9 vatra aktive: Pyjet e Pukës nën flakë, situatë e vështirë në Dukat të Vlorës

Banorë janë evakuuar në zonën Gojan-Gjegjan në Pukë, ku era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen ndaj zjarreve. Organizata për mbrojtjen e mjedisit PPNEA paralajmëron për rrezikun ndaj familjeve dhe dëmtimin e pyjeve dhe habitateve, ndërsa situata mbetet e vështirë edhe në Dukat të Vlorës.

Situata e zjarreve në zonën Gojan-Gjegjan në Pukë vijon të mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer. Forcat në terren janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), operacioni në këtë zonë mbështetet nga 40 efektivë dhe tre helikopterë të Forcave të Armatosura.

Shqetësimin për përmasat e zjarrit dhe rrezikun për komunitetin e ka ngritur edhe Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila të premten e cilësoi situatën në Kurorën e Tërbunit dhe zonat përreth si alarmante.

Sipas organizatës, flakët vijojnë të jenë aktive në Gojan të Madh, Gojan të Vogël dhe Gjegjan, ndërsa afërsia me zonat e banuara ka shtuar rrezikun për familjet dhe pronat.

“Shtëpitë janë në rrezik. Familjet janë në rrezik. Jeta e njerëzve është në rrezik”, paralajmëroi PPNEA.

Përballë situatës, organizata u kërkoi institucioneve mobilizimin e të gjitha kapaciteteve të disponueshme. Mes kërkesave janë shtimi i forcave dhe mjeteve zjarrfikëse në terren, pajisje të përshtatshme për zonat malore dhe forcimi i ndërhyrjes nga ajri në vendet ku mjetet tokësore nuk mund të depërtojnë.

PPNEA kërkoi gjithashtu evakuimin e menjëhershëm të familjeve sa herë që rrezikohen nga flakët dhe koordinim mes institucioneve qendrore, Bashkisë Pukë, strukturave të emergjencave, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe komunitetit.

Përtej rrezikut për banorët, zjarret po prekin edhe sipërfaqet pyjore të Kurorës së Tërbunit. PPNEA ngriti shqetësimin për dëmtimin e habitateve, pemëve të vjetra dhe zonave që shërbejnë si strehë dhe burim ushqimi për jetën e egër, duke paralajmëruar se rikuperimi i ekosistemit mund të kërkojë vite.

“Çdo orë që kalon pa ndërhyrje të mjaftueshme rrit rrezikun për shtëpitë, familjet, pyjet dhe jetën e egër”, deklaroi organizata.

Situata në Pukë është pjesë e një harte më të gjerë zjarresh. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas AKMC-së, në vend janë raportuar 20 vatra, nga të cilat nëntë vijojnë aktive dhe një është nën monitorim.

Në operacione janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor“.

Zjarri përparon në pyjet e Pukës. Foto: PPNEA

Një tjetër vatër problematike mbetet ajo në Dukat të Vlorës. Zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren po operojnë forcat vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me dy avionë Air Tractor. Sipas AKMC-së, aktualisht nuk rrezikohen banesa.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ishte më 21 gusht në terren në fshatin Tenë të Mirditës, e cilësoi Dukatin si zonën më problematike.

“Situata më problematike është në Vlorë, në Dukat. Atje janë 105 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri po përhapet me shpejtësi. Era na ka penalizuar”, tha Nufi.

Ministri raportoi situatë të vështirë për Gojan në Pukë, Malin e Dajtit dhe Klosin. Në Mirditë, ai ngriti dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, duke iu referuar shfaqjes së dy deri në tre vatrave çdo ditë, por theksoi se identifikimi i shkaqeve u takon organeve ligjzbatuese.

“Është jashtë logjikës njerëzore, por kjo është punë e Policisë pastaj që të identifikojë shkaqet e këtyre zjarreve”, tha Nufi.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Mal Milot të Kurbinit, Dajt, Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Në Mal Milot rreziku për banesat është eliminuar për momentin, ndërsa në Dajt vatra është riaktivizuar, por sipas AKMC-së nuk rrezikon zonat e banuara. Në Ballaxhiaj të Memaliajt zjarri është vënë nën kontroll, pasi disa banorë ishin evakuuar.

AKMC njoftoi se monitorimi dhe operacionet vijojnë në të gjithë territorin. Në Pukë, ndërkohë, ndërhyrja nuk lidhet vetëm me shuarjen e vatrave. Evakuimi i banorëve dhe paralajmërimet për dëmtimin e sipërfaqeve pyjore tregojnë se zjarri po prek njëkohësisht komunitetin dhe ekosistemin e zonës.