Forumi qytetar diskuton situatën juridike dhe urbanistike të TID Durrës
Banorët që kundërshtojnë projektin TID Durrës diskutuan situatën pas shfuqizimit të PDyV-së së Zonës 5 dhe hapat për pronat e prekura. Gjatë forumit u njoftua edhe krijimi i Forumit Këshillimor Vendor, që synon një organizim më të qëndrueshëm qytetar.
Forumin për Pronën, Trashëgiminë Kulturore dhe Zhvillimin Urban. Foto: Media Amfora
Grupimi Qytetar Kundër Projektit TID Durrës organizoi të martën “Forumin për Pronën, Trashëgiminë Kulturore dhe Zhvillimin Urban”, me fokus projektin që prej më shumë se një viti është kundërshtuar nga një pjesë e banorëve të zonës historike.
Në takim morën pjesë banorë dhe pronarë të zonës së prekur, qytetarë, nëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile, juristë, aktivistë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.
Në fokus të diskutimit ishte situata e krijuar pas shfuqizimit të Planit të Detyruar Vendor për Zonën 5, ndikimi që ky zhvillim mund të ketë mbi projektin TID dhe mbi pronat e përfshira në gjurmën e tij, si dhe veprimet ligjore dhe institucionale që grupimi synon të ndërmarrë.
Qeveria shfuqizoi më 30 korrik vendimin nr. 442 të vitit 2020, me të cilin një pjesë e Durrësit ishte shpallur “zonë e re për zhvillim” dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte caktuar si njësi zbatuese. Në regjistrin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, PDyV-ja e Zonës 5 figuron tashmë me statusin “Shfuqizuar”.
Ky zhvillim ka rikthyer debatin mbi bazën juridike të vendimmarrjeve që lidhen me projektin TID. Më 1 shtator, Grupimi Qytetar Kundër Projektit TID Durrës, i mbështetur nga 65 banorë, i kërkoi Bashkisë së Durrësit dhe institucioneve qendrore pezullimin e projektit dhe sqarimin e pasojave që sjell shfuqizimi për procedurat e shpronësimit dhe pronat e prekura.
Gjatë forumit, përfaqësuesit e banorëve e konsideruan zhvillimin e fundit si rezultat të kundërshtimit të vazhdueshëm qytetar ndaj mënyrës se si është zhvilluar projekti.
“Rezultatet e arritura janë fryt i angazhimit të vazhdueshëm qytetar, protestave, veprimeve ligjore dhe kërkesës për transparencë dhe mbrojtjen e së drejtës së pronës”, tha për Median Amfora Entela Koja, përfaqësuese e banorëve.
Kundërshtitë ndaj projektit TID kanë vijuar prej muajsh përmes protestave dhe kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve. Bbanorët kanë kërkuar në vijimësi nga Bashkia e Durrësit informacion mbi fazën ku ndodhej projekti, ndryshimet e bëra pas konsultimeve dhe fatin e banesave dhe bizneseve të parashikuara për t’u prekur.
Projekti TID Durrës është një ndërhyrje urbane që përfshin qendrën historike pranë Amfiteatrit të Durrësit. Ai është zhvilluar në bashkëpunim mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit, me synimin e deklaruar për rijetëzimin e qendrës historike, restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e aktivitetit turistik.

Banorët që e kundërshtojnë kanë ngritur ndërkohë shqetësime për pronat e prekura, prishjet e planifikuara, procesin e shpronësimit dhe mungesën e transparencës. Kundërshtimet nuk lidhen më vetëm me vlerën e shpronësimeve, por me vetë prishjen e objekteve dhe mënyrën e zhvillimit të projektit në zonën historike.
Në pjesën e fundit të takimit u njoftua krijimi i Forumit Këshillimor Vendor (FKV), një strukturë që, sipas organizatorëve, synon të shërbejë për organizimin dhe përfaqësimin e qytetarëve, ofrimin e ekspertizës dhe pjesëmarrjen e komunitetit në çështjet që lidhen me zhvillimin vendor.
Projekti TID Durrës do të jetë çështja e parë ku do të fokusohet kjo strukturë, ndërsa organizatorët njoftuan se mënyra e funksionimit dhe programi i saj do të bëhen publike në vijim.
“Takimi shënoi një hap të ri, nga qëndresa dhe mbrojtja e pronës drejt një organizimi qytetar më të qëndrueshëm dhe një faze të re veprimi”, tha për Median Amfora Entela Koja, përfaqësuese e banorëve.