Dy vite nga tërmeti i nëntorit, vetëm 7 nga 55 objekte të dëmtuara kanë nisur të restaurohen

Monumentet e kulturës që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit numërohen në 55 sipas Ministrisë së Kulturës, por vetëm në 7 prej tyre ka nisur puna për restaurimin, teksa shumica e fondeve janë nga donatorët e huaj dhe qytetarët shprehin kërkesën për përfundimin e proceseve të restaurimit për objektet në qendrat historike.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 që goditi Shqipërinë, la pasoja edhe në shumë objekte të trashëgimisë kulturore, veçanërisht në ato qytete që u prekën më shumë, siç ishte Durrësi. Por dy vite nga lëkundjet e fuqishme sizmike, vetëm në 7 objekte ka nisur puna për restaurimin e dëmeve,  ndërsa 55 objekte të dëmtuara mbeten në pritje të ndërhyrjeve.

Në zemër të qytetit bregdetar, në lagjen ku ndodhen kullat e kalasë antike, qytetarët i kanë sytë tek punimet që po kryen prej muajsh në një prej kullave të saj, muret e së cilës nuk arritën që t’i rezistonin tronditjes së tokës së fund te nëntorit 2019.

Ajo që njihet si “Kulla C”,  u dëmtua nga tërmeti dhe prej muajsh aty po punohet për rikthimin në vendin ku ishin të “blloqeve masive” prej tullash dhe llaçi antik, që u shkëputën nga struktura.

Për banorët më të vjetër të qytetit, “Kulla C” ashtu si simotrat e saj, “B” dhe “D”, janë simbole të Durrësit antik dhe çdo ditë presin që punimet të përfundojnë dhe kulla të jetë sërish si më parë.

“Ajo që shohim më terren është që punimet ende nuk kanë përfunduar. Duket si një reklamë e madhe gjithçka dhe për gurin që u vu në vend, erdhi vetë ambasadorja amerikane, por përtej fasadës, asgjë nuk po shihet”, thotë për Median Amfora, Abdulla Deliallisi, banor në një nga lagjet historike të qytetit.

“Kulla C” nuk është objekti i vetëm që është dëtmuar në Durrës. Ngjashëm me të u dëmtuan muret antike të fortifikimit në Porto-Romano, Kalaja e Ishmit, Kalaja e Rodonit dhe Kisha e Shën Ndoit, në Kepin e Rodonit, Hamami në oborrin e Shkollës “16 Shtatori” dhe  Muzeu Etnografik.

Ministria e Kulturës që ka nën administrim objektet e trashëgimisë kulturore bën me dije se menjëherë pas tërmetit nisi puna për inspektimin e objekteve që ndodheshin në zonat e prekura.

“Janë inspektuar 111 objekte nga ana e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe janë përcaktuar 55 objekte të dëmtuara nga tërmeti”, tha Ministria e Kulturës në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.

E ndërsa në “Kullën C” vijon procesi i restaurimit nga Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania), me mbështetjen e financiare të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore të SHBA-së,  në objektet e tjera të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, gjendja është njësojë si pas tërmetit.

“Nga  55 objekte janë hartuar projektet e restaurimit për 38 prej tyre dhe për 7 objekte ka filluar puna e restaurimit dhe 3 janë në proces të fillimit”, shpjegoi Ministria e Kulturës zyrtarisht, ndërsa shtoi se  ka përfunduar puna për 2 objekte, pa i përcaktuar e cilat janë.

Vizitorë jashtë Muzeut Etnografik Durrës, që ka mbyllur dyert pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit. Foto Media Amfora

Muzeu Etnografik që ndodhet në një  banesë  të shekullit XIX, e stilit qytetar dhe  e vetmja me çarllak në qytetin e Durrësit, u dëmtua nga tërmeti dhe pret restaurimin.  Në këtë godinë ka jetuar për një periudhë kohe edhe aktori me famë botërore, Aleksandër Moisiu.

Banesa muze qëndron e mbyllur prej dy vitesh, ndërkohë që vendosja e saj në shërbim të vizitorëve është një mundësi më tepër për t’i mbajtur sa më gjatë në qytet edhe jashtë sezonit turistik.

E ndodhur në lagjen e vjetër të qytetit, muzeu është në pritje të nisjes së punimeve, ndërkohë që të tjera probleme e shoqërojnë, që nga konflikti me ish-pronarët apo konceptimi i ambienteve të saj.

Për drejtorin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Elio Bajramaj, që ka në varësi edhe Muzeun Etnografik është e rëndësishme që ai të jetë plotësisht në shërbim të vizitorëve, duke e restauruar dhe zgjidhur konfliktin e pronësisë.

“Godina ka dëmtime në pjesën tavanit, dyshemesë dhe për mos rrezikuar objektet, kryesisht skulpturat, i kemi vendosur ato në mjediset e Pallatit të Kulturës, ndërkohë që zyrtarisht i jemi drejtuar Ministrisë së Kulturës për nisjen e punimeve në muze, por na u bë e ditur se nuk disponohen fondet”, shpjegoi për Median Amfora, Bajramaj.

Muzeu Etnografik Durrës, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Foto Media Amfora

Ministria e kulturës u përgjigj zyrtarisht se muzeu  është përfshirë në listën e objekteve,  të cilat do të financohen në kuadër të programit “EU4Culture” (Bashkimi Europian për Kulturën), me qëllim “Rijetëzimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”.

Abdulla Deliallisi, kryetar i Shoqatës Durrësi Autokton, shprehet se kjo banesë është e veçantë për qytetin, pasi është unike në llojin e vet dhe duhet të nisi sa më herët puna për restaurimin e godinës.

“Në Muzeun Etnografik, parë nga jashtë nuk ka asnjë lëvizje. Dhe pse dëmet nuk janë të verifikueshme nga jashtë, çfarë do që të ketë, rënie suvaje apo tavani, apo çdo lloj dëmtimi tjetër, mendoj se është i riparueshëm, ndaj të nisi puna pasi nuk mund të qëndroj një muze i mbullur për dy vite”, shton ai.

Muzeu Etnografik i Durrësit, Kulla C apo muret antike në Porto-Romano dhe procesi i restaurimit të monumenteve pas tërmetit të nëntorit, u renditën nga qytetarët si shqetësime dhe sugjerime për tu raportuar, përmes një pyetësori që Media Amfora i drejtoi audiencës për raportimin e rasteve të dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

Trashëgimia kulturore në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 ka qenë në fokusin e donatorëve, të cilët kanë mbështetur restaurimin e monumenteve të dëmtuara nga lëkundjet sizmike, kryesisht me fonde të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: Kulla C e Kalasë së Durrësit gjatë procesit të restaurimit, në muajin tetor 2021. Foto: Media Amfora.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109