“Jemi me ju, mos na dëmtoni”, bizneset solidarizohen në distancë me protestuesit
Pas disa ditësh protestash dhe dëmtimesh të pronës në Tiranë, disa biznese kanë vendosur mesazhe mbështetjeje për të rinjtë në hyrjet e dyqaneve të tyre. Ndërsa kërkojnë të mos u dëmtohen ambientet ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve.
“Jemi me ju, mos na dëmtoni”, mesazhi i një biznesi në Tiranë drejtuar protestuesve. Foto: Media Amfora
“Protestoni për të drejtat tuaja, por mos shkatërroni mundin tonë. Jemi me ju, jo kundër jush”, shkruhet në një letër të ngjitur në qepenin metalik të një biznesi në Tiranë.
Mesazhi shoqërohet nga një zemër e kuqe, ndërsa në një tjetër dyqan lexohet thirrja: “Jemi me ju, mos na dëmtoni”.
Fletët janë vendosur në hyrjet e bizneseve përgjatë rrugëve ku kanë kaluar protestuesit. Fotografitë e siguruara nga Media Amfora tregojnë një mënyrë të veçantë me të cilën tregtarët shprehin solidaritet me të rinjtë, por njëkohësisht kërkojnë mbrojtjen e pronës së tyre.

Një tjetër biznes në Tiranë me qepenat e ulur dhe mesazhe solidariteti për protestuesit. Foto: Media Amfora
Prej 13 tetorit, Tirana është përfshirë nga protesta të studentëve dhe të rinjve, të cilët kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar ndryshime, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë ditëve të para, tubimet u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Në disa rrugë të kryeqytetit u dëmtuan vitrina, dyer dyqanesh, ambiente bankare dhe prona të tjera publike e private.

Biznese me qepenat e ulur në Rrugën e Durrësit, Tiranë. Foto: Media Amfora
Mes zonave të prekura ishte edhe Rruga e Durrësit, ku disa biznese ulën qepenat dhe vendosën mesazhe që u kërkonin protestuesve të mos dëmtonin ambientet e tyre.
Ende nuk është publikuar një bilanc përfundimtar i vlerës së dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.
Të shtunën, më 17 tetor, kryeministri Edi Rama vizitoi disa biznese të dëmtuara dhe, përmes një njoftimi zyrtar, prezantoi hapësirën “Dëmi im” në platformën e-Albania.
Ai njoftoi gjithashtu angazhimin e dhjetë grupeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për verifikimin e dëmeve në terren, ndërsa premtoi mbështetje dhe kompensim pas përfundimit të procesit.
Ndërkohë, mesazhet në qepenat e dyqaneve vijojnë t’u drejtohen protestuesve me një kërkesë të thjeshtë: të ushtrojnë të drejtën e protestës, pa dëmtuar punën dhe pronën e të tjerëve.