Varrezat e Rrmajit, kujtesa e një qytetërimi 

Me monumente funerare shekullore, skulptura, relieve dhe epitafe në disa gjuhë, Varrezat e Rrmajit në Shkodër përbëjnë një pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë kompleks, ku prehen figura të shquara të historisë, letërsisë, muzikës, arteve pamore, mjekësisë, inxhinierisë dhe jetës fetare, si dhe ushtarakë të huaj, arti funerar dhe emrat e skalitur në gur rrëfejnë të kaluarën e një qyteti me tradita të pasura dhe lidhje të hershme me qytetërimin evropian.

Në pjesën lindore të qytetit të Shkodrës, jo larg brigjeve të lumit Kir, shtrihen Varrezat e Rrmajit, në zonën e njohur historikisht si Fusha e Rrmajit. Dikur në periferi të qytetit, kjo zonë dokumentohet si vendbanim që në fillim të shekullit XVII, ndërsa gjatë shekullit XVIII u përfshi gradualisht në zgjerimin urban të Shkodrës. Gjurmët e hershme të varrezave ruhen në epitafet e skalitura në latinisht, italisht dhe shqip, përmes të cilave disa prej varreve datohen në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Ekzistenca e varrezave dëshmohet edhe në dokumentet historike të vitit 1777, ndërsa monumentet funerare të ngritura gjatë shekujve pasues pasqyrojnë zhvillimin kulturor, artistik dhe fetar të qytetit.

Monumenti funerar i familjes Melgushi, me elemente arkitekturore klasike dhe epitafe në latinisht e italisht. Foto: Media Amfora
 

Arti funerar në Varrezat e Rrmajit shquhet për larminë e formave arkitekturore dhe mjeshtërinë e realizimit të monumenteve. Kolonat, frontonet, relievet dhe skulpturat me motive fetare dëshmojnë afërsinë me traditën artistike të Evropës Perëndimore, duke pasqyruar zhvillimin e kulturës qytetare të Shkodrës. Një etapë e rëndësishme në historinë e kompleksit ishte viti 1936, kur me nismën e kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, nisi zgjerimi dhe risistemimi i varrezave, së bashku me rindërtimin e kishës-kapelë. Projekti u realizua nga inxhinieri Ludovik Zojzi, nxënës i Atë Gjergj Fishtës, ndërsa kompleksi i risistemuar u inaugurua në vitin 1937. Kisha-kapelë, me elementet e saj të arkitekturës klasike, përbën sot një nga objektet më përfaqësuese të kompleksit.

Varri monumental i familjes Musani, i zbukuruar me reliev skulpturor me motive fetare. Foto: Media Amfora
 

Përtej vlerave arkitekturore dhe artistike, Varrezat e Rrmajit ruajnë kujtesën e familjeve dhe personaliteteve që kanë dhënë kontribut në historinë e Shqipërisë. Mes tyre prehen atdhetari dhe poeti Hilë Mosi, poetët Kolë Mirdita dhe Frederik Rreshpja, studiuesi i gjuhës shqipe Kolë Ashta, inxhinierët Gjovalin Gjadri dhe Augustin Briot, si dhe mjeku Frederik Shiroka. Monumentet funerare të familjeve Shiroka, Suma dhe Jubani dëshmojnë vazhdimësinë e brezave të lidhur me zhvillimin intelektual dhe kulturor të Shkodrës. Emrat e skalitur mbi gurët e varreve i japin kompleksit një rëndësi që tejkalon kufijtë e qytetit, duke e kthyer atë në një hapësirë të kujtesës historike kombëtare.

Monumenti funerar i familjes Mosi, ku prehet atdhetari dhe poeti Hilë Mosi, me skulpturën e një figure femërore pranë kryqit. Foto: Media Amfora
 

Varrezat e Rrmajit ruajnë gjithashtu gjurmë të historisë së Shkodrës gjatë Luftës së Parë Botërore, kur qyteti ishte nën administrimin austro-hungarez. Prania e varreve të ushtarakëve të kësaj perandorie i jep kompleksit edhe një dimension të trashëgimisë historike evropiane. Mes tyre ndodhet varri i kapitenit Eduard Kreuzig, oficer i shtabit të përgjithshëm, i cili ndërroi jetë në vitin 1916. Monumenti i ngritur në formën e një obelisku prej guri, me mbishkrimin në gjuhën gjermane, ruan karakteristikat e përkujtimit ushtarak të asaj periudhe. Këto varre përbëjnë dëshmi materiale të një kapitulli të historisë së përbashkët të Shqipërisë dhe Austro-Hungarisë.

Varri i kapitenit austro-hungarez Eduard Kreuzig në Varrezat e Rrmajit, dëshmi e periudhës së Luftës së Parë Botërore. Foto: Media Amfora

Një vend të veçantë në trashëgiminë që ruajnë Varrezat e Rrmajit zënë personalitetet e artit shqiptar. Këtu prehen kompozitorët Prenk Jakova dhe Pjetër Gaci, muzikanti Leonard Deda, fotografi Pjetër Marubi, piktori Simon Rrota dhe artisti e arkitekti Kolë Idromeno. Veprimtaria e tyre lidhet me zhvillimin e muzikës së kultivuar shqiptare, traditën e fotografisë dhe historinë e arteve pamore në vend. Prenk Jakova, kompozitori i operës së parë shqiptare, “Mrika”, përkujtohet përmes një monumenti me simbolikë muzikore. Skulptura në formën e lirës, e vendosur pranë varrit të tij, është një shembull i ndërthurjes së artit funerar me identitetin krijues të personaliteteve që prehen në këtë kompleks.

Varri i kompozitorit Prenk Jakova, me skulpturën në formën e lirës, simbol i muzikës. Foto: Media Amfora.

Trashëgimia fetare e Varrezave të Rrmajit pasqyrohet në monumentet e klerikëve dhe të bashkësive rregulltare katolike, ndër të cilat edhe ajo e Motrave Stigmatine. Ndër ipeshkvijtë më të hershëm të dokumentuar si të varrosur këtu janë Imzot Anton Dodmasej, ipeshkëv i Pultit, i varrosur në vitin 1816, dhe Imzot Françesko Borci, ipeshkëv i Shkodrës, i varrosur në vitin 1823. Në këto varreza prehen gjithashtu klerikë që kontribuuan në letërsinë, arsimin dhe kulturën shqiptare, si Atë Anton Xanoni, Dom Ndoc Nikaj dhe Dom Ndre Zadeja. Rëndësia historike e kompleksit lidhet edhe me 4 nëntorin e vitit 1990, kur Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë publike pas dekadave të ndalimit të besimit fetar nga regjimi komunist, duke shënuar një kthesë në rrugën drejt rivendosjes së lirisë fetare në Shqipëri.

Varri i përbashkët i Motrave Stigmatine në Varrezat e Rrmajit, me mbishkrimin “Presin ringjalljen”. Foto: Media Amfora. 

Monumentet funerare të periudhave të ndryshme, të vendosura përgjatë shtigjeve mes qiparisave, krijojnë një peizazh ku ndërthuren arkitektura, arti dhe kujtesa historike. Për vlerat që mbartin, Varrezat e Rrmajit u shpallën Monument Kulture të Kategorisë së Dytë më 14 qershor 2007, ndërsa në vitin 2015 kisha-kapelë iu nënshtrua restaurimit me financimin e Ministrisë së Kulturës. Krahas muzeve, objekteve të kultit dhe ndërtesave historike të Shkodrës, varrezat përbëjnë një destinacion me vlera të veçanta për njohjen e trashëgimisë shqiptare. Një vizitë në Rrmaj ofron mundësinë për të zbuluar, përmes monumenteve dhe emrave që ato mbartin, historinë e disa brezave që kontribuuan në formësimin e identitetit kulturor dhe kombëtar.

Monumente funerare familjare të periudhave të ndryshme, me kryqe guri, portrete dhe elemente dekorative në Varrezat e Rrmajit. Foto: Media Amfora

Varrezat e Rrmajit mund të lexohen si një arkiv në gur i Shkodrës, ku çdo brez ka lënë gjurmë të kohës së vet. Mënyra se si familjet kanë përjetësuar kujtimin e njerëzve të tyre, gjuha e epitafeve, simbolika e skulpturave dhe mjeshtëria e ndërtimit të monumenteve tregojnë shumë për shoqërinë që i krijoi ato. Përmes tyre mund të kuptojmë se si kanë ndryshuar ndër shekuj shijet estetike, marrëdhëniet me besimin dhe mënyrat e ruajtjes së kujtesës familjare e kolektive. Vlera e Rrmajit qëndron pikërisht në mundësinë që na ofron për të njohur jo vetëm historinë e njerëzve që prehen aty, por edhe botën në të cilën jetuan dhe qytetërimin që ndihmuan të ndërtonin.