Tokat në Zvërnec: SPAK vendos sekuestro mbi pasuri me vlerë 128.4 milionë euro
Një hetim i SPAK për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal ka çuar në sekuestro mbi pasuri me vlerë mbi 128.4 milionë euro, që lidhen me transaksionet e tokave të projektit turistik në Zvërnec, si dhe në caktimin e masave të sigurisë ndaj 20 personave.
Godina e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë. Foto: SPAK
Të premten, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi vendosjen e sekuestros preventive mbi kontrata shitjeje me vlerë mbi 128.4 milionë euro, të lidhura me tokat ku planifikohet ndërtimi i resortit turistik në Zvërnec, në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sekuestro preventive mbi disa pasuri, referuar kontratave të shitjes nga Artur Shehu, Ferdinant Sulaj dhe Bujar Sulaj te kompania “Albania Land Development”, që bleu tokat e projektit turistik në Zvërnec.
“Shuma e sekuestros preventive arrin në mbi 128.4 milionë euro”, thuhet në njoftimin e SPAK, të shpërndarë për mediat pasditen e 12 qershorit.
Hetimi ka çuar gjithashtu në caktimin e masave të sigurisë ndaj Artur Shehut, Orest Sotës, Ilir Shtufit dhe Edmond Jaupajt. Gjykata ka vendosur masën “arrest në burg” për tre të parët, ndërsa ndaj Jaupajt është caktuar masa “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Artur Shehu, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën “arrest në burg”, identifikohet në dokumentet e pronësisë si një nga zotëruesit kryesorë të sipërfaqeve të shitura për zhvillimin e projektit turistik në Zvërnec. Përfshirja e tij në këtë hetim vjen në një kohë kur projekti po përballet me kundërshtime të forta publike dhe protesta që vijojnë prej 13 ditësh.
Artur Shehu, pronari kryesor i sipërfaqeve të shitura te kompania “Albania Land Development” (ALD), ndodhet prej vitit 1999 në SHBA si azilant.
Sipas një investigimi të Reporter.al, ALD kontrollohet nga vëllezërit Ramez dhe Mohamad Al Khayyat, biznesmenë nga Katari të prezantuar si investitorët kryesorë të projektit, ndërsa dokumentet e shqyrtuara videntojnë edhe lidhje me individë dhe kompani të afërta me grupin Kastrati.
Pas projektit qëndron një strukturë e ndërlikuar kompanish dhe interesash biznesi që lidh pronarët vendas të tokave me investitorë ndërkombëtarë. Reporter.al evidenton se “Albania Land Development” ka luajtur rolin e kompanisë përmes së cilës janë kryer blerjet e sipërfaqeve në zonën e Zvërnecit, ndërsa zhvillimi i resortit është lidhur publikisht me investimin e planifikuar të kompanisë “Affinity Partners”, e themeluar nga Jared Kushner.
Në hetimin e fundit të SPAK përfshihet edhe Ilir Shtufi, i lidhur me disa prej projekteve më të mëdha të zhvillimit në kryeqytet. Shtufi është aksioneri kryesor i kompanisë “Nova Construction”, e përfshirë në projektin e kullës “Mount Tirana”, ndërsa kompania ka qenë pjesë e konsorciumit që fitoi Lotin 4 të Unazës së Madhe, një procedurë që po verifikohet nga SPAK. Në hetim përmendet edhe Orest Sota, familja e të cilit kontrollon kompaninë “Forever Construction”, e angazhuar në projekte rezidenciale dhe tregtare në Tiranë.
Hetimi i SPAK prek një rrjet më të gjerë investimesh në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Sipas njoftimit, nën sekuestro janë vendosur kompani, projekte ndërtimi, apartamente, vila, troje dhe qindra llogari bankare që dyshohet se janë përdorur për të investuar ose qarkulluar të ardhura me burim kriminal.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen të drejta zhvillimi në projekte ndërtimi në Tiranë, dhjetëra apartamente dhe garazhe, si dhe kompani të lidhura me sektorin e ndërtimit. Sipas SPAK, një pjesë e investimeve të dyshuara shtrihen nga kryeqyteti deri në bregdetin e jugut, në zona si Palasa, Gjileka dhe Jala.
Zhvillimi vjen ndërsa prej 13 ditësh banorë, aktivistë dhe qytetarë protestojnë kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec.
Në kuadër të operacionit, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurie për 20 persona, prej të cilëve 15 me masën “arrest në burg” dhe pesë me “arrest në shtëpi”. SPAK njoftoi se deri më tani janë ekzekutuar katër masa sigurie, ndërsa vijojnë kërkimet për personat e tjerë. Autoritetet greke kanë arrestuar gjithashtu një prej të dyshuarve për llogari të drejtësisë shqiptare.