Protesta e të rinjëve, kaotike situata në Durrës 

Bojkoti i mësimit në Durrës u kthye në një marshim të studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë, në mbështetje të protestave në Tiranë. Grumbullimi në qendër të qytetit u shoqërua me zjarre në sheshin “Liria” dhe dëmtime në godinën e Prefekturës.

Studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe të rinj të tjerë u mblodhën të enjten në Durrës, në mbështetje të protestave studentore në Tiranë, duke e zhvendosur tubimin nga universiteti drejt qendrës së qytetit.

“Rama, jep dorëheqjen”, ishte një nga thirrjet e raportuara gjatë grumbullimit në universitet, ku pjesëmarrësit kërkuan që studentët të linin auditorët dhe t’i bashkoheshin marshimit.

Marshimi, i përshkruar fillimisht si paqësor në Durrës, u pasua nga incidente në qendër. Përpara bashkisë, ku ishin vendosur forca policie, një grup protestuesish hodhi vezë dhe kasolla.

Në sheshin “Liria”, pjesëmarrës në tubim shkulën flamuj të vendosur për Bienalen dhe ndezën dy vatra zjarri me to. Pati gjithashtu dëmtime të kazanëve të mbeturinave, ndërsa të rinjtë u bënin thirrje qytetarëve të bashkoheshin.

Zjarri i vënë përpara Bashkisl Durrës gjatë protestës. Foto: Media Amfora

Incidentet u shtrinë edhe te Prefektura. Disa protestues thyen xhamat, hynë në godinë dhe dëmtuan objekte në hyrje të institucionit. Këto raportime nuk shoqëroheshin me një bilanc zyrtar të dëmeve apo me identifikimin e personave përgjegjës.

Mobilizimi në Durrës pasoi protestën e nisur më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku kërkesat për kushte më të mira studimi u shoqëruan me përplasje, të lënduar dhe denoncime për dhunë.

Gjatë protestës në Durrës. Foto: Media Amfora

Në Durrës, viti akademik kishte nisur gjithashtu me protestë më 5 tetor, gjatë inaugurimit të godinës së re në kampusin e Spitallës, ku universiteti kishte njoftuar pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk mori pjesë.