Dëmtimi kritik i Urës së Zogut: Ekspertët e “Europa Nostra” inspektojnë monumentin

Ekspertët e Organizatës “Europa Nostra” inspektuan  Monumentin e Kulturës të Kategorisë së Parë, “Ura e Zogut” dhe njoftuan vijimin e analizës, për të dalë në rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.

“Ura e Zogut” Monument i Kulture i Kategorisë së Parë prej disa vitesh është në gjendje kritike, duke rrezikuar shembjen dhe së fundmi përmes advokimit të aktivistëve ajo po sillet në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse shqiptare dhe të atyre ndërkombëtare.

Ditën e martë mbërritën ekspertëve e organizatës europiane “Europa Nostra”, që advokon dhe lobon për mbrojtjen e monumenteve në rrezik.  Ajo e cila e vlerësoi urën si një nga 7 monumetet më të rrezikuara në Europë për vitin 2022.

“Është vizita jonë e parë për tu njohur me gjendjen e urës dhe duhet shumë punë për të shpëtuar këtë infrastrukturë të bukur”, tregoi në daljen për median pranë urës, Pedro Ponce de León, arkitekti që përfaqësonte Organizatën “Europa Nostra”.

“Në fund të studimit dhe të rezultateve të inspektimit, do të kemi një takim me Ministrinë e Kulturës për të gjetur mundësi për mos shembjen e saj, e më pas për restaurimin e këtij monumenti kulture”, shtoi Ponce de León.

Ai shoqërohej edhe nga Peter Bond, konsulent teknik i kontraktuar nga Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve, arkitektja shqiptare, Lida Miraj, inxhinierët Markel Baballëku, Emiliano Qose dhe Vladimir Koka. 

Alarmi për shembjen e urës u dha në vitin 2020 nga aktivistët e Qendrës Rinore Sebastia, pasi njëra këmbë çedoi dhe përsoi zhytje në shtratin e Lumit Mat.

“Misioni [Europa Nostra] ka nisur me një vizitë në terren tek Ura e Zogut, për të vijuar më pas me nje takim me aktivistët e Organizatës Sebastia dhe me komunitetin”, komentoi Emarilda Leti,  aktiviste.

“Për momentin ekspertët po vlerësojnë të gjithë elementet e situatës, për të arritur më vonë në konkluzione dhe propozime konkrete”, shtoi Leti për Median Amfora, aktiviste në Qendrën Rinore Sebastia.  

Ekspertët e Organizatës “Europa Nostra” gjatë takimit në Qendrën Rinore Sebastia. Foto: Laurin Sana

“Ura e Zogut” konsiderohet kryevepër e inxhinierisë civile e fillimit të shekullit ’20 në Ballkan. U ndërtua në vitin 1927 në veri të Shqipërisë dhe lidhte dy anët e Lumit Mat përmes arkitekturës fine me harqe çeliku.  

Gjatë ditëve në vijim ekspertët do të takohen edhe me përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Ministrisë së Kulturës, Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Fakultetin e Inxhinierisë dhe përfaqësues të Bashkimit Europian në Tiranë.

Aktivizimi për Urën e Zogut, ka nisur gati tre vite më parë me kërkesa, peticione, protesta dhe aktivitete, për të mbërritur deri tek organizata europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Diçka ka filluar të lëvizi. Jemi të lumtur që pjesa më e madhe e institucioneve janë shprehur pozitiv për misionin. Shumë inxhinierë shqiptarë janë përfshirë”, përfundon Emarilda Leti.

Media Amfora ka raportuar më herët për problemet me të cilat po përballet ura dhe me zgjidhje konkrete mjedisore, të propozuara në bashkëpunim me Qendrën EDEN, për të parandaluar shkatërrimin e monumentit të kulturës.

Shkaktarët kryesorë të rrënimit të urës janë përcaktuar kompanitë private që gërryejnë shtratin e lumit për të marrë zhavorrin që përdoret si lëndë e parë ndërtimi, duke ulur thellësinë e shtratit dhe duke i shtuar shpejtësinë rrjedhës së ujit.