Resorti “Blue Borgo” sfidon peizazhin e Velipojës dhe ndez konfliktin për tokën
Në Rrjoll të Velipojës, brenda Peizazhit të Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë, resorti turistik “Blue Borgo” po avancon mes protestave për tokën dhe shqetësimeve për ndikimin në mjedis. Projekti po zhvillohet në një zonë me biodiversitet të ndjeshëm dhe me status të shumëfishtë mbrojtjeje, ndërsa banorët dhe ekspertët paralajmërojnë pasoja për ekosistemin dhe komunitetin lokal.
Mjetet në terren duke haprur rrugën për punimet e projektit. Foto: Media Amfora
Projekti turistik i njohur si “Blue Borgo”, që parashikon zhvillimin e një kompleksi të madh akomodues dhe shërbimesh në fshatin Rrjoll, me struktura shumëkatëshe dhe funksione rezidenciale e turistike po vijon, megjithëse protestat e banorëve për pronësinë nuk janë ndalur që prej nisjes së tij.
Vendimmarrjet institucionale janë ndjekur përmes sistemit të lejeve dhe strukturave të planifikimit të territorit, duke e përfshirë projektin në kategorinë e investimeve në turizëm. Hapësira ku po zbatohet ky projekt ndodhet në zonën Lumi Buna-Velipojë, një hapësirë e shpallur peizazh i mbrojtur dhe e karakterizuar nga ekosisteme lagunore dhe biodiversiteti i ndjeshëm, ku çdo ndërhyrje urbane lidhet drejtpërdrejt me kufizime mjedisore dhe rregulla konservimi. Pikërisht në këtë ndërthurje mes dëshirës për zhvillim dhe nevojës për mbrojtje, po avancojnë në terren punimet ndërtimore.
Zhvillimi në zonat lagunore dhe bregdetare të mbrojtura sjell presion të drejtpërdrejtë mbi ekosistemet e brishta dhe mbi sjelljen natyrore të specieve që i karakterizojnë këto habitate.
“Nga pikëpamja mjedisore, patjetër që është një katastrofë, e cila përbën vazhdimësi të strategjisë së përgjithshme të asaj që po u ndodh lagunave bregdetare”, tha Zydjon Vorpsi, ekspert pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Resorti avancon brenda Peizazhit të Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë
Punimet për projektin turistik “Blue Borgo” kanë nisur të marrin formë përmes hapjes së infrastrukturës fillestare, duke sinjalizuar hyrjen e zhvillimit në fazën aktive të zbatimit në terren, në fshatin Rrjoll, në njësinë administrative Velipojë dhe që është pjesë e Bashkisë Shkodër. E vendosur rreth 40 kilometra prej saj dhe afro 15 kilometra nga Shëngjini. Nga ana tjetër ky territor bën pjesë në Peizazhin e Mbrojtur Velipojë-Bunë, mes Lagunës së Vilunit dhe Monumentit Natyror të Ranës së Hedhun.
Hapësira ku po zhvillohet projekti përfshihet në një prej zonave me status të shumëfishtë mbrojtjeje dhe me vlera të larta natyrore në bregdetin verior të vendit, ku çdo ndërhyrje urbane lidhet drejtpërdrejt me ekuilibrin e ekosistemeve lagunore.
“Ajo zonë është pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura, është zonë kandidate “Emerald” (një rrjet evropian zonash me vlera të veçanta natyrore) dhe është e përfshirë edhe në statusin “Ramsar”, që u jepet ligatinave me rëndësi ndërkombëtare për biodiversitetin dhe shpendët ujorë”, tha Vorpsi për Median Amfora.
Sapo në terren nisën të shfaqen gjurmët e para të punimeve për projektin, reagimi i banorëve të Rrjollit ishte i menjëhershëm, duke e lidhur drejtpërdrejtë zhvillimin me çështjen e pronësisë së tokës dhe të drejtave të trashëguara mbi territorin.
Banorët reaguan me protesta që në fillim të muajit shkurt, duke pohuar se punimet po kryhen mbi hapësira që ata i konsiderojnë prona familjare historike, duke e kthyer procesin e zbatimit të projektit në një situatë të ndjeshme sociale në zemër të Peizazhit të Mbrojtur Ujor/Tokësor Lumi Buna-Velipojë.
“Për çështjen e kësaj prone, në vitin 1946 tokat u morën. Personi që e pretendon tokën nuk e dijmë se si i ka bërë letrat në vitin 1956. Ne i jemi drejtuar SPAK-ut, Bashkisë Shkodër, e mediave dhe kërkojmë vetëm që dokumentet të hapen mbi tavolinë dhe të shihet e drejta e secilit”, tha Zef Shullani, banor i Rrjollit.
Një pjesë e banorëve janë kthyer nga emigrimi pasi kanë mësuar se në tokat që i konsiderojnë të trashëguara ka nisur ndërtimi i resortit turistik.
“Kam lënë djalin atje ku jetoj për të kërkuar të drejtën e tokës së trashëguar”, tha Marjana Pjeshka për Median Amfora.
Ndërsa banorët që pretendojnë pronësinë historike mbi tokat kanë vijuar protestat, teksa institucionet shqiptare deklarojnë se ligjërisht zona e Rrjollit është pjesë e peizazhit të mbrojtur ujor.
“Zona e Rrjollit ndodhet në territorin e Bashkisë Shkodër dhe bën pjesë në Peizazhin e Mbrojtur Ujor/Tokësor (PMU/T) ‘Lumi Buna-Velipojë’, miratuar në vitin 2024”, shkroi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Kjo zonë e mbrojtur është shpallur për herë të parë me këtë status në vitin 2005, me ligjin “Për shpalljen e Lumit Buna dhe të territoreve ligatinore përreth tij si “Peizazh ujor/tokësor i mbrojtur”.

Veç faktit që po ndërtohet në një zonë të mbrojtur, modeli i një resorti rezidencial me përdorim gjatë gjithë vitit, sipas ekspertëve ndryshon jo vetëm peizazhin fizik të zonës, por edhe mënyrën se si funksionon ekosistemi lokal, për shkak të rritjes së presionit njerëzor dhe infrastrukturës shoqëruese.
Një projekt i tillë me struktura rezidenciale, i ndërtuar sipas modelit të resorteve të banueshme gjatë gjithë vitit, krijon një zonë me prezencë të vazhdueshme njerëzore, ku aktiviteti nuk është sezonal, por i përhershëm. Kjo sjell rritje të trafikut, konsum më të lartë të infrastrukturës, ndryshim të dinamikës urbane dhe presion mbi burimet natyrore, përfshirë edhe regjimin e furnizimit me ujë.
“Kur flasim për specie që jetojnë në zona të mbrojtura lagunore dhe bregdetare, kemi parasysh lloje shumë të brishta, që largohen dhe tentojnë të shmangin praninë e njeriut. Specieve të rrezikuara nuk u heqim vetëm habitatin, por krijojmë edhe një situatë ku jeta e egër largohet nga zhurma dhe aktiviteti njerëzor”, analizoi Zydjon Vorpsi.
Strukturat shumëkatëshe ndryshojnë profilin natyror të kodrinave të Velipojës
Mes kodrave shkëmbore dhe lagunave bregdetare të Rrjollit, në zonën e njohur si Baks-Rrjoll, në njësinë administrative Velipojë, ndërtimi i resortit turistik “Blue Borgo” parashikohet të përfshijë një investim në rreth 280 milionë euro. Zhvilluesi i projektit është kompania “GENER 2 SH.P.K & ABA BLUE BORGO SH.P.K., me projektues “STEFANO BOERI ARCHITECTS & GENER 2 SH.P.K” dhe do të shtrihet në mbi 140 hektarë tokë bregdetare dhe parashikon ndërtimin e hoteleve, vilave turistike dhe strukturave akomoduese me funksion rezidencial e turistik.
Miratimi i projektit “Blue Borgo” është bërë përmes një vendimi të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), në fund të dhjetorit 2024, i cili i ka hapur rrugë lejes së ndërtimit për kompleksin turistik. Vendimi parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me lartësi deri në 10 kate.
Pavarësisht miratimit të lejes së ndërtimit dhe avancimit të projektit në fazën e zbatimit, institucionet konfirmojnë se nuk ka pasur një vendimmarrje për dhënien e statusit të veçantë të investitorit strategjik për këtë projekt.
“Pranë Pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka pasur interes të shprehur për zhvillimin e kësaj zone, por deri në këtë moment nuk rezulton të ketë asnjë vendimmarrje nga Komiteti i Investimeve Strategjike”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Median Amfora.
Ndryshimet në kufijtë e Zonës së Mbrojtur, ku përfshihet Rrjolli tregojnë një rishikim e si pasojë rrudhje të ndjeshme të sipërfaqes së mbrojtur ndër vite, në një territor ku ndërkohë janë projektuar dhe miratuar zhvillime me karakter turistik dhe rezidencial.
“Po, ka pasur ndryshime. Sipas vendimit të vitit 2005, sipërfaqja ka qenë 23.027 hektarë, ndërsa sipas vendimit të vitit 2024, sipërfaqja është pakësuar në 19.471 hektarë”, shkroi AKZM në përgjigjen zyrtare.
Situata ka krijuar një revoltë lokale që shkon përtej Zonës së Mbrojetur dhe lidhet reagimin e menjëhershëm të banorëve fill pasi u bënë të dukshme gjurmët e para të investimit që pritet të transformojë këtë zonë bregdetare.
“Kam ardhur nga Anglia për të mbrojtur tokën time. Kam pasaportë italiane. Kam ardhur për babain tim, për tokën tonë. Duam ta mbrojmë dhe duam drejtësi”, tha Marjana Pjeshka.
Mungesa e dëgjesave publike dhe e përfshirjes së komunitetit në fazat vendimmarrëse ngrihet si një nga elementët kryesorë që ekspertët e konsiderojnë problematik në zhvillimet me ndikim të lartë në zona të mbrojtura. Transparenca dhe konsultimi me publikun janë minimumi që duhet të garantohet sipas tyre.
“Si mund të sigurojmë minimizimin e ndikimit, kur nuk ka asnjë diskutim me askënd? Si mund të sigurojmë që ky projekt është në favor të komunitetit dhe të natyrës, kur ai çohet përpara pa përfshirë ekspertët e mjedisit dhe aktorët lokalë?”, pyeti eksperti Vorpsi.
Pyetjet e ngritura nga ekspertët për mungesën e konsultimeve publike dhe përfshirjes së aktorëve lokalë marrin një tjetër peshë kur krahasohen me statusin zyrtar të territorit ku po zhvillohet projekti.
“Zona ku parashikohet të zhvillohet projekti turistik në Rrjoll ndodhet brenda zonës së mbrojtur Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor (PMU/T) ‘Lumi Buna-Velipojë’”, shkruhet në përgjigjen e AKZM-së.
Referuar Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, përshkruar në gjuhë jo teknike dhe të hartuar nga “Illyrian Consulting Engineers Sh.p.k.”, “Resorti është projektuar duke zbatuar strategjinë e mbrojtjes së biodiversitetit dhe peizazhit, bazuar kjo në vlerat natyore të zonës të propozuar të projektit si dhe statusit “Peizazh i mbrojtur”.
Por teksa nënvizon se zona është pjesë e “Peizazhit të Mbrojtur”, krijimi i një strukture akomoduese sipas përshkrimit për turizmin hotelier ekselent, nuk krijon pengesa ligjore në raport me vetë ligjin përkatës, pavarësisht ndikimit të tij real në mjedis.
“Zhvillimi i ketij projekti nuk bie ndesh me Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligjit Nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”; i ndryshuar sipas Ligjit 21/2024)”, citon raporti.
Me ndryshimet në Ligjin nr. 21/2024, tashmë “Zonë e mbrojtur” nuk do të thotë më domosdoshmërisht “zonë pa ndërtime”, për të cilën shumë organizata mjedisore argumentojnë se u hap rruga për zhvillime turistike dhe infrastrukturore brenda zonave të mbrojtura, sidomos në kategori më fleksibël si “Peizazhi i Mbrojtur”.

Sipas ekspertëve të mjedisit, ndryshimet në sipërfaqen e zonave të mbrojtura nuk lidhen vetëm me kufij administrativë apo ndarje hartografike, por edhe me mënyrën se si ekosistemet reagojnë ndaj pranisë njerëzore.
“Reduktimi i sipërfaqes nuk lidhet vetëm me gjurmën e projektit, por edhe me distancën që jeta e egër krijon për të ruajtur sigurinë e vet. Këto nuk janë zona të pafundme, janë zona të vogla”, shpjegoi eksperti Zydjon Vorpsi.
Përballë zhvillimit të projektit brenda një Peizazhi të Mbrojtur, banorët e Rrjollit shprehen të vendosur se do të vijojnë betejën e tyre për mbrojtjen e tokave që i konsiderojnë të trashëguara brez pas brezi.
“Nuk i lejmë pronat tona. Këtu kemi jetuar ne dhe të parët tanë. Nuk largohemi nga toka jonë”, tha banori Gjin Pjeshka.
Media Amfora iu drejtua zyrtarisht kompanisë “ABA Blue Borgo” me një kërkesë për koment lidhur me pretendimet e banorëve, se projekti po zhvillohet në toka që ata i konsiderojnë të trashëguara, por deri në publikimin e këtij shkrimi kompania nuk ka kthyer përgjigje.
Nga ana tjetër shqetësimet e ekspertëve të mjedisit lidhen drejtpërdrejt me ndikimet që projekte të tilla mund të kenë në ekosistemet e brishta bregdetare.
“Ne lagunat bregdetare i kemi shumë të rralla, habitate që janë në të gjithë Shqipërinë, por kemi shumë pak: Butrintin, Divjakën, Nartën, Kune-Vainin, Velipojën edhe pjesën e Durrësit, që është zona e Fllakës, Bisht Palla”, përfundoi analizën eksperti Vorpsi, duke shtuar se humbja e këtyre sipërfaqeve patjetër që çon në uljen e popullatave të jetës së egër dhe se për këtë nuk ka dyshim.