Ura e Zogut: Zgjidhjet për të shpëtuar nga rrënimi kryeveprën inxhinierike të viteve ’20

“Ura e Zogut”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë përfaqëson një vepër inxhinierike unike për Shqipërinë e viteve ‘20 dhe shënoi bashkimin rrugor të veriut të vendit me zonat e tjera. Ajo është drejt rrënimit dhe Media Amfora me Qendrën “EDEN” ka identifikuar përmes “Gazetarisë së Zgjidhjeve” disa ndërhyrje mjedisore për shpëtimin e saj.

“Ura e Zogut” konsiderohet kryevepër e inxhinierisë civile e fillimit të shekullit 20 në Ballkan. U ndërtua në vitin 1927 në veri të Shqipërisë dhe lidhte dy anët e Lumit Mat përmes arkitekturës fine me harqe çeliku.

Pas viteve ’90 “Ura e Matit” siç njihet ndryshe, doli jashtë funksionit për automjetet dhe në vitin 1999 u shpall monument kulture. Megjithatë banorët e zonës vijonin të përdorinin si urë këmbësore, deri sa në vitin 2021 një prej këmbëve të saj çedoi dhe u zhyt në shtratin e Lumit Mat, duke rrezikuar shembjen.

Media Amfora dhe Qendra “EDEN”, e cila ka karakter mjedisor, kanë hulumtuar gjendjen në terren, duke evidentuar zgjidhjet e mundshme që do të përmirësojnë situatën mjedisore dhe parandalimin e shembjes së urës.

Për Ermelinda Mahmutajn, eksperte mjedisi nga Qendra “EDEN”, që monumenti të largohet nga zona e rrezikut duhen marrë disa masa konkrete, që nisin me kufizimin e aktiviteteve të mbledhjes së zhavorrit, shtimit mekanik të sedimenteve dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të reja.

Këto masa sipas saj do të ndihmojnë që rrjedha lumore të rikthehet më pranë gjendjes natyrore dhe rrjedha e ujit të vijojë pa pengesa. Kjo do ta ndihmojë lumin që të rindërtojë eksositemin natyror, në një shtrat të gjerë me depozitime dhe pyje breglumore.

  • Kufizimi i nxjerrjes së inerteve nga shtrati i Lumit Mat

Katalizatori i rrënimit të urës janë kompanitë private që gërryejnë shtratin e lumit për të marrë zhavorrin që përdoret si lëndë e parë ndërtimi, duke ulur thellësinë e shtratit dhe duke i shtuar shpejtësinë rrjedhës së ujit.

“Është e rëndësishme që aktiviteti i këtyre kompanive të mos jetë masiv dhe i përditshëm, siç po ndodh aktualisht. Duhet të kryhet balanca ekologjike dhe të anulohen lejet mjedisore për kompanitë që shkaktojnë dëm të pakthyeshëm”, sugjeroi si zgjidhje të parë për problemin, Ermelinda Mahmutaj.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit renditi 15 kompani që janë pajisur me leje mjedisore për të ushtruar aktivitetin e nxjerrjes së zhavorrit në Lumin Mat. Ndërsa pranë “Urës së Zogut” e ushtronte aktivitetin vetëm 1 subjekt i pajisur me leje mjedisore.

Infografikë nga Media Amfora

Ky aktivitet ka sjellë transformimin e shtratit të lumit dhe devijimin e rrjedhës. “Është e faktuar tashmë që ekstraktimi i zhavorrit në zonat aluvionale është një nga mënyrat kryesore antropogjene e cila sjell ndryshime morfologjike të rrjedhës lumore”, analizoi për Median Amfora, Ermelinda Mahmutaj.

Ministria e Kulturës sqaroi se nyja më e afërt për nxjerrjen e inerteve është 1 kilometër nga ura, por nga matjet satelitore rezulton se nga pika ku ura ka çeduar deri tek subjekti privat që merr inerte nga shtrati i lumit, nuk janë më shumë se 400 metra.

“Subjekti vijon aktivitetin rregullisht dhe ka krijuar grumbullime të larta zhavorri, si barriera, të cilat pengojnë vërshimin e ujit në zonën e tij të aktivitetit. Kjo ndikon në ngushtimin e shtratit lumor dhe orientimin e rrjedhës lumore në një ‘kanal’ më të ngushtë dhe në një drejtim”, analizoi Mahmutaj.

“Kjo rrjedhje kalon pikërisht në këmbën e dëmtuar të Urës së Zogut dhe në këmbën tjetër që ka filluar të dëmtohet”, tregoi ajo.

Marrja e vazhdueshme e zhavorrit ka ndikuar në uljen e depozitimeve në shtratin e lumit, duke ulur vazhdimisht nivelin fundor dhe duke e rritur thellësinë e rrjedhës.

“…nxjerrja e këtyre inerteve ka bërë që rrjedha e lumit të meandrojë drejt pikës më të dobët të urës, ku këmbët janë me struktura prej hekuri”, e konfirmoi faktin zyrtarisht edhe Ministria e Kulturës, në përgjigjen e sjellë për Median Amfora.

“Situata atje vazhdon të lulëzojë, përsa i përket kompanive të cilat vazhdojnë që të gërmojnë shtratin e Lumit të Matit dhe të marrin inertet me potencialet e tyre, siç janë mbi 40 kompani që e ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme”, tregoi Elton Laska, aktivist në Qendrën Rinore Sebastia.  

Ai shtoi se shifra ka dalë nga vëzhgimi i tij empirik. Ndërsa në pamjet dhe matjet satelitore rezulton se në një distancë ajrore 7 kilometra larg urës monument kulture numërohen të paktën 8 subjekte që nxjerrin zhavorr nga shtrati i lumit.

“Duhen rishikuar kushtet e lejes mjedisore të kompanive të ekstratimit të zhavorrit dhe asnjë biznes i ri të mos konsiderohet për dhënie leje”, sugjeroi ekspertja e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj, si zgjidhjen e parë të mundshme nga ana administrative.

Kompania që nxjerr zhavorr nga shtrati i lumit pranë “Urës së Zogut”. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

Ministria e Kulturës në përgjigjen e saj shpjegoi se nuk mund të ndërhyjë tek subjektet private të nxjerrjes së zhavorrit jashtë zonës së monumentit të kulturës, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit tregoi se ka ushtruar kontrolle periodike tek subjektet, por pa shpjeguar për gjetjet e inspektimeve apo nëse ishin konstatuar shkelje ligjore.

  • Shtimi i sedimenteve lumore në zonën e Urës së Zogut

Etja për zhavorr duket se po përpin urën monument kulture. Përqendrimi i kompanive private në këtë zonë nuk është i rastësishëm, por për shkak të shtresave të zhavorrit që janë shumë të pasura dhe në sasi të madhe.

“Pikërisht në Lumin e Matit janë të zbuluara depozitimet e Kuaternarit të Vonë, që formojnë fushën aluvionale, të cilat përmbajnë shtresa të trasha zhavorrore, me trashësi maksimale 200 metra dhe përshkueshmëri të lartë”, analizoi ekspertja e mjedisit nga Qendra EDEN, Ermelinda Mahmutaj.

Ekspertja sugjeron se zgjidhja e dytë është mekanike dhe jo më administrative. Ajo fokusohet në përshpejtimin e procesit natyror të rikuperimit të shtratit lumor dhe realizohet përmes shtimit të sedimenteve në zonat ku shtrati është thelluar nga kompanitë e nxjerrjes së zhavorrit.

Për të realizuar shtimin mekanik të sedimenteve duke ndërhyrë në shtratin e lumit duhet të bëhet kujdes për origjinën e masës së zhavorrit. Ato duhet të merren nga i njëjti shtrat lumor sepse zhavorri i zonës është shumë i veçantë dhe karakteristik.

“Duket sikur kjo zgjidhje është kontradiktore për rikuperimin natyror sepse kërkon ekstraktim zhavorri, por jo. Në këtë rast nuk flitet për ekstraktim masiv, por vetëm në një masë të vogël për të rregulluar shtratin e thelluar kryesisht në këmbët e urës”, analizoi zgjidhjen e dytë Mahmutaj.

Për tu njohur me “Vështrimin e përgjithshëm mjedisor” të përgatitur nga Qendra EDEN për Median Amfora, lexojeni të plotë më poshtë:

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to DearFlip WordPress Flipbook Plugin Help documentation.

“Në fillim të muajit dhjetor [2022] ura ka pësuar një çarje të re, duke u zhytur më shumë dhe duke rrezikuar shembjen”, rrëfeu Laurin Sana, një i ri i zonës.

Zgjidhja mekanike duhet fokusuar pikërisht në këmbët e anës veriore të urës, duke shtuar sedimentet që do të mbushnin shtratin e urës dhe do të ulnin ekspozimin e këmbëve të saj ndaj erozionit.

Në mungesë të fondeve nga qeveria, Mahmutaj sugjeroi t’i kërkohet kompanive ekzistuese të nxjerrjes së inerteve që të kontribuojnë për rehabilitimin e dëmit, si zgjidhja më e shpejtë dhe që shmang vonesat e ndërhyrjes.

“Si të gjitha zgjidhjet natyrore kjo kërkon kohë, por është zgjidhja më e qëndrueshme dhe më afatgjatë”, analizoi Mahmutaj për Median Amfora.

“E ndërtuar në vitin 1926 dhe e përfunduar brenda 1 viti, kjo vepër mundësoi që për herë të parë Shqipëria të lidhej me rrugë automobilistike, pra veriu dhe jugu i saj deri në atë kohë e kishte të pamundur”, tregoi studiuesi i historisë, Erald Kapri, për revolucionin që solli ura për vendin.

Elsa Sula ka lindur në fshatin Gërnac të Milotit, në veri të Shqipërisë. Lumi Mat aty pranë e ndan zonën në dy skaje dhe e shkëput veriun e vendit nga pjesa tjetër. Elsa dhe i vëllai e përshkonin lehtësisht rrugën përtej lumit për të vizituar të afërmit, duke kaluar në urën me harqe.

“Mbaj mend që unë dhe vëllai ishim në protestën e parë për mborjtjen e urës, gjyshi im 85 vjeç po na shihte nga televizioni dhe kur u kthyem në shtëpi, na foli për të gjitha kujtimet që kishte aty”, kujtoi Elsa Sula.

“Ura e Zogut” në Luginën e Lumit Mat. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

“Babai im është nip i asaj zone dhe e ka përshkruar disa herë rrugën për të vajtur tek dajat dhe e shikon si një kujtim të fëmijërisë, por edhe më vonë kur është martuar në ’94-ën ka qenë vendi ku ka bërë fotot e para dhe u kthye në një bisedë në familje, që lidhi 3 breza”, shtoi 27 vjeçarja.

  • Ndalimi i hidrocentraleve të reja 

Lumenjtë dhe përrenjtë që furnizojnë Lumin Mat dhe që formojnë pellgun e tij janë ndikuar nga ndërtimi i hidrocentraleve. Digat dhe tubat e tyre kanë tjetërsuar rrjedhat ujore të pellgut ujëmbledhës të Matit.

“Hidrocentralet e planifikuara për ndërtim në pellgun ujëmbledhës të Lumit Mat duhet të anulohen. Në të kundërt ato do të kontribuojnë edhe më tej në zvogëlimin e sedimenteve lumore”, rendit si zgjidhjen e tretë për uljen e erozionit, ekspertja e mjedisit, Mahmutaj.

Media Amfora mësoi zyrtarisht nga Instituti i Ndërtimit, si institucion i specializuar për vlerësimin e ndërtimeve në vend, se nuk i ishte kërkuar dhënia e mendimit për gjendjen e strukturës së urës. Instituti i Gjeoshkencave gjithashtu konfirmoi se nuk ka realizuar studime për shtratin e Lumit Mat.

“Ulja e nivelit të bazamentit ku mbështeten këmbët e urës nga reduktimi i sasisë së sedimenteve lumore, ç’ka e nxjerr këmbën zbuluar dhe të pa mbështetur, ‘goditja’ e vazhdueshme e këmbës së urës nga rrjedha e ngushtë e lumit e cila është orientuar vetëm në një drejtim”, analizoi procesin e dëmtimit të urës monument, Ermelinda Mahmutaj, e cila e vizitoi objektin dhe zonën përreth.

Njëra këmbë e urës ka çeduar dhe ka pësuar ulje. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

“E gjitha kjo, duke shtuar edhe mungesën e restaurimeve dhe të mirëmbajtjes së monumentit prej shumë vitesh tashmë, e bën urën shumë vulnerabël dhe ndikon në përshpejtimin e degradimit të saj, duke e çuar drejt shembjes”, shtoi ajo.   

“Nga ekspertizat e kryera nga ekspertë të fushave përkatëse, arsyet e dëmtimeve në strukturë lidhen me erozionin (kushte gjeomorfologjike dhe gjeologjike), shfrytëzimi i shtratit të lumit për nxjerrjen e inerteve, ndryshimi i regjimit të rrjedhave lumore që furnizojnë me inerte Lumin Mat, duke sjellë sasi depozitimesh aluviale të ulët”, konfirmoi edhe Ministria e Kulturës.   

Vepra inxhinierike mbi Lumin Mat u projektua nga “babai i urave të betonit”, inxhinieri i famshëm gjerman Emil Mörsch, ndërsa punimet u zbatuan nga inxhinierët brilant, Erwin Schnitter dhe i riu, Gjovalin Gjadri. Nismëtari i saj ishte mbreti Ahmet Zogu, në nder të të cilit ura 478 metra e gjatë njihet edhe si “Ura e Zogut”.  

“Është vepra e parë publike e ndërtuar nga shteti shqiptar dhe është vepra më e madhe e realizuar ndonjëherë”, theksoi studiuesi Erald Kapri.

  • Qasja ndaj turizmit

Shndërrimi i urës në destinacon turistik dhe promovimi shihet një mundësi për të ardhmen e monumentit, pasi të realizohet një fazë ndërhyrje restaurimi, duke nisur punën konkrete me ekipet teknike inxhinierike dhe mjedisore.

“Duhet të fillojnë një fushatë të madhe për ngritjen e fondeve për studimet e fizibilitetit, teknike, mjedisore dhe në fund për investimin. Bërja palë e institucioneve me ‘Europa Nostra’-n dhe në mbështetje të të rinjve të Laçit që kanë ngritur çështjen, do të ndihmonte shumë në këtë drejtim”, rekomandoi si pjesë e zgjidhjes, ekspertja e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj.

Për të rinjtë ura është simbol bashkimi për banorët e zonës dhe ata ruajnë shumë kujtime në të, që i lidhin me vegjëlinë, vizitat tek të afërmit dhe setet fotografike të martesave që realizoheshin pranë saj.

Njëra këmbë e urës ka çeduar dhe ka pësuar ulje. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Ata prej 2 vitesh protestojnë dhe kërkojnë që autoritetet të marrin masa për mbrojtjen e monumentit dhe ndalimin e punës së kompanive private në shtratin e lumit, që po ndikojnë në rrënimin e urës. Aktivistët e Qendrës Rinore Sebastia advokuan edhe që monumenti të përfshihej në listën e më të rrezikuarve në Europë.

“Ishte vetë ‘Europa Nostra’, e cila e vlerësoi si një nga 12 monumentet e kulturës që ishte e rrezikuar në Europë, pastaj menjëherë e kaluan tek 7 monumetet më të rrezikuara”, tregoi aktivisti Elton Laska.

“Ajo konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e ndërtimeve me metal dhe beton mbi lumenjtë në Evropën Jugore”, shkruajti në arsyetimin e saj Organizata “Europa Nostra”, që synon mbrojtjen e monumenteve të rëndësishme në Europë, që rrezikohen nga shkatërrimi.

Takimi me aktivistët e Qendrës Rinore Sebastia mbi problematikat e “Urës së Zogut”. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

Megjithëse një Monument Kulture i Kategorisë së Parë në Shqipëri, në kartelën e monumentit renditet vetëm një ndërhyrje restauruese e nivelit të mesëm, në vitin 2010, por pa dhënë detaje për punimet e realizuara.

Sipas aktivistëve ekspertët e Organizatës “Europa Nostra” janë shprehur se duan të vijnë të shohin nga afër gjendjen e urës, por nuk është realizuar sepse institucionet shqiptare nuk janë përgjigjur në kohë. 

“Kanë kërkuar që në muajt tetor-nëntor të vitit 2022 për të ardhur dhe për bërë një verifikim në terren. Që mbi bazën e atij vlerësimi të japin edhe rekomandimet se si mund të shpëtohet kjo urë”, tregoi aktivisti Elton Laska.

“Por sërisht ne u gjendëm përpara një neglizhence, mos reagimi nga ana e institucioneve, të cilave ju kërkuan zyrtarisht që të na linin një takim”, shtoi Laska. 

“Ne presim që institucionet tona të marrin përgjegjësinë për këtë trashëgimi kulturore tashmë shumë në rrezik. Për hir të reshjeve të fundit të para një muaji kemi parë se është dëmtuar edhe më shumë dhe gjendja është emergjente”, shpjegoi Emarilda Leti, aktiviste në Qendrën Rinore Sebastia.

Video e ciklit “Kultura në 1 Minutë” për Urën e Zogut

Për të rinjtë e Qendrës Sebastia që kanë mbledhur 3054 firma përmes një peticioni në internet për shpëtimin e urës dhe për ekspertët e trashëgimisë kulturore, vepra inxhinierike duhet mbrojtur përmes ndërhyrjes për restaurimin e saj dhe ndalimit të aktiviteve që dëmtojnë mjedisin përreth.

“Unë shpresoj fort që të gjendet mundësia që ura të ruhet, të restaurohet sepse ajo u tregon brezave në vazhdim një memorie, për të cilën ne kemi shumë nevojë që mos ta humbasim dhe veçanërisht ato të shekullit XX, që është shekulli më i rëndësishëm për ne shqiptarët, që ne duhet t’i ruajmë gjatë me kohën”, përfundoi studiuesi i historisë, Erald Kapri.

Podcasti i ciklit “Zëri i Kulturës”, zhvilluar me aktivistët e Qendrës Rinore Sebastia mbi problematikat e Urës së Zogut