ndërhyrje në zonat historike duhet të garantojë mbrojtjen e interesit publik, memories urbane dhe identitetit kulturor të qytetit.
Projekti TID Durrës po realizohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia Durrës, si pjesë e një ndërhyrjeje urbane dhe kulturore në zonën historike të qytetit. Projekti synon restaurimin e trashëgimisë kulturore, rikualifikimin urban dhe zhvillimin turistik të zonës historike, por prej rreth nëntë muajsh është kundërshtuar me protesta nga një pjesë e banorëve të lagjes “Kala”, të cilët kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence, procesin e konsultimit publik dhe ndërhyrjet që prekin banesat e tyre dhe identitetin historik të zonës.
Në deklaratë theksohet se Qendra Amfora do të vijojë ndjekjen publike dhe institucionale të projektit TID Durrës përmes monitorimit, angazhimit qytetar dhe bashkëpunimit me ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore dhe urbanistikës. Dokumenti thekson gjithashtu nevojën për dialog institucional, transparencë të vazhdueshme dhe përfshirje të komunitetit lokal në çdo proces vendimmarrës që prek zonën historike dhe identitetin urban të Durrësit, duke kërkuar që çdo ndërhyrje të mbështetet në standarde profesionale dhe ekspertizë të pavarur.