Ngërçi me pagat e magjistratëve, Kushtetuesja kërkon zbatimin e vendimi
Gjykata Kushtetuese kërkoi të hënën zbatimin e vendimit të saj për pagat e magjistratëve, pas ngërçit të krijuar me listëpagesat e muajit gusht. Gjykata sqaroi se mënyra si ka përllogaritur pagat e administratës së saj nuk përcakton detyrimet që vendimi sjell për autoritetet përgjegjëse.
Sallë gjyqi. Foto ilustrative Media Amfora
Gjykata Kushtetuese ritheksoi të hënën se vendimi i saj i 17 shkurtit për pagat e magjistratëve është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim, ndërsa sqaroi se mënyra si ajo ka ekzekutuar pagat e veta nuk mund të përdoret për të përcaktuar efektet juridike të vendimit.
Reagimi vjen pas ngërçit të krijuar me pagat e muajit gusht për magjistratët dhe punonjësit e administratës së institucioneve të drejtësisë. Ministria e Financave u kishte kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që listëpagesat të hartoheshin sipas formulës së mëparshme, deri në miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve ligjore.
Në argumentimin e saj, Ministria e Financave kishte evidentuar edhe se vetë Gjykata Kushtetuese kishte paraqitur listëpagesën e gushtit duke përdorur parametrat e muajit korrik.
Gjykata Kushtetuese sqaroi të hënën se mënyra e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e saj të brendshëm, në varësi të fondeve buxhetore, nuk përcakton efektet juridike të vendimit dhe detyrimet që ai sjell për autoritetet përgjegjëse.
“Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Sipas Gjykatës, vendimi nr. 15 i 17 shkurtit ka përcaktuar standardin kushtetues dhe detyrimet për autoritetet përgjegjëse, ndërsa arsyetimi dhe dispozitivi duhet të lexohen dhe zbatohen në tërësinë e tyre.
Ngërçi lidhet me vendimin e Kushtetueses që shfuqizoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 për formulën e pagave të magjistratëve. Gjykata vlerësoi se ndryshimet kishin sjellë një “ulje të fshehtë” të vlerës reale të pagës dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve të nevojshme.
Pas përfundimit të afatit pa ndryshimet ligjore, KLGJ vendosi më 26 gusht të përcaktonte pagat e gjyqtarëve duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ministria e Financave argumentoi më pas se ndryshimi i formulës kërkon ndërhyrjen e Kuvendit dhe sugjeroi përdorimin e përkohshëm të formulës së mëparshme. KLGJ e kundërshtoi këtë qëndrim, duke argumentuar se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.