U shemb nga tërmeti, Kulla C e Kalasë së Durrësit pritet të ri ngrihet brenda fundit të vitit

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 solli edhe një seri dëmesh për monumentet e kulturës. Njëra prej kullave karakteristike të Kalasë së Durrësit u dëmtua rëndë pas lëkundjeve sizimke, duke u shembur në një pjesë të saj.

Pas gati 2 vitesh nga nisja e diskutimeve dhe projekteve për restaurimin e saj, ekspertët shpresojnë që brenda fundit të vitit 2021 të përfundojë procesi i restaurimit, që kryesisht do të fokusohet në rikthimin në vend të “blloqeve masive” prej tullash dhe llaçi që u shkëputën nga struktura.

Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania) në një reagim të mëpasshëm sqaroi se ekspertët e kontraktuar prej saj nuk i ishin referuar vitit kalendarik, por atij të nisjes së punimeve.

“Prof. Thomo përmendi që restaurimi pritet të mbaroje brenda 1 viti – duke nënkuptuar një vit nga nisja e punimeve, jo vitin kalendarik. Punimet kanë nisur në Prill 2021, pra projekti i restaurimit pritet të mbyllet në periudhën Prill-Maj 2022”, shpjeguan përfaqësues të organizatës përmes një emaili.

“U bë një studim historik, për të parë fazat e ndërhyrjes që ka pësuar ky monument”, shpjegoi për mediat paraditen e së enjtes restauratori dhe studiuesi, Pirro Thomo.

“U bë një studim arkeologjik për të parë se ku ishin gjurmët e vjetra të kalasë. Duhej edhe një studim gjeologjik…për të zbuluar se cilat ishin shkaqet e rrëzimit të mureve të kalasë”, u shpreh Thomo, pjesë e grupit të punës që po realizon procesin e restaurimit.

Ai renditi ndër shkaqet që kulla u rrëzua ndërhyrjet restuaruese të bëra shekuj më parë, të cilat nuk kishin krijuar një lidhje të mirë me strukturën e vjetër, bimësinë dhe elementë që lidhen me mungesën e mirëmbajtjes së saj.

“Ne avancuam dhe kemi një projekt më ambicioz, që blloqet e mureve, të dokumentuara mirë, duke i krahasuar me fotografitë e vjetra për pozicionet ku kanë qenë, bëmë një relacion ideal në letër dhe tani do të kalojmë në restaurimin konkret”, përfundoi Thomo.

Restauratori dhe studiuesi, Pirro Thomo, duke folur pranë Kullës C. Foto Media Amfora

Trashëgimia kulturore ka qenë në fokusin e donatorëve të cilët kanë mbështetur restaurimin e monumenteve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit, kryesisht fonde të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Kulturës bëri me dije për Median Amfora një muaj pas tërmetit të nëntorit se nga raportimet kishte rezultuar se nga 245 objekte të inspektuara, monumente kulture dhe site kulturore, kishte rezultuar situata:

  • 182 objekte të përdorshme pa rrezik; 
  • 37 objekte të rrezikuara pjesërisht; 
  • 26 objekte të rrezikuara. 

Rreth 2 vite nga tërmeti i nëntorit ende nuk ka përfunduar procesi i restaruimit në disa prej monumenteve kryesore të dëmtuara nga lekundjet sizmike, pavarësisht mbështetjes financiare me donacione nga qeveritë e huaja.

Përfundimi i restaurimit të Kullës C në Kalanë e Durrësit mund të jetë e para nga procesi i nisur në disa monumente kryesisht në rajonin e Shqipërisë Qendrore.

Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania), me mbështetjen financiare të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore të SHBA-së po punon për rikthimin e monumentit në identitet.

_________

Foto në krye: Kulla C e Kalasë së Durrësit gjatë procesit të restaurimit. Foto: Media Amfora.

Shënim: Ky shkrim u përditësua më 30 tetor, për të shtuar komentin e Organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania) për afatin e punimeve.