Pa Teatrin Kombëtar: Aty ku dikur ngrihej skena, vijon kantieri

Gjashtë vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, një nga ngjarjet më të debatueshme të historisë urbane të Tiranës mbetet ende e hapur mes kujtesës së protestës dhe kantierit të teatrit të ri. Nga godina që u shemb në agimin e 17 majit 2020, sot ka mbetur një boshllëk që vazhdon të ndajë artistë, aktivistë dhe politikën.

Ishte sërish e diel, 17 maji i 2026-s, gjashtë vite nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës, një ndërhyrje që, pas më shumë se dy vitesh protesta nga artistë, aktivistë dhe qytetarë, u kthye në një nga ngjarjet më të debatueshme të historisë urbane dhe kulturore të vendit.

“Gjashtë vjet pas, ngjarja e shembjes së Teatrit kujtohet jo vetëm si rrëzimi i një ndërtese historike, por si shkatërrimi i një hapësire demokratike, ku protesta ishte njëkohësisht qendra dhe boshti i saj”, tha Doriana Musai, arkitekte, urbaniste dhe aktiviste.

Për Musain, historia e Teatrit nuk lidhet vetëm me shembjen e një godine, por me mënyrën se si pushteti politik dhe ai ekonomik ndikojnë mbi hapësirën publike dhe qytetare në Tiranë.

“Në një shoqëri më të shtypur, e cila e përjeton hapësirën publike të pushtuar, herë nga kullat, herë nga presioni i politikës, Teatri na kujton se këto dy pushtete – ai ekonomik dhe ai politik – kur bashkohen dhe qëndrojnë në të njëjtin krah, mund të shtypin fjalën e lirë dhe iniciativat demokratike të shoqërisë”, tha ajo për Median Amfora.

Në agimin e 17 majit 2020, ndërsa Tirana ishte ende nën kufizimet e pandemisë, godina e Teatrit Kombëtar u rrethua nga forca të shumta policie dhe u shemb brenda pak orësh. Ndërhyrja erdhi pas më shumë se dy vitesh protesta dhe rezistence nga artistë, aktivistë dhe qytetarë që kundërshtonin prishjen e godinës historike.

Pamjet e fadromave në oborrin e teatrit dhe largimi me forcë i protestuesve shkaktuan reagime të forta publike dhe politike, duke e kthyer shembjen e Teatrit në një nga ngjarjet më të debatueshme të historisë urbane dhe kulturore të vendit.

Debati për Teatrin Kombëtar nisi publikisht në vitin 2018, kur qeveria prezantoi planin për ndërtimin e një godine të re teatrore përmes një partneriteti publik-privat. Projekti hasi menjëherë kundërshti nga artistë, arkitektë dhe aktivistë, të cilët argumentonin se godina ekzistuese mbante vlera historike, arkitekturore dhe kulturore për qytetin.

Përplasja nuk lidhej vetëm me teatrin. Një pjesë e debatit u zhvendos edhe te zhvillimi urban i zonës dhe projektet për ndërtimet e larta pranë territorit të tij, ndërsa kundërshtarët akuzonin qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se shembja po bëhej për interesa ndërtimi dhe jo për nevoja kulturore. Nga ana tjetër, institucionet argumentonin se godina ishte e amortizuar dhe se kryeqyteti kishte nevojë për një teatër të ri modern.

Gjashtë vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, aktivistët e protestës e kujtojnë rezistencën si një nga momentet më të forta të angazhimit qytetar në Shqipëri, edhe pse ajo nuk arriti të ndalte prishjen e godinës.

“Protesta për Teatrin nuk arriti ta realizonte qëllimin e vet, por secilit prej njerëzve të angazhuar iu lartësoi dinjitetin. Kjo, mendoj, është vlera më e madhe që mund të marrim sot nga ajo protestë”, tha Doriana Musai.

Në korrik 2019 pati një tentativë të parë për ndërhyrje nga policia, e cila u ndal pas rezistencës së artistëve dhe aktivistëve. Prej asaj kohe, godina e Teatrit u mbajt nën ruajtje 24 orë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa oborri i saj u kthye në një hapësirë proteste, diskutimesh publike dhe aktivitetesh artistike.

Përplasja politike u thellua edhe më tej pasi Presidenti Ilir Meta e ktheu dy herë ligjin për Teatrin në Parlament dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se procedurat ishin antikushtetuese.

Më 14 maj 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi prishjen e godinës, ndërsa vetëm tre ditë më pas nisi operacioni për shembjen e saj. E ndërtuar gjatë periudhës italiane dhe e konsideruar një shembull i arkitekturës moderne të viteve ’30, godina e Teatrit Kombëtar ishte për dekada një nga qendrat kryesore të jetës kulturore shqiptare.

Por përtej arkitekturës, Teatri u kthye në simbol të rezistencës qytetare. Protesta për mbrojtjen e tij bashkoi artistë, aktivistë, arkitektë dhe qytetarë për më shumë se dy vite. Teatri Kombëtar nuk përfaqësonte vetëm një godinë historike, por një pjesë të memories kulturore dhe qytetare të Tiranës.

Godina e Teatrit Kombëtar përpara shembjes. Foto: Media Amfora

Studiuesi Aurel Plasari e ka cilësuar godinën e Teatrit Kombëtar si një “monument shumëfish historik”, duke argumentuar se kompleksi kishte rëndësi jo vetëm për historinë e teatrit shqiptar, por edhe për jetën kulturore, politike dhe albanologjike të vendit. Në një shkrim të publikuar në vitin 2018, ai kujton se në atë hapësirë janë organizuar shfaqje teatrore, koncerte, aktivitete të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe ngjarje të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

Pak javë para shembjes, organizata evropiane “Europa Nostra” e përfshiu Teatrin Kombëtar në listën e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë, duke kërkuar ruajtjen dhe restaurimin e godinës.

Një teatër ende në kantier

Gjashtë vite pas shembjes së godinës historike, në qendër të kryeqytetit vijojnë punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Projekti po realizohet mbi truallin ku ndodhej godina e vjetër dhe është konceptuar nga studio daneze BIG, e drejtuar nga arkitekti Bjarke Ingels.

Punimet nisën zyrtarisht në dhjetor 2022, më shumë se dy vite pas shembjes së Teatrit. Ndërtimi po realizohet nga kompanitë “AGIKONS” dhe “Re-Is”, ndërsa sipas të dhënave të tenderit kostoja e projektit arrin në rreth 1.84 miliardë lekë.

Në një postim të publikuar më 26 dhjetor 2025, kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti kishte hyrë në “fazën e realizimit ndërtimor” pas përfundimit të ndërhyrjeve nëntokësore dhe themeleve, ndërsa e cilësoi godinën si një “hapësirë ikonike për artin dhe kulturën”.

Edhe pse autoritetet kanë deklaruar se struktura kryesore e godinës pritej të përfundonte gjatë vitit 2025, punimet vijojnë ende edhe në vitin 2026.

Ndërsa në faqet zyrtare “AGIKONS” dhe studio daneze BIG e përshkruajnë Teatrin e ri Kombëtar si “një monument të ri për kulturën shqiptare” dhe “një epokë të re për artin dhe qytetin”, Tirana vijon të mbetet prej gjashtë vitesh pa një godinë funksionale teatrore në qendër të saj.

“Në këto gjashtë vite pa Teatër, qyteti është më i trishtuar dhe më i pashpresë, pasi 17 maji i vitit 2020 shënon një moment të dhunimit të protestës dhe të fshirjes nga territori të shpresës për një shoqëri demokratike”, përfundoi Doriana Musai.

Përtej protestave dhe përplasjes politike, debati për Teatrin Kombëtar krijoi ndasi edhe brenda vetë komunitetit artistik, duke mbetur ende i hapur gjashtë vite pas shembjes së godinës dhe ndërsa Tirana vijon të presë përfundimin e punimeve të Teatrit të ri.