Poliçani sërish në protestë kundër reformës territoriale, këshilltarët paralajmërojnë dorëheqjen
Banorë dhe përfaqësues vendorë protestuan të premten në Poliçan kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin. Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë paralajmëruar dorëheqjen, ndërsa protestuesit kërkojnë që kundërshtimi të zhvendoset edhe përpara Parlamentit.
Gjatë protestës së organizuar në Poliçan. Foto: Bashkëpunëtori i Media Amfora në Qarkun e Beratit.
Banorë dhe përfaqësues të pushtetit vendor protestuan të premten në Poliçan kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin, ndërsa paralajmëruan vijimin e kundërshtimit edhe përpara Parlamentit nëse reforma territoriale ecën përpara.
Protesta pasoi kundërshtimin institucional të Këshillit Bashkiak të Poliçanit, i cili më 21 gusht votoi unanimisht kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Lulaj, tha se këshilltarët kanë paralajmëruar dorëheqjen nëse Bashkia Poliçan humbet statusin si njësi më vete.
“Këshilli është shprehur me votë se është kundër reformës dhe kemi paralajmëruar se do të japim dorëheqjen”, u shpreh ajo për Media Amfora.
Gjatë protestës së të premtes, Lulaj argumentoi se kundërshtimi nuk lidhet me godinën e bashkisë, por me ruajtjen e institucionit dhe shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
“Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan”, tha ajo.
Protestuesit paralajmëruan vijimin e kundërshtimit nëse propozimi për shkrirjen e Bashkisë Poliçan ecën përpara, ndërsa u bënë thirrje edhe komuniteteve të bashkive të tjera që rrezikojnë të preken nga ndryshimet territoriale t’i bashkohen një proteste përpara Parlamentit.
Këshilli Bashkiak i Poliçanit e formalizoi kundërshtimin ndaj propozimit më 21 gusht, pas dëgjesave me qytetarët në Poliçan dhe njësitë administrative Vërtop dhe Tërpan. Të 15 anëtarët votuan kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me Beratin.
Qëndrimi i Këshillit Bashkiak nuk përcakton hartën përfundimtare territoriale. Procesi po zhvillohet në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa ndryshimet përfundimtare duhet të kalojnë në Kuvend.