“Shkollat e Shekullit 21”, programi për angazhimin e nxënësve në përdorimin e pajisjeve mikrobit

Nxënës të shkollave fillore nga disa qarqe të vendit demonstruan se si mund të zgjidhen problemet në komunitetet e tyre duke përdorur pajisje mikrobit, gjatë së cilës u shpall fituese shkolla “1 Qershori” nga Kukësi. Ato ishin pjesë e konkursit “Sfida e Kodimit”, organizuar nga Këshilli Britanik.

Nxënës nga shkollat ​​fillore nga Vlora, Lezha, Elbasani, Durrësi, Korça, Tirana dhe Kukësi patën mundësinë të demonstrojnë se si zgjidhen problemet në komunitetet e tyre duke përdorur pajisje mikrobit.

Ata u angazhuan në konkursin “Sfida e Kodimit”, organizuar nga Këshilli Britanik si pjesë e programit “21st Century Schools” (“Shkollat e Shekullit 21”), mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ambasada Britanike në Tiranë.

Juria e përbërë nga tre anëtarë përzgjodhi tri projektet më të mira nga dhjetë ekipet pjesëmarrëse, mes të cilave fituese u zgjodh shkolla “1 Qershori” nga Kukësi.

Shkolla “Qemal Haxhihasani” nga Elbasani u rendit e dyta me projektin “Matja e diferencës potenciale”, Shkolla “Ismail Qemali” në Vlorë u rendit e treta me projektin “Përllogaritësi i Kostos së Energjisë Eletrike në Shqipëri” dhe çmimi për fushën “Inovatorët e Rinj” shkoi për Shkollën Marie KaçulininëDurrës, për projektin “Future House”.

Në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve morën pjesë përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

Ata theksuan edhe njëherë rëndësinë e programeve të tilla, si “Shkollat e Shekullit 21”, të cilat i japin mundësinë të gjithë fëmijëve të marrin dije të përgjithshme dhe të shprehin plotësisht talentet e tyre, të mbështetur nga mësuesit e tyre.

Fëmijët nga klasa e parë e deri në klasën e katërt treguan kreativitet dhe përkushtim në planifikimin dhe zbatimin e projekteve inovative me ndihmën e mësuesve të tyre. Juria vlerësoi ekipet për përfshirjen e informacionit, dhe përdorimin e aftësive dhe kreativitetit të sapo mësuar në zgjidhjet që ata kërkojnë për të ndihmuar komunitetet e tyre në tejkalimin e problemeve që hasin gjatë pëditshmërisë së tyre.


Tryeza e rrumbullakët e organizuar në Tiranë për zhvillimin e Aftësive Digjitale dhe CTPS në sistemin arsimor. Foto: Këshilli Britanik

Në tryezën e rrumbullakët organizuar në Tiranë, fokusi kryesor u vendos në zhvillimin e Aftësive Digjitale dhe CTPS në sistemin arsimor në Shqipëri, nëpërmjet zhvillimit profesional të mësuesve.

Qëllimi i panelit ishte të ndante dhe të diskutonte përvojat pozitive me të gjithë aktorët e arsimit për promovimin e zhvillimit të aftësive digjitale përmes zhvillimit të aftësive të të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve (CTPS) në procesin mësimor, si edhe në vijimin e bashkëpunimit për sfidat dhe tejkalimin e tyre së bashku.

Në emër të Këshillit Britanik (British Council), menaxherja e programit për Ballkanin Perëndimor, Stela Durutovic, foli për prioritetet në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të programit në promovimin e aftësive kritike, të zgjidhjes së problemeve dhe aftësive koduese të programit.

Në deklaratën për mediat shpërndarë nga Këshilli Britanik, shpjegohet se ky është programi arsimor më i madh i Ballkanit Perëndimor, që përfshin të gjitha shkollat fillore, më shumë se 4000 drejtorë shkollash, 18.000 mësues dhe përafërsisht 1 milion fëmijë.

Gjatë programit u shpërndanë në shkolla më shumë se 100.000 mikrobit, kompjutera xhepi dhe është një nga investimet më të mëdha në sektorin e arsimit në 10 vitet e fundit. Programi i cili filloi në tetor 2018, përfundoi në maj 2022, me një buxhet investimi 10 milion paund.

Një sukses shumë i madh në nivel kombëtar në Shqipëri u arrit nëpërmjet publikimit të platformës “Self-Pace Moodle“ për zhvillimin profesional të mësuesve, një platfomë në internet e akredituar për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve, e para në llojin e saj në Shqipëri, e cila u prezantua nga Dorina Rapti, Drejtoreshë e Kurrikules dhe Departamentit të Kualifikimit të Mësuesve në ASCAP.

Punimet e nxënësve me pajisje mikrobit. Foto: Këshilli Britanik

Shkollat e Shekullit 21 është një program rajonal i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i hartuar dhe i zbatuar nga Këshilli Britanik.

Qëllimi i programit është të përmirësojë shkrimin dhe leximin digjital, të menduarit kritik, aftësinë e të zgjidhurit të problemeve dhe programimin tek fëmijët e moshës 10 deri në 15 vjeç në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu programi synon të krijojë një ambient edukativ, i cili inkurajon studentët të jenë inovativ, të aftë për të përdorur potencialin  për  teknologjitë e reja në punët e tyre të ardhshme dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit.