Pagat e bllokuara çojnë në bojkot administratën e gjykatave në Tiranë

Administrata dhe sekretarët gjyqësorë të Gjykatës së Tiranës ndërprenë të martën shërbimet për shkak të mosmarrjes së pagave të gushtit, ndërsa bojkotit iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Apelit. Në Gjykatën e Tiranës dhe në Apel po zhvillohen vetëm seancat që lidhen me masat e sigurisë.

Punonjësit e administratës dhe sekretarët gjyqësorë të Gjykatës së Tiranës ndërprenë të martën shërbimet për shkak të pagave të muajit gusht që ende nuk janë ekzekutuar, duke sjellë pezullimin e seancave gjyqësore, me përjashtim të atyre për masat e sigurisë. 

Bojkoti përfshiu administratën e Dhomës Civile dhe Penale, ndërsa punonjësit u grumbulluan jashtë ambienteve të gjykatës në pritje të zgjidhjes së ngërçit me pagat.

Bojkotit iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku shërbimet u ndërprenë dhe po zhvillohen vetëm seancat që lidhen me masat e sigurisë. 

Situata vjen pas ngërçit të krijuar me ekzekutimin e pagave në sistemin e drejtësisë, pas përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit për ndryshimet ligjore të nevojshme për pagat e magjistratëve.

Kuvendi nuk i miratoi ndryshimet brenda afatit të 31 korrikut, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan më pas pagat duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Listëpagesat e përllogaritura sipas formulës së re nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.

Gjykata Kushtetuese reagoi të hënën për ngërçin, duke ritheksuar se vendimi i saj për pagat e magjistratëve është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.

“Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, deklaroi Gjykata Kushtetuese.

Gjykata sqaroi gjithashtu se mënyra se si ka përllogaritur dhe ekzekutuar pagat brenda administratës së saj nuk mund të përdoret për të përcaktuar efektet juridike të vendimit apo detyrimet e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij.