Ndërtimet mbërrijnë në Kodër Vilë, trashëgimia arkeologjike dhe gjelbërimi përballë betonizimit
Miratimi i kompleksit “Pine Residences” në Kodër Vilë të Durrësit rrezikon trashëgiminë arkeologjike të zonës, ku më herët janë zbuluar varre romake dhe ndodhen monumente historike. Ndërtimi ngre shqetësime edhe për humbjen e gjelbërimit në një nga kodrat e pakta të mbetura me pisha në brendësi të qytetit dhe atij që dikur njihej si “Parku Rinia”.
Pamje nga lart e Kodër Vilës në Durrës, ku mes pishave dhe ndërtesave përreth ndodhet Vila e Mbretit Zog. Foto: Media Amfora.
Fillimi i nëntorit e ka gjetur të rrethuar me panele metalike njërin krah të rrugës “Anastas Durrsaku”, pak metra poshtë ndërtesës ikonike mbretërore, që njihet si “Vila e Mbretit Zog”, në një kodër piktoreske nga ku shquhet qyteti dhe deti.
Gardhi është vendosur përgjatë kodrës së mbuluar me pisha, në rrugën që të çon drejt saj dhe që njihet si ish-Parku Rinia, për të cilën tashmë është miratuar ndërtimi i një kompleksi rezidencial dhe hotelerie.
Urbanisti dhe planifikuesi Artan Kacani ngre shqetësime për ndërtimin në Kodër Vilë, si për trashëgiminë arkeologjike, ashtu edhe për gjelbërimin. Sipas tij, kodra mund të ruajë ende gjurmë të pazbuluara të lashtësisë, ndërsa plani urbanistik e përcakton si zonë të gjelbër natyrore, ku nuk duhet të lejohen ndërtime.
“Zona e Kodër Vilës, sipas Planit Rregullues të Planifikimit Urban, është një zonë e hapur, e gjelbër natyrore, çka do të thotë që kushdo që ka një pasuri të tillë, edhe sikur të jetë private, ka një pasuri natyrore dhe jo një truall për ndërtim”, tha Dr Kacani për Median Amfora.
Projekti “Pine Residences”, i propozuar nga kompania “Rajfi Group” sh.p.k., parashikon zhvillimin e një sipërfaqeje prej rreth 16 mijë metrash katrorë, pranë Vilës së Mbretit Zog. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar dokumentin e rregullores së veçantë për këtë zhvillim, ndërsa projekti ka vijuar procedurat për ndërtimin e kompleksit.
Sipas dokumentacionit të publikuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, projekti përfshin ndërtesa banimi dhe hotelerie, ambiente shërbimi dhe hapësira rekreative. Kompleksi është prezantuar publikisht edhe nga studioja italiane “Luca Dini Design & Architecture”, përmes renderave që pasqyrojnë se si do të duken ndërtesat.
Projekti zhvillimor rezulton se është planifikuar në një territor me potencial arkeologjik të dokumentuar ndër dekada. Studimet mbi nekropolin antik të Dyrrahut kanë evidentuar gjashtë varre të periudhës romake, të datuara në shekujt II-IV të Erës Sonë, në të dyja anët e rrugës që të çon drejt kuotës 98 metra, të njohur si zona e Vilës.
Gjetjet janë përshkruar nga arkeologu Fatos Tartari në studimin “Arkitektura e disa varreve të shekujve II-IV të erës sonë në Dyrrah”, të botuar në revistën shkencore “Monumentet”.
Në Kodër Vilë, poshtë Vilës së Mbretit Zog, ndodhet edhe Kulla Anzhuine, e njohur si Kulla e Barutit, një monument që dëshmon rëndësinë historike të kësaj pjese të qytetit.
Kjo trashëgimi e dokumentuar e vendos zhvillimin e ri përballë çështjes së mbrojtjes së gjurmëve arkeologjike gjatë ndërhyrjeve ndërtimore. Durrësi po vijon të përballet me projekte urbane në territore ku kërkimet shkencore kanë evidentuar struktura antike, siç dokumentoi Media Amfora në investigimin mbi planet e ndërtimit të 3 parkimeve nëntokësore të propozuara në qytet.
Përveç potencialit arkeologjik, Kodër Vila përfaqëson edhe një nga zonat e pakta të gjelbëruara të mbetura në Durrës. Sipërfaqja kodrinore e mbuluar me pisha është pjesë e një peizazhi që ka mbetur nën presionin e zhvillimeve urbane.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatat “Co-PLAN” dhe “Mileukontakt”, Durrësi humbi 8.7 hektarë hapësira të gjelbra gjatë periudhës 2015-2020.
Sipas lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit në nëntor të vitit 2024, projekti parashikon një kompleks me ndërtesa banimi, hotelerie dhe shërbimesh, me lartësi nga 1 deri në 7 kate mbi tokë dhe nga 1 deri në 3 kate nëntokë dhe sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit parashikohet 33.065 metra katrorë, nga të cilat 25.565 metra katrorë mbi tokë dhe 7500 metra katrorë nëntokë.
Përveç volumit të ndërtimit, prekja e nëntokës midis 1-3 kateve nëntokë me ndërtime, rrezikon ndjeshëm potencialin arkeologjik të zonës.
Projekti përballë vlerave arkeologjike
Ajo që kishte nisur të dëgjohej në zonë dy vite më parë për një kompleks që pritej të ndërtohej mori rrugë përmes vendimeve të qeverisë. Më datë 20 nëntor 2024, kryeministri Edi Rama e firmosi lejen e zhvillimit, duke i hapur rrugën ndërtimit të kompleksit me apartamente, ambiente hotelerie, restorante dhe shërbime të tjera, në kurorën e gjelbër pranë Vilës së Mbretit Zog.
Por dhe pse rëndësia arkeologjike e kësaj kodre është pjesë e vlerave të qytetit antik, duket se ajo nuk do t’i shpëtojë betonizimit. Në vitin 1978, arkeologu Fatos Tartari botoi në revistën shkencore “Monumentet” një studim për gjashtë varre të shekujve II-IV të erës sonë, të zbuluara në të dyja anët e rrugës që të çon drejt zonës së Vilës, pranë ish-Parkut Rinia.
Pesë prej varreve ishin ndërtuar me gurë dhe tulla, ndërsa njëri me tjegulla. Gjetjet tregojnë se kjo pjesë e kodrës është përdorur për varrime gjatë periudhës romake dhe se gjurmët arkeologjike janë zbuluar në disa pika të saj.
Për Kacanin, zbulimet e deritanishme nuk përjashtojnë praninë e gjurmëve të tjera arkeologjike në Kodër Vilë. Ai mendon se edhe pjesa e sipërme e kodrës, ku ndodhet Vila e Mbretit Zog, mund të ketë ruajtur dëshmi të besimeve dhe jetës së banorëve të Dyrrahut antik.
“Vetë Vila e Zogut është ngritur mbi një platformë të madhe që deri diku në antikitet apo në mesjetën e vonshme ka pasur një funksion të njohshëm, në një territor të identifikueshëm. Fare mirë gërmimet arkeologjike mund të nxjerrin që në pllajën e Vilës së Zogut mund të kenë qenë edhe tempuj të ndryshëm”, tha ai.
Pikërisht në këtë territor, projekti i ri parashikon apartamente, ambiente hotelerie, restorante, bare, pishina, palestra dhe hapësira argëtimi. Në dokumentacionin e bërë publik, afërsia me Vilën e Mbretit Zog, pamja drejt detit dhe natyra e kodrës paraqiten si përparësi të investimit.
Ndërkohë, kërkimet arkeologjike kanë zbuluar në afërsi të ish-Parkut Rinia edhe gjurmë të një banese antike. Në një tjetër studim, Tartari përshkruan një ndërtesë të zbuluar gjatë gërmimeve të viteve 1975 dhe 1980, në një pjesë të kodrës, rreth 59 metra mbi nivelin e detit.
Ajo kishte disa ambiente të vendosura rreth një oborri, duke treguar se në këtë zonë nuk kishte vetëm varre, por edhe ndërtime antike.
Për projektin “Pine Residences”, studioja italiane “Luca Dini Design & Architecture” ka zgjedhur pikërisht historinë e Durrësit si frymëzim. Në faqen e saj, studioja e paraqet kompleksin si një vendbanim të ngjashëm me një fortesë, me shtëpi të lidhura përmes rrugicave dhe shesheve.

Projekti përfshin edhe një amfiteatër të ri me shkollë muzike, ku synohet të organizohen koncerte dhe shfaqje, si dhe një hapësirë panoramike të frymëzuar nga fortifikimet historike të qytetit, teksa për ndërtimet parashikohet përdorimi i materialeve si guri dhe druri.
Por historia me pallatet e ndërtuara në dekadat e fundit dhe që kanë groposur në podrume apo rrafshuar gjurmët arkeologjike, u përsërit edhe në vitin 2019, ku gjatë punimeve për një kompleks me katër pallate pesëkatëshe, të zhvilluar nga një tjetër kompani, “Jedas” sh.p.k., u shkaktuan protesta të banorëve, të cilët ngritën shqetësime për prerjen e pemëve, rrezikun ndaj banesave dhe deri në alarmin për shakëtrrimin e gjurmëve arkeologjike.
Në korrik të atij viti, Amfora konstatoi zbulimin e mbetjeve arkeologjike gjatë gërmimeve, ndërsa autoritet e kulturës ndërhynë duke pezulluar përkohësisht punimet, deri në studimin e zbulimeve arkeologjike. Megjithëse u dokumentua të paktën prania e disa varreve të periudhës së antikitetit, ndërimet e finalizuan në vitet në vijim.
Në rastin e ndërtimit në Kodër Vilë procedurat e ndërtimit për kompleksin aty pranë vijuan më 18 prill 2025, kur projekti u përfshi në rendin e ditës të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për lejen e ndërtimit. Në fillim të nëntorit në zonë u shfaq rrethimin me panele metalike të pjesës së kodrës, duke penguar dhe lëvizjen e këmbësorëve në një anë të rrugës – e gjitha kjo në mungesë të një tabele informuese për projektin.
Pavarësisht gjetjeve dhe miratimit të projektit, ende nuk është sqaruar publikisht se si do të mbrohet trashëgimia arkeologjike e zonës gjatë ndërtimit të kompleksit.
Projekti përballë gjelbërimit
Pishat e larta që mbulojnë Kodër Vilën janë pjesë e gjelbërimit të pakët që i ka mbetur Durrësit. Ato shtrihen përgjatë kodrës, nga ish-Parku Rinia drejt Vilës së Mbretit Zog, duke krijuar një nga hapësirat e gjelbra më të dallueshme të qytetit.
Kodra është një nga mushkëritë e gjelbra të mbetura, por pikërisht në këtë zonë është miratuar ndërtimi i kompleksit në një sipërfaqe prej rreth 16 mijë metrash katrorë.
Pas projektit qëndron kompania “Rajfi Group” sh.p.k., e themeluar në vitin 1994 në Durrës. Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, ajo është një kompani private me status aktiv, që merret me ndërtime banesash, objektesh të tjera, rrugësh dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit.
Në vitin 2024, kompania deklaroi rreth 18.6 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti dhe një humbje prej rreth 15.7 milionë lekësh. Teksa një vit më parë kishte deklaruar rreth 63.2 milionë lekë të ardhura.
Ndërsa kompania përgatitet të zhvillojë kompleksin, dokumentet dhe pamjet e projektit e paraqesin gjelbërimin si një nga cilësitë kryesore të vendndodhjes, edhe emri “Pine Residences” lidhet me pishat që mbulojnë kodrën.
Projekti paraqet ndërtesa mes pemëve dhe kopshteve, por Kacani kundërshton idenë se një kompleks i ri mund të ruajë të njëjtën vlerë natyrore që ka sot kodra. Sipas tij, ndërtimi dhe gjelbërimi nuk mund të trajtohen si të barabartë në një zonë që është planifikuar për natyrën.
“Nuk ka të gjelbërta ndërtimore. Çfarëdo lloj gjëje që është ndërtimore dhe çimento, ajo nuk është në funksion të mjedisit dhe, mbi të gjitha, është në kundërshtim me Planin Rregullues. Pra, nuk mund të ekzistojë një ekuilibër ndërmjet zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës në një zonë ku ekskluzivisht duhet të ketë vetëm natyrë”, u shpreh Kacani.
Mënyra se si është miratuar ndërtimi ka sjellë edhe reagime nga Lëvizja Bashkë. Aktivisti Ylli Tafaruçi tha se lëvizja ku ai është pjesë e ka kundërshtuar projektin që në vitin 2025 dhe ka reaguar përsëri në prill të vitit 2026. Sipas tij, një vendim që prek një nga zonat e gjelbra të Durrësit nuk duhej të merrej pa pyetur qytetarët.
“Aprovimi i kësaj lejeje pa konsultimin e asnjë qytetari, në një nga zonat kryesore të qytetit si nga ana mjedisore dhe nga ana urbanistike, përbën një problem shumë të madh”, u shpreh Tafaruçi për Median Amfora.
Në prezantimin e studios ndërtesat janë menduar të kenë pamje drejt detit dhe lidhje me natyrën përreth. Projekti përshkruhet si një vend ku banimi, shëtitjet dhe hapësirat e përbashkëta do të ndërthuren me peizazhin.
Por pemët dhe kopshtet e paraqitura në pamjet e projektit nuk tregojnë sa nga pishat që ndodhen sot në kodër do të ruhen dhe sa do të preken nga ndërtimi.
Humbja e gjelbërimit është një problem i dokumentuar në Durrës. Sipas të dhënave të organizatave “Co-PLAN” dhe “Mileukontakt Shqipëri”, të publikuara në vitin 2021, qyteti humbi 8.7 hektarë hapësira të gjelbra gjatë periudhës 2015-2020.
Brenda pesë viteve u humbën rreth 87 mijë metra katrorë gjelbërim, në zonën urbane të marrë në studim kishin mbetur vetëm 23.53 hektarë hapësira të gjelbra.
Përveç hapësirës së gjelbër që mund të humbasë, Kacani tërheq vëmendjen edhe te roli i kodrës për ajrosjen e qytetit. Ai shpjegon se kjo pjesë e Durrësit ka shërbyer prej dekadash si hapësirë natyrore dhe vend pushimi për qytetarët.
“Qyteti i Durrësit, nëpërmjet këtij lloj ndërtimi, do të humbasë një peizazh natyror, të cilin mund ta quajmë si mushkëria e ventilimit, ajrosjes, erërat e detit, të cilat depërtojnë brenda qytetit duke sjellë oksigjen, duke e pasuruar qytetin me atë çka është klimë mesdhetare”, tha ai.
Humbja e hapësirave të gjelbra është edhe një nga shqetësimet që i riu Ylli Tafaruçi ngre për zhvillimin e qytetit ku jeton. Sipas tij, ndërtimet e shumta kanë zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në Durrës, ndërsa zonat e mbetura me pemë po përballen me të njëjtin presion.
“Durrësi ka nevojë për pika të gjelbra. Intensiteti i ndërtimeve në Durrës është alarmant”, theksoi aktivisti.
Të dhënat tregojnë se Durrësi ka humbur një pjesë të konsiderueshme të gjelbërimit, ndërkohë, projekti i ri në Kodër Vilë parashikon ndërtesa banimi, hotelerie dhe shërbime.
Megjithëse projekti e përdor gjelbërimin si një nga përparësitë e tij, ende nuk është sqaruar publikisht sa pemë do të priten, sa do të ruhen dhe çfarë sipërfaqeje e gjelbër do të mbetet pas ndërtimit.
Teksa Durrësi nuk e ka luksin të humbasë një tjetër hapësirë të gjelbër, edhe vetë kompania zhvilluese është përfshirë më parë në debatet për humbjen e hapësirave arkeologjike dhe sportive të qyetit.
Aktiviteti ndërtimor i “Rajfi” në Durrës shtrihet në disa prej territoreve që kanë njohur transformime të rëndësishme urbane gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2010, shoqëria “Rajfi”, së bashku me kompaninë “Xhemf”, u përfshi në zhvillimin ndërtimor të ish-lulishtes “1 Maji”, ku gërmimet arkeologjike zbuluan struktura të një lagjeje të periudhës romake.
Projekti u shoqërua me debate për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe integrimin e saj në ndërtesat e reja, teksa megjithëse autoritetet e kulturës kërkuan që të ruhet dhe sot është muzealizuar një pjesë e kryqëzimit të rrugës antike, lagjja e cilësuar si “Pompei shqiptar” pothuajse i rrafshua tërësisht nga ndërtimi i 3 komplekseve të banimit.
Në shkurt të vitit 2015, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë refuzoi projektin për ndërtimin e një godine shërbimi dhe parkimi shumëkatësh përballë Postës së Durrësit dhe pranë ish-lulishtes “1 Maji”.
Projekti i kompanisë parashikonte ndërhyrjen në një territor me potencial të lartë arkeologjik. Sipas vendimit të datës 18 shkurt 2015, projekti u refuzua mbështetur në zbulimet e rëndësishme të realizuara në truallin ngjitur, përfshirë struktura antike, rrugë dhe kanalizime, që dëshmonin për vijimësinë e tyre edhe në sipërfaqen e propozuar për ndërtim.
Në vitin 2019, emri i “Rajfit” shfaqet në dokumentacionin e lejeve për ndërtimin e një objekti dhjetëkatësh në ish-Parkun Sportiv të Durrësit, ku u rrafshua hapësira e fushave të tenisit dhe të basketbollit, përfshirë disa haëpsira që përdorura nga administrata e Bashkisë Durrës, që u dhanë për zhvillim me qëllimin që të përfitoheshin ambiente të reja pas ndërtimit të kompleksit të pallatit me disa seksione.
Për të realizuar planin e ndërtimit, që në vitin 2016, Këshilli Bashkiak i Durrësit kishte vendosur të vinte në dispozicion për ndërtim hapësirën e një objekti prej 980 metrash katrorë që e zotëronte në këtë territor, kundrejt shkëmbimit në natyrë, me detyrimin që investitori t’i dorëzonte Bashkisë Durrës 1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimore bruto në kompleksin e ri. Projekti i prezantuar nga “Rajfi Group” me një sipërfaqe të përgjithshme prej 32 mijë metrash katrorë dhe lartësi deri në dhjetë kate mbi tokë, vijon të jetë në ndërtim prej gati 10 vitesh dhe Bashkia Durrës vijon të mos ketë përfituar sipërfaqet e shkëmbyera prej saj.
Zhvillimet vijuan në vitin 2024, kur “Rajfi Group” mori leje zhvillimi për kompleksin rezidencial, hotelier dhe të shërbimeve në Kodër Vilë, ndërsa shoqëria “Rajfi” paraqiti edhe projektin “Durrës Tower”, me struktura të projektuara deri në 32 kate, një kullë që planifikohet të ngrihet pranë hapësirës së pishinës publike të qyetit.
Planifikuesi urban Artan Kacani kujtoi se Kodër Vila ka shërbyer prej dekadash jo vetëm si hapësirë e gjelbër, por edhe si vend pushimi dhe argëtimi për banorët e Durrësit.

Sipas tij, ky rol i rëndësishëm i kodrës në jetën e qytetit është ruajtur ndër dekada, që nga periudha e pranisë italiane, kur aty ndodhej Legata Italiane dhe një spital i njohur si “Spitali i Kuq”, që shërbente jo vetëm për trajtimin e të sëmurëve, por edhe si vend pushimi dhe çlodhjeje për ushtarakët italianë.
“Kjo ka qenë një nga karakteristikat e planifikimit urban të qytetit të Durrësit që në momentet e themelimit dhe përdorimit të Kodër Vilës, duke filluar nga vitet 1920-1930, në periudhën e Italisë deri në ditët e sotme”, u shpreh Kacani.
Sipas titj edhe planet e mëvonshme urbanistike e parashikonin këtë zonë për gjelbërim, shëtitje dhe argëtim, me hapësira të hapura për qytetarët, si amfiteatro natyrore, kinema verore dhe fusha sportive.
Përtej gjelbërimit që mund të humbasë, aktivisti Ylli Tafaruçi foli me shqetësim edhe për ndryshimin e pamjes së Kodër Vilës. Ai e cilëson kodrën një zonë të ndjeshme dhe paralajmëron se ndërtimi i kompleksit mund të ndryshojë një nga pjesët më të dallueshme të qytetit.
“Ajo kodër është delikate. […] Peizazhi do të modifikohet plotësisht. Fakti që aty po ndërtohet një resort në pjesën më të dallueshme të qytetit e bën një rrezik të madh për identitetin e qytetit”, përfundoi ai.