Europa Nostra bën thirrje urgjente për zbatimin e projektit rehabilitues për Urën e Zogut
Me anë të një njoftimi për shtyp këtë të hënë, ekspertët e organizatës Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europianë të Investimeve, theksuan nevojën urgjente për stabilizimin dhe rehabilitimin e Urës së Zogut mbi Lumin Mat, renditur ndër 7 sitet më të rrezkuara në Europë për vitin 2022.
Çdo ditë që kalon duket se është në disfavor të Urës së Zogut, që ndonëse është një strukturë e me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare për karakteristikat e saj, ajo vijon të jetë në rrezik shembje.
Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë u përfshi në listën e 7 siteve më të rrezikuara në Europë në mars 2022, por gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë dramatike pas përmbytjeve në fund të vitit që lamë pas.
Përfaqësuesit e organizatës për mbrojtjen të trashëgimisë kulturore në Europë kërkojnë që projekti teknik të vihet menjëherë në zbatim nga autoritetet shqiptare, për të shpëtuar urën që u hap në vitin 1927, me gjashtë harqe në beton të armuar dhe me dizajn inovativ për kohën.
“Ky është një projekt rehabilitimi i vlefshëm dhe sfidues, i cili duhet të zbatohet urgjentisht për të shpëtuar urën emblematike të Zogut nga shembja”, shkruhet në raport.
Alarmi për shembjen e urës u dha në vitin 2020 nga aktivistët e Qendrës Rinore Sebastia, pasi njëra këmbë çedoi dhe përsoi zhytje në shtratin e Lumit Mat.
Më herët gjatë vizitës së tyre në Shqipëri për këtë çështje, Pedro Ponce de Leon, arkitekt dhe anëtar i Këshillit të Europa Nostra dhe Peter Bond, Konsulent Teknik i ofruar nga Instituti BEI, vizituan Urën e Zogut.
Ata patën takime me aktorët kryesorë, duke përfshirë Ministrinë e Kulturës, Ekipin Teknik të Universitetit Politeknik të Tiranës, Shoqatën Shqiptare të Inxhinierëve Konsulent, Drejtorinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Shoqatën Sebastia.
Sipas raportit teknik të hartuar marrëveshjet dhe propozimet e fundit për të arritur këtë deri më tani kanë qenë të shëndosha, por sfida të mëdha mbeten në përcaktimin dhe përfundimin e punimeve në kohë.
“Njëqindvjetori i hapjes së urës është në vitin 2027 dhe ky mund të jetë një objektiv i përshtatshëm për rehabilitimin e plotë të saj”, theksoi deklarata për shtyp.
Më herët Media Amfora në bashkëpunim me Qendrën “EDEN” përmes “Gazetarisë së Zgjidhjeve” publikoi disa ndërhyrje mjedisore për shpëtimin e veprës inxhinierike unike për Shqipërinë e viteve ‘20 dhe që shënoi bashkimin rrugor të veriut të vendit me zonat e tjera.