Ura e Zvërnecit u shemb bashkë me paratë e investuara në të!

HULUMTIM/

Prej tre vitesh Ura e Zvërnecit është shembur në një pjesë të saj dhe kjo e bën të pamundur kalimin mbi të.

Megjithëse kaloi sezoni turistik, nuk u mor ndonjë masë për ta rikonstruktuar urën, e cila të dërgon në manastirin e “Shën Mërisë” dhe përbën interes për turistët.

Një vit më parë u denoncua gjendjea e kësaj ure, me anë të një video në faqen “Jeta osh qef”.

Ura që të dërgon në manastirin e Zvërnecit u rikonstruktua në muajin Gusht të vitit 2014, nga autoritetet vendore në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës.

Sa lekë kushtoi rikonstruksioni i urës?

Sipas kërkesës së bërë nga Bashkia VlorëAgjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit pa TVSH, i parashikuar për riparimin e urës ishte  1.368.363  lekë.

Ky fond prej gati 10 mijë USD shërbeu për rikonstruksionin e urës.

Përmbytjet e muajit Shkurt 2015, testuan rezistencën e urës prej druri, e cila edhe pse ishte riparuar nuk mundi t’i shpëtojë dëmtimeve të rënda.

Sipas informacionit në faqen e Bashkisë Vlorë,  Manastiri i Zvërnecit është monumenti kulturor më i rëndësishëm i zonës së Nartës, i cili ka shërbyer si vend lutjeje. Manastiri është  ndërtuar ne shekullin XIII, kushtuar Shën Mërisë. Kisha gjendet në qendër të ishullit. Sot këtu shenjtërohen ceremoni fetare ortodokse dhe kujtohet çdo 15 Gusht, ditëlindja e Shën Mërisë.

Edhe pse Bashkia Vlorë e përdor si sfond në faqen e saj zyrtare pamjen që ofronte ura në ditët e saja më të mira, ende asnjë masë nuk është marrë për rikonstruksionin e saj.

Në buxhetin e vitit 2016 rikonstruksioni i Urës së Zvërnecit  ka marrë një fond prej 96.000 lekësh, por megjithatë ende nuk është bërë asgjë konkrete.