Banorët shembin rrethimin e hekurt të resortit në Rrjoll
Banorët e Rrjollit protestuan sërish kundër resortit turistik “Blue Borgo”, duke shembur rrethimin e kantierit dhe duke hyrë në tokat që pretendojnë se u janë marrë përmes dokumenteve të falsifikuara të pronësisë. Protesta e tyre po zhvillohet paralelisht me kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec dhe thellon më tej debatin mbi Zonat e Mbrojtura dhe të drejtat e komuniteteve lokale.
"Screnshoot" e video ndarë nga faqja një Faebook: "Studentët denoncojnë"
Banorët e Rrjollit protestuan sot kundër ndërtimit të resortit turistik “Blue Borgo”, duke e zhvendosur në bregdetin e Velipojës kundërshtimin publik ndaj projekteve që po dëmtojnë Zonat e Mbrojtura.
Me pankarta në duar dhe me thirrje për mbrojtjen e tokave që pretendojnë se i kanë trashëguar prej brezash, protestuesit kërkuan ndalimin e punimeve dhe rishikimin e projektit. Ata shembën me forcë rrethimin e hekurt të kantierit dhe u futën masivisht në tokat që pretendojnë se i janë marrë me të padrejtë përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë.
“Rrjolli është shtëpia jonë, mos na e merrni të ardhmen”, “Ne jemi fëmijët e Rrjollit, toka jonë nuk preket” dhe “Me prona e Rrjollit nuk ke shans me lujt”, ishin disa nga mesazhet e shfaqura në pankartat gjatë protestës së sotme.
Megjithëse forcat speciale dhe policia lokale ishin të pranishme, ndërhyrja e tyre ishte minimale dhe po ashtu rojet private nuk ndaluan me forcë protestuesit, duke shmangur një përshkallëzim të dhunshëm të situatës si në rastin e Zvërnecit pak javë më parë.
Banorët pretendojnë se projekti po zhvillohet mbi sipërfaqe për të cilat ekzistojnë mosmarrëveshje pronësie dhe se institucionet nuk kanë dëgjuar shqetësimet e komunitetit lokal. Ata kërkojnë transparencë mbi procedurat e ndjekura dhe një proces konsultimi që, sipas tyre, ka munguar.
Protesta vjen pas javësh tensionesh në zonë, ku banorët kanë organizuar tubime të përditshme dhe kanë hyrë edhe në kantierin e punimeve për të shprehur kundërshtimin ndaj investimit. Në qendër të debatit mbetet balanca mes zhvillimit turistik dhe të drejtave të komuniteteve që jetojnë në territoret ku planifikohen investime të mëdha.
Kundërshtimi ndaj resortit në Rrjoll po zhvillohet paralelisht me protestat kombëtare kundër projektit turistik në Zvërnec, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi mënyrën se si po zhvillohet turizmi në zonat e ndjeshme bregdetare të vendit.
Projekti turistik “Blue Borgo” po zhvillohet në Rrjoll të Velipojës, brenda Zonës së Mbrojtur, Peizazhi i Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë, një territor me ekosisteme lagunore të ndjeshme dhe biodiversitet me vlera të larta natyrore.
Ndërsa protesta vijon në Rrjoll, kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje dhe informacion mbi “bypass”-in e Shëngjinit, një projekt infrastrukturor që do të lidhë Shëngjinin me Ranën e Hedhun dhe më tej me Velipojën.
Megjithatë, kryeministri Rama ka zgjedhur t’i trajtojë rastet në Zvërnec dhe në Rrjoll si çështje pronësie midis personave privatë dhe kompanive, dhe nuk është ndalur te roli që ai, si drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, ka në miratimin e projekteve të tilla që prekin direkt Zonat e Mbrojtura.