Gjykata lë të lirë 14 protestuesit e arrestuar pas tensioneve para Kryeministrisë
Gjykata e Tiranës la të lirë pa asnjë masë sigurie 14 protestuesit e arrestuar pas tensioneve të 1 shtatorit para Kryeministrisë. Prokuroria kishte kërkuar “detyrim paraqitje” dhe ndalimin e qëndrimit në zona të caktuara të Tiranës.
Gjatë protestave të “Revolucionit të Flamingove”, në Tiranë. Foto: Media Amfora
Gjykata e Tiranës la të lirë të premten 14 protestuesit e arrestuar pas tensioneve të 1 shtatorit para Kryeministrisë, pasi kishin qëndruar të izoluar për rreth 72 orë.
Gjykata e cilësoi arrestimin të paligjshëm dhe nuk caktoi ndaj tyre asnjë masë sigurie. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i qëndrimit në një vend të caktuar”.
Gjatë seancës, protestuesit kishin kërkuar deklarimin e paligjshëm të arrestimit dhe lirimin pa masë sigurie, duke pretenduar se nuk kishin kryer vepër penale.
Një prej avokatëve, Gentian Serjani, bëri të ditur se për 4 protestuesit që ai përfaqësonte, Prokuroria kishte kërkuar që ndalimi i qëndrimit të përfshinte Komisariatet nr. 1, 2 dhe 3, si dhe të gjithë territorin që ato mbulojnë.
“Praktikisht, kjo do të thotë ndalim i qëndrimit në një pjesë të konsiderueshme të Tiranës”, shkroi Serjani në një postim në rrjetet sociale.
Avokati e kundërshtoi kërkesën, duke e lidhur atë me të drejtën e protestës dhe pjesëmarrjes në jetën publike.
“Një kërkesë absurde, me një qëllim të qartë: kufizimin e së drejtës kushtetuese për protestë dhe pjesëmarrje në jetën publike”, shkroi ai.
Ndërkohë, jashtë Gjykatës së Tiranës u mblodhën qytetarë dhe aktivistë, të cilët kërkuan lirimin e 14 protestuesve.
14 protestuesit u arrestuan mbrëmjen e 1 shtatorit, pas tensioneve të krijuara para Kryeministrisë. Sipas policisë, rreth orës 20:00 një grup protestuesish bllokoi hyrje-daljet e institucionit në krahun e rrugës “Ismail Qemali”, ndërsa brenda godinës ndodheshin zyrtarë të lartë shtetërorë. Protestuesit nuk iu bindën thirrjeve për lirimin e rrugës dhe kundërshtuan efektivët gjatë ndërhyrjes.
Pas ngjarjes, 14 persona u arrestuan dhe 3 të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Të arrestuarit dyshoheshin për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Tensionet ndodhën gjatë protestave që vijojnë prej fundit të muajit maj dhe që morën emrin “Revolucioni i Flamingove”. Lëvizja nisi nga kundërshtimi i ndërhyrjes në zonën e Zvërnecit dhe më pas u zgjerua me kërkesa që lidhen me mjedisin, pronësinë, administrimin e pasurive publike dhe transparencën e institucioneve.