Kontrabandë me lëndë piroteknike në Durrës, sekuestrohen qindra produkte 

Një dyqan në Durrës dyshohet se shërbente për tregtimin e lëndëve piroteknike të kontrabanduara, të cilat shiteshin edhe përmes internetit. Policia arrestoi një 18-vjeçar dhe nisi procedimin penal ndaj një personi tjetër që dyshohet se tentoi të fshihte mallrat.

Një 18-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se tregtonte lëndë piroteknike të kontrabanduara, të cilat i mbante në banesë dhe i shiste në një dyqan të qytetit.

“Shiste në dyqan dhe në internet, fishekzjarrë dhe kapsolla të dyshuara të kontrabanduara”, njoftoi Policia e Durrësit, duke iu referuar veprimtarisë së dyshuar të të riut.

Dyqani ndodhej në lagjen nr. 12 të Durrësit, ndërsa produktet mbaheshin në banesën e 18-vjeçarit me inicialet R. C. Rasti u zbulua gjatë kontrolleve të policisë kundër kontrabandës së mallrave.

Në këtë ngjarje dyshohet se është përfshirë edhe një 24-vjeçar, i cili u kap pranë banesës së të arrestuarit duke transportuar me automjet një pjesë të lëndëve piroteknike.

Sipas policisë, 24-vjeçari me inicialet O. D. i kishte marrë produktet nga banesa e 18 vjeçarit, me qëllim që t’i fshihte. Ndaj tij nisi procedimi penal për veprën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan qindra produkte piroteknike të llojeve të ndryshme, si dhe dy telefona celularë. Policia nuk bëri të ditur vlerën e mallrave apo vendin nga dyshohet se kanë ardhur.

Në Shqipëri, shitja e lëndëve piroteknike nuk është e ndaluar në çdo rast, por lejohet vetëm duke respektuar kushtet e përcaktuara me ligj. Ligji i vitit 2021, i ndryshuar në vitin 2024, vendos rregulla për importimin, magazinimin dhe tregtimin e këtyre produkteve, si dhe për sigurinë e përdoruesve.

Për importimin kërkohen licenca dhe autorizime, ndërsa shitja e disa llojeve të produkteve kufizohet sipas moshës së blerësve dhe rrezikshmërisë së tyre. Produktet më të rrezikshme lejohen të përdoren vetëm nga persona të specializuar.

Ndërkohë, kontrabanda dhe tregtimi i mallrave që dihet se janë kontrabandë përbëjnë vepra penale. Sipas Kodit Penal, tregtimi ose transportimi i mallrave të tilla dënohet me gjobë ose burgim deri në tre vjet, ndërsa në rastet e parashikuara për mallra të ndaluara ose të kufizuara, dënimi mund të jetë më i rëndë.

Materialet për rastin e zbuluar në Durrës iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.