Nëntë muaj kundërshti ndaj projektit TID, banorët ende pa transparencë
Prej nëntë muajsh, banorë të prekur nga projekti TID në Durrës vazhdojnë të përballen me pasiguri, mungesë informacioni dhe frikë për prishje. Pas protestës së radhës, ata i janë drejtuar sërish Bashkisë së Durrësit me një kërkesë zyrtare, ku kërkojnë transparencë për projektin dhe sqarime mbi fatin e banesave të tyre.
Gjatë protestë së organizuar të mërkurën para Bashkisë Durrës. Foto: Faqja "Projekti TID" në rrjetet sociale.
Banorë që kundërshtojnë projektin TID në Durrës protestuan sërish të mërkurën para Bashkisë, duke kërkuar rishikim të projektit dhe ndalimin e çdo procesi që ka lidhje me prishjen e objekteve në pronësi të tyre, banesa dhe biznese.
“Insistimi ynë prej nëntë muajsh është se projekti ka pasaktësi dhe informacione të gabuara”, tha përpara gazetarëve Entela Koja, përfaqësuese e banorëve.
Banorët thanë se prej muajsh po kërkojnë sqarime mbi projektin dhe mënyrën se si do të ndikohen banesat e tyre. Një përfaqësi e tyre u mblodh sërish në sheshin përpara bashkisë së qytetit, duke protestuar me pankarta.
“Kemi nëntë muaj që insistojmë tek Bashkia. Me fjalë që gënjejnë këta se janë zgjedhjet dhe po rrinë qetësi t’i harrojnë”, tha banorja Marjeta Kazazi.
Një përfaqësi e banorëve u takua më herët në Bashkinë e Durrësit me drejtoreshën ligjore Arlenda Roshi, ndërsa u depozitua një kërkesë zyrtare drejtuar kryetares Emiriana Sako.
Në kërkesën drejtuar institucionit vendor, banorët kërkuan informacion mbi fazën aktuale të projektit TID, ndryshimet e bëra pas konsultimeve dhe institucionet përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e tij. Ata kërkuan gjithashtu transparencë mbi mënyrën se si do të vijojë procesi për objektet që preken nga projekti, si edhe zhvillimin e një takimi me kryebashkiaken Emiriana Sako.
Projekti TID është një plan ndërhyrjeje urbane që përfshin zonën historike pranë Amfiteatrit të Durrësit dhe synon transformimin e saj përmes rindërtimit dhe zhvillimit urban. Banorët e kundërshtojnë projektin prej nëntë muajsh, duke pretenduar se ai përmban pasaktësi, mungesë transparence dhe rrezikon prishje të panevojshme të banesave në një prej zonave më të vjetra të qytetit.
Banorët thanë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet më me vlerën e shpronësimeve, por me vetë prishjet dhe mënyrën se si po vijon projekti në zonën historike. Ata kërkuan gjithashtu që Ministria e Kulturës të japë afate dhe sqarime për rishikimin e objekteve që preken nga projekti.
“Ne nuk jemi për prishje dhe as për shpronësime aty ku nuk ka nevojë të shpronësohet gjë”, tha Entela Koja.
Bashkia e Durrësit nuk pati asnjë reagim publik në lidhje me protestën e banorëve dhe takimin që përfaqësues të tyre zhvilluan me drejtoreshën ligjore Arlenda Roshi.