Raporti: Mbi gjysma e vendimeve për lirinë e shprehjes kanë tregues të padive frikësuese
Një studim mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri zbuloi se 171 nga 333 vendime gjyqësore të analizuara kishin tregues të padive që mund të përdoren për të frikësuar gazetarët dhe për të penguar raportimin. Proceset e gjata dhe kërkesat për dëmshpërblime të mëdha mund t’i rëndojnë mediat edhe kur paditë rrëzohen.
Sallë gjyqi. Foto ilustruese Media Amfora
Gazetarët dhe mediat në Shqipëri përballen me padi gjyqësore që mund të përdoren për t’i frikësuar dhe për t’i penguar në punën e tyre. Një studim i ri, që shqyrtoi 333 vendime gjyqësore të viteve 2022-2026, zbuloi se në 171 prej tyre kishte tregues se paditë mund të përdoreshin për presion, ndërsa 50 raste paraqisnin rrezik të lartë.
“Këto raste tregojnë se efekti frenues mund të prodhohet edhe kur padia rrëzohet, akuza përfundon me pafajësi ose procesi pushohet”, shkruhet në studimin e përgatitur nga Dorian Matlija dhe Irena Dule.
Të dhënat u publikuan të premten nga Qendra “Res Publica”, në studimin me titull “Liria e shprehjes në praktikën gjyqësore 2022-2026”, i cili shqyrton mënyrën se si gjykatat shqiptare trajtojnë çështjet që lidhen me lirinë e shprehjes.
Në qendër të gjetjeve janë edhe paditë e njohura si “SLAPP”, një term që përdoret për proceset gjyqësore që synojnë ose mund të kenë si pasojë frikësimin dhe pengimin e personave që informojnë publikun. Ato mund të drejtohen kundër gazetarëve, mediave, aktivistëve apo organizatave që denoncojnë probleme me interes publik.
Një nga shqetësimet kryesore është se presioni nuk ushtrohet vetëm përmes vendimit përfundimtar të gjykatës. Edhe kur padia rrëzohet, një gazetar mund të ketë kaluar vite duke paguar avokatë, duke marrë pjesë në seanca dhe duke pritur përfundimin e procesit.
Studimi sjell rastin e një gazetareje dhe dy mediave që u përballën me një kërkesë për dëmshpërblim prej 5 milionë lekësh. Procesi u pushua në vitin 2024, rreth katër vjet pas nisjes, për shkak të mungesës së pajustifikuar të palës paditëse.
Edhe pse gjykata nuk shqyrtoi në themel pretendimet, autorët vlerësojnë se shuma e kërkuar, kohëzgjatja dhe rrethanat e çështjes përbënin tregues të fortë të presionit që mund të shkaktojë një proces gjyqësor.
Një tjetër rast lidhet me një kërkesë për dëmshpërblim prej 500 mijë eurosh ndaj disa subjekteve, për publikime që trajtonin mbylljen e një sektori dhe situatën e punonjësve. Edhe ky proces përfundoi pa një vendim mbi pretendimet, pasi paditësi u tërhoq pas afro katër vitesh.
Në një çështje të vitit 2026, të shqyrtuar nga Gjykata e Tiranës, kërkesat për dëmshpërblim ndaj disa mediave arritën në 680 mijë euro. Gjykata urdhëroi gjithashtu heqjen e menjëhershme të artikujve dhe bllokimin e aksesit publik në to deri në përfundimin e gjykimit.
Sipas studimit, kjo masë u vendos pa një analizë të mjaftueshme të ndikimit mbi lirinë e shprehjes dhe pa shqyrtuar mundësi të tjera që do të kufizonin më pak publikimin. Autorët vërejnë se pretendimi për dëmtimin e reputacionit nuk ishte domosdoshmërisht i pabazuar, por mënyra e ndërhyrjes krijonte shqetësime serioze për lirinë e medias.
Në rastet e analizuara janë konstatuar edhe procese që kanë zgjatur deri në 17 vjet. Për një gazetar apo një redaksi, kjo mund të nënkuptojë vite pasigurie dhe shpenzimesh, pavarësisht se si përfundon çështja.
Studimi vëren se paditë mund të rëndojnë edhe më shumë kur për të njëjtin publikim hapen disa procese, kur kërkohet njëkohësisht dëmshpërblim dhe heqja e artikullit, apo kur paditen si autori, ashtu edhe media që e ka publikuar ose ripublikuar materialin.
Megjithatë, autorët bëjnë një dallim të rëndësishëm: 171 vendimet me tregues rreziku nuk janë domosdoshmërisht 171 padi të provuara si “SLAPP”. Këta tregues shërbejnë për të identifikuar rastet që kërkojnë shqyrtim më të hollësishëm, pa paragjykuar qëllimin e personit që ka ngritur padinë.
Po ashtu, 333 vendimet nuk përfaqësojnë të gjitha proceset gjyqësore për lirinë e shprehjes në Shqipëri. Ato janë vendimet që autorët kanë mundur të identifikojnë dhe analizojnë, duke përfshirë çështje civile, penale, administrative dhe kushtetuese deri më 31 korrik 2026.
Problemet nuk kufizohen te paditë me tregues “SLAPP”. Studimi evidenton se gjykatat shqiptare shpesh i referohen standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por jo gjithmonë i zbatojnë ato në mënyrë të plotë kur vendosin nëse një shprehje duhet të mbrohet apo të kufizohet.
Kjo ka rëndësi të veçantë për gazetarinë investigative dhe raportimet që trajtojnë zyrtarët publikë, korrupsionin, përdorimin e fondeve shtetërore dhe çështje të tjera që prekin qytetarët.
Në të njëjtën kohë, studimi evidenton edhe zhvillime pozitive në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Mes tyre është vendimi i vitit 2025 për mbrojtjen e burimeve gazetareske në çështjen e gazetarit Elton Qyno, si dhe vendimi i vitit 2026 për shfuqizimin e bllokimit të TikTok-ut.
Megjithatë, përmirësimet në disa vendime nuk kanë sjellë ende një praktikë të njëjtë në të gjitha gjykatat.
Për këtë arsye, autorët rekomandojnë që gjykatat të identifikojnë që në fazat e para proceset me tregues të mundshëm “SLAPP”, duke marrë parasysh shumën e dëmshpërblimit të kërkuar, pabarazinë ndërmjet palëve, rëndësinë publike të informacionit dhe pasojat që gjykimi mund të ketë mbi gazetarin.
Rekomandime i drejtohen edhe Gjykatës së Lartë dhe Shkollës së Magjistraturës, për të përmirësuar mënyrën se si gjyqtarët trajtojnë konfliktet mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes.
Gjetjet tregojnë se një padi nuk ka nevojë të fitohet për të krijuar pasoja mbi punën e medias. Kur një gazetar përballet për vite me shpenzime, pasiguri dhe kërkesa të larta financiare, rreziku është që procesi gjyqësor të ndikojë jo vetëm te një publikim, por edhe te gatishmëria për të trajtuar çështje të tjera me interes publik.