Një tjetër urë monument “viktimë” e përmbytjeve, Ura e Bahçallëkut u harrua nga autoritetet

Përmbytjet e kësaj jave në Qarkun Shkodër lanë pas një “viktimë” nga Monumentet e Kulturës, rreth 60 metra të Urës së Bahçallëkut u morën përpara nga vërshimi i lumenjve Drin dhe Kir. Rrënimi i urës nga përmbytjet është një rast i përsëritur në Shqipëri dhe tregues i punës së institucioneve të kulturës për ndërhyrjet mbrojtëse.

Ura e Bahçallëkut në hyrje të qytetit të Shkodrës u ndërtua në shekullin XVIII dhe mori pamjen e sotme në vitin 191, kur forcat xhenio të ushtrisë Austro-Hungareze e ringritën urën me profile metalike mbi themelet e vjetra.

“Mbrëmjen e 22 nëntorit ura e vjetër e Bahçallëkut u dorëzua pas vërshimit të rrëmbyeshëm të lumenjve Kir dhe Drin”, kujton për Median Amfora, Emi Kalaja.

Për gazetaren Kalaja ura përfaqësonte një simbol të qytetit dhe rrënimi i një pjesë të saj ka sjellë zemërimin e opinionit publik në Shkodër. Nga matjet satelitore ura ka një gjatësi rreth 150 metra dhe pas shembjes së një pjese të saj pas vërshimit të lumenjve sot kanë mbetur rreth 90 metra.

“Ura e vjetër, për shkak se në të nuk ishin bërë asnjëherë studime mbi qëndrueshmërinë e saj, por dhe në mungesë të ndërhyrjeve përforëcuese të këmbëve, çedoi pikërisht tek kjo pjesë e ndodhur nën presionin e ujit”, komentoi shembjen drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Besara Podgorica.

Sipas saj ndërhyrjet në rrjetin hidrik, me ndërtimin e veprave të prodhimit të energjisë elektrike dhe projekteve të ngjashme kanë vështirësuar qëndrueshmërinë e monumentit.

“Sot rrjeti hidrik ka ndryshuar shumë referuar periudhës kur ura funksiononte. Sot këmbët e saj përballojnë kaskadën e plotë të Drinit dhe lumin malor të Kirit, që ka pikëtakimi në afërsi”, shtoi Podgorica për Median Amfora.

Ura e Bahçallëkut u përfshi në listën e Monumenteve të Kulturës në vitin 2010 dhe u vlerësua në Kategorinë e Dytë. Mungesa e ndërhyrjeve meremetuese nuk arriti të plotësonte mangësitë e monumentit, i cili ishte plaçkitur herë pas herë për t’i shitur elementët metalik.

“Ajo që mendohet të jetë bërë shkak është fakti që pjesë të kësaj ure janë vjedhur vazhdimisht, ndërsa presioni i madh i ujit e ka gjetur atë të lodhur dhe pa stabilitet pas vërshimeve të rrëmbyeshme të gjithë viteve të fundit”, komentoi gazetarja nga Shkodra, Emi Kalaja.

“Patjetër ndikim ka edhe harresa dhe mos vënia dorë tek ky monument tashmë prej dekadash”, shtoi Kalaja.

“Në kohën kur ky objekt inxhinierik mori statusin monument kulture, shumë element konstruktiv të saj, si prej hekuri dhe druri, kishin humbur ndërkohë. Kryesisht gjatë vitit’ 97, të vjedhura për skrap”, vlerësoi gjendjen e monumentit drejtoresha e DRTK Shkodër.

Ura e Bahçallëkut pas përmbytjes së 22 nëntorit 2022. Foto: Gerti Çaku

Ajo u ndërtua me gur në vitin 1773 nga Vezirët Bushatllij dhe kishte 5 harqe. Në vitin 1880 ura u shemb nga vërshimet e ujërave, duke ruajtur themelet mbi të cilat u ndërtua ura metalike që shihet sot.

Ura metalike i shërbeu shkodranëve deri në vitin 1971, kur përfundoi HEC-i Vau i Dejës dhe u ndërtua ura e re përbri saj. Ura e Bahçallëkut mbeti në këmbë si pjesë e memories kolektive dhe trashëgimisë materiale, si vepra e dytë inxhinierike prej hekuri e ndërtuar në Shqipëri pas asaj mbi Lumin Buna.

“Në korrik të këtij viti Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, thanë se kjo urë kishte nevojë emergjente për ndërhyrje dhe se përmes një projekti ajo do të shndërrohej në një atraksion kulturor për kalimtarët”, kujton gazetarja Emi Kalaja.

“Por tashmë që gjysma e saj ka përfunduar nën ujë, vështirë se ky projekt mund të realizohet”, përfundoi ajo.

Ky nuk është rasti i parë kur urat monument kulture rrënohen nga përmbytjet e ujit dhe ekspozohet puna e institucioneve të kulturës për mirëmbajtjen dhe meremetimin e tyre.

Në shkurt të vitit 2018 Monumenti i Kulturës i Kategorisë I, Ura e Gurit të Hoshtevës në Gjirokastër, u rrënua plotësisht nga përmbytjet e atyre ditëve. Megjithëse ekspertët dhe banorët e kishin paralajmëruar ngjarjen, nuk u morën masat parandaluese.

Ministrja e kulturës e kohës, Mirela Kumbaro, premtoi rindërtimin e monumentit dhe megjithëse një detyrim ligjor, ura nuk u rindërtua. Duket se të njëjtin fat do të ketë edhe Ura e Bahçallëkut.

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër thekson se duhet ndërhyrë për mbrojtjen e strukturës së mbetur në këmbë nga ura.

“Duhet ngritja e një sistemi argjinature me leje, duke filluar që në pikëtakimin e Drinit me Kirin. Një pjesë është ndërtuar, përforcimi i këmbëve ekzistuese gjatë verës, për t’i paraprirë dimrit”, përmblodhi Besara Podgorica.

_________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: Ura e Bahçallëkut pas përmbytjes së 22 nëntorit 2022. Foto: Gerti Çaku.