Zjarret prekin banesa në Himarë, situata mbetet problematike në Levan
Zjarri shkaktoi dëme në 6 banesa në Himarë dhe 36 persona u evakuuan, ndërsa Forcat e Armatosura vijuan operacionet gjatë natës. Situata mbetet problematike edhe në Levan, ku po ndërhyhet nga ajri për të penguar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Efektivë gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Himarë. Foto: Ministria e Mbrojtjes.
Gjashtë banesa u përfshinë nga flakët dhe 36 persona u evakuuan në Himarë pas përhapjes së zjarrit të premten, ndërsa të shtunën Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave vijojnë ndërhyrjen nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Gjatë natës situata paraqitej e rrezikshme në Potam, ndërsa të shtunën operacionet u përqendruan në kodrën e Pilurit.
Përkeqësimi i situatës detyroi të premten evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, pasi Bashkia Himarë u bëri thirrje të largoheshin.
“Bashkia Himarë u bën thirrje banorëve të zonave të prekura nga zjarri që të zbatojnë menjëherë kërkesën për evakuim, për garantimin e sigurisë së tyre dhe të familjeve”, njoftoi institucioni.
Forcat e Armatosura vijuan operacionin edhe gjatë natës. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur të shtunën se 171 efektivë, 10 mjete në terren, një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë të Forcave të Armatosura ishin në gatishmëri në Himarë.
Situata mbetet problematike edhe në Levan. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi nga terreni se përparësi mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe pengimi i avancimit të flakëve drejt zonave të banuara.
Sipas tij, në operacion është ndërhyrë nga ajri me dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë edhe në zona të tjera të vendit. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se vëmendja kryesore mbetet në Malin e Dajtit, ku 30 efektivë të Forcave të Armatosura po ndërhyjnë në terren, të mbështetur nga një helikopter. Sipas institucionit, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Pukë situata ka shënuar përmirësim. Zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes. Në zonë janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura, mjete dhe një helikopter.
Forca Tokësore njoftoi gjithashtu se operacionet vijojnë në zonat përreth Matit, Lezhës dhe Fierit, ku efektivët po punojnë në koordinim me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit dhe pushtetin vendor për izolimin dhe shuarjen e vatrave, si dhe mbrojtjen e zonave të banuara.