Kamionët u paraqitën si “ushtri” kundër protestuesve në Tiranë

Publikime në media i paraqitën pamjet e kamionëve të cilësuar si ushtarakë në Tiranë si dëshmi të angazhimit të ushtrisë kundër studentëve. Artikujt nuk paraqesin një urdhër apo konfirmim për këtë mision, ndërsa Kushtetuta përcakton kushte të posaçme për ndërhyrjen e Forcave të Armatosura për rivendosjen e rendit.

Portali Syri.net publikoi mesditën e së enjtes gjatë protestave në Tiranë, pretendimin se kryeministri Edi Rama po dërgonte ushtrinë kundër studentëve, duke iu referuar pamjeve të kamionëve që, sipas redaksisë, lëviznin drejt qendrës së kryeqytetit.

“Edi Rama po sjell edhe ushtrinë kundër studentëve protestues, tek kryeministria”, shkruhej në lajmin e medias Syri. net. Artikulli nuk citonte një institucion që të konfirmonte destinacionin apo detyrën e mjeteve. 

Pretendimi të ngjashme u shfaq edhe në media të tjera edhe një ditë më parë. Lajmifundit.al në një artikull të publikuar vë theksin tek dalja e mjeteve të ushtrisë në rrugë. Megjithëse titulli e shtronte si pyetje daljen e ushtrisë, teksti e paraqiste angazhimin kundër studentëve si fakt, pa sjellë konfirmim institucional. “Edi Rama po sjell edhe ushtrinë kundër studentëve protestues, tek kryeministria”, shkruhej në brendësi të shkrimit të shoqëruar me foto të disa kamionëve që shfaqen në rrugë.

Edhe nëse automjetet identifikohen si ushtarake, prania e tyre në rrugë nuk provon faktin se janë dërguar për të ndërhyrë ndaj protestuesve. 

Për ndërhyrjen në rivendosjen e rendit, Kushtetuta parashikon një procedurë të posaçme. Sipas nenit 173, Kuvendi mund të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme me kërkesë të Këshillit të Ministrave, kur rrezikohen rendi kushtetues dhe siguria publike.

Pas vendosjes së saj, ndërhyrja e Forcave të Armatosura kërkon vendim të Kuvendit dhe lejohet vetëm kur policia nuk është në gjendje të rivendosë rendin. Një urdhër i kryeministrit apo ministrit të Mbrojtjes nuk e zëvendëson këtë procedurë. 

Protestat në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit vijojnë, por nuk ka konfirmim zyrtar për angazhimin e ushtrisë kundër protestuesve pasi nuk ka vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.