Mungesa e Xhamisë së Madhe në reklamën e një banke nxit debat në Durrës
Mungesa e Xhamisë së Madhe në një reklamë që paraqet sheshin “Iliria” në Durrës ka nxitur debat në rrjetet sociale. Rasti ka ngritur shqetësime për mënyrën se si paraqiten objektet fetare dhe trashëgimia kulturore në materialet e krijuara me inteligjencë artificiale.
Xhamia e Madhe në Durrës. Foto: Media Amfora
Një reklamë e Credins Bank ka shkaktuar debat në Durrës në fillim të nëntorit, pasi imami Ervin Qylafku reagoi ndaj mungesës së Xhamisë së Madhe në pamjen e sheshit “Iliria”, të krijuar me inteligjencë artificiale.
“I vetmi objekt që mungon, është Xhamia e Madhe, ndërtesë që në kohën e mbretërisë, jo mikroskopike, por e vendosur mbi një vend të lartë, që e bën atë të dukshme deri në kilometra larg”, shkroi Qylafku në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Reklama, e cila promovon Fondin e Pensionit të bankës, shfaq një burrë duke lëvizur me patina në sheshin qendror të qytetit. Në pamje dallohen Pallati i Kulturës, ndërtesa e Prefekturës, palmat dhe disa lokale, ndërsa mungon Xhamia e Madhe, një prej objekteve të njohura të qytetit.
Imami shprehu shqetësimin për mënyrën se si ishte paraqitur sheshi, por nuk e cilësoi mungesën e xhamisë si një veprim të qëllimshëm.
“Uroj që të mos jetë e qëllimshme dhe dikush t’ia dërgojë këtë shqetësim njerëzve përgjegjës të bankës Credins, për ta nxjerrë pamjen e sheshit siç është, pa shtrembërim”, shkroi ai.
Reagimi nxiti diskutime mes përdoruesve të rrjeteve sociale, të cilët shprehën qëndrime të ndryshme për reklamën. Disa e panë mungesën e xhamisë si shpërfillje ndaj komunitetit mysliman, ndërsa të tjerë e lidhën me mënyrën e realizimit të pamjeve.
“Nëse nuk kërkojnë të falur, myftinia të bëjë thirrje besimtarëve që ta bojkotojnë këtë bankë”, shkroi një komentues.
Një tjetër përdorues kundërshtoi interpretimin se objekti ishte lënë qëllimisht jashtë reklamës, duke argumentuar se pamja ishte përqendruar nga ndërtesa e bashkisë drejt Pallatit të Kulturës dhe jo nga ana e xhamisë.
Ndërsa një komentuese reagoi me ironi ndaj shqetësimit të imamit, duke shkruar se banka merret me shërbime financiare dhe jo me çështje fetare. Debati u shoqërua edhe me komente që e lidhën mungesën e objektit me qëndrimet ndaj besimit islam, pa paraqitur prova për një përjashtim të qëllimshëm.
Për të marrë një qëndrim mbi këtë çështje, Media Amfora iu drejtua Credins Bank me një kërkesë për koment.
“Ju informojmë se çështja e ngritur lidhur me reklamën e Fondit të Pensionit është sqaruar drejtpërdrejt me z. Ervin Qylafku…”, shkruhej në përgjigjen e bankës.
Credins Bank i sugjeroi Amforës t’i referohej postimit sqarues të imamit për një pasqyrim të plotë të situatës. Në përgjigjen me shkrim, banka nuk dha hollësi për mënyrën e realizimit të reklamës dhe as nuk sqaroi nëse materiali do të ndryshohej.
Në një reagim të dytë publik, Qylafku tregoi se kishte komunikuar me Ela Golemin, drejtoreshë rajonale e Credins Bank, e cila, sipas tij, kishte kërkuar ndjesë në emër të saj dhe stafit për incidentin.
“Ajo më garantoi që nuk ka pasur asgjë të qëllimshme dhe se realizimi i reklamës me AI është kryer nga një kompani në Kosovë e cila ka marrë si refenencë disa objekte dhe detaje të sheshit, pa dashur që të përjashtojë objetin e Xhamisë së Madhe”, shkroi imami.
Sipas Qylafkut, gjatë bisedës ishte diskutuar edhe rëndësia e respektimit të komunitetit mysliman si pjesë e shoqërisë.
“Përgjatë komunikimit theksi u vendos mbi faktin që myslimanët janë pjesë e pandashme e shoqërisë dhe nuk mund të trajtohen si komunitet margjinal”, shkroi ai.
Shpjegimi për kompaninë që realizoi reklamën dhe mungesën e qëllimit për të përjashtuar xhaminë vjen nga përshkrimi i bisedës që imami bëri publik. Banka, në përgjigjen e dërguar Amforës, konfirmoi komunikimin me të, por nuk dha më shumë hollësi.
Një debat i ngjashëm për mungesën e një objekti fetar në paraqitjen e një qyteti ka ndodhur edhe më parë. Në dhjetor të vitit 2025, një vepër artistike e dhuruar nga kryetari i Bashkisë së Beratit për ambasadorin e Italisë shkaktoi reagime pasi në pamjen e lagjes “Mangalem” mungonte minarja e Xhamisë së Beqarëve.
Në analizën e publikuar Amfora dokumentoi se e njëjta vepër ishte përdorur edhe në një aktivitet të mëparshëm të bashkisë. Myftiu i Beratit, Bilbil Talla, tregoi se kishte kërkuar sqarime nga kryebashkiaku Ervin Ceca, i cili i kishte shpjeguar se mungesa e minares nuk ishte e qëllimshme, por pasojë e pavëmendjes.
Ndryshe nga rasti i Beratit, ku bëhej fjalë për një dhuratë protokollare të një institucioni publik, në Durrës debati u përqendrua te një reklamë tregtare e realizuar me inteligjencë artificiale. Në të dy rastet, mungesa e një objekti fetar nga pamja e qytetit ngriti shqetësime për mënyrën se si paraqiten simbolet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Pas komunikimit me përfaqësuesen e bankës, imami i Durrësit e mbylli reagimin e tij duke falënderuar për sqarimin e marrë. Megjithatë, nga përgjigjja e Credins Bank nuk jepen detaje nëse reklama do të korrigjohet për të përfshirë edhe Xhaminë e Madhe.