Nga kërkesat për arsim cilësor te dhuna, çfarë la pas protesta e studentëve në Tiranë

Protesta e studentëve u shoqërua me përplasje me policinë, të lënduar dhe denoncime për dhunë ndaj gazetarëve. Gjatë mbrëmjes, policia pezulloi pesë punonjës pas publikimit të pamjeve të një 19-vjeçari të dëmtuar, ndërsa shtatë persona vijonin trajtimin në Spitalin e Traumës.

Studentë dhe qytetarë protestuan të martën, më 13 tetor, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke kërkuar kushte më të mira për arsimin dhe largimin e qeverisë, në një tubim që vijoi me përplasje, ndërhyrje policore dhe shoqërime për disa orë. 

“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”, ishte një nga thirrjet e protestuesve, të cilët u mblodhën përpara ministrisë në orën 14:00 të së martës. 

Gjatë protestës pati hedhje sendesh drejt godinës dhe forcave të rendit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e pjesëmarrësve. Përplasjet vijuan edhe në rrugët e kryeqytetit, duke lënë të lënduar mes protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve. 

Policia deklaroi se disa pjesëmarrës dëmtuan portën rrethuese, hynë në oborrin e ministrisë dhe thyen xhamat e fasadës. Sipas institucionit, drejt efektivëve u hodhën gurë, kapsolla dhe bomba molotov.

Në njoftimin e saj, policia raportoi shoqërimin e 23 personave dhe lëndimin e gjashtë efektivëve e të një gazetareje. Institucioni e cilësoi ndërhyrjen proporcionale, ndërsa gjatë pasdites dhe mbrëmjes u shtuan denoncimet për mënyrën e përdorimit të forcës.

Një nga rastet që solli masa ndaj punonjësve të policisë ishte ai i 19-vjeçarit që shoqërohet me dhunë. Në pamjet e publikuara në media, i riu shfaqej i dëmtuar në këmbë gjatë shoqërimit pranë Parlamentit.

Pas publikimit të videos, drejtori i Përgjithshëm i Policisë urdhëroi pezullimin e katër punonjësve dhe të shefit të Rendit në Komisariatin nr. 1. 

Ndaj tyre nisi hetim disiplinor. Policia njoftoi gjithashtu se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, kishte nisur hetimet për rastin. Një grup i posaçëm do të shqyrtojë veprimet e policisë gjatë gjithë tubimit.

Pas përplasjeve, të lënduarit morën ndihmë në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në përditësimin e mbrëmjes, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, njoftoi se te Trauma vijonin trajtimin shtatë persona: një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Sipas saj, të gjithë ishin jashtë rrezikut për jetën. Të tjerë, përfshirë punonjës policie, përfaqësues të medias dhe protestues, ishin larguar pasi kishin marrë ndihmë mjekësore. 

Dhuna preku edhe punonjësit e mediave që po mbulonin protestën. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë njoftoi se kishte marrë katër denoncime nga dy reportere dhe dy operatorë televizivë për goditje dhe lëndime gjatë raportimit.

“UGSH denoncon dhunën dhe kërkon nga autoritetet e Policisë së Shtetit të verifikojnë rastet dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e kësaj dhune mbi gazetarë dhe reporterë në detyrë”, thuhet në deklaratën e organizatës.

Unioni raportoi edhe vështirësi në frymëmarrje mes punonjësve të medias nga mjetet tymuese dhe spraji me piper. Ai kërkoi hetimin e rasteve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa dënoi dhunën ndaj institucioneve dhe mbështeti të drejtat e studentëve protestues.

Avokati i Popullit njoftoi nisjen e një hetimi administrativ për të vlerësuar nëse përdorimi i forcës nga policia kishte qenë i domosdoshëm dhe proporcional. Grupet e tij monitoruan edhe trajtimin e të shoqëruarve, përfshirë mundësinë për të kontaktuar avokatin, njoftimin e familjarëve dhe kontrollin mjekësor.  

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dënoi sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës, por në reagimin e mbrëmjes kërkoi gjithashtu shqyrtimin e pretendimeve për përdorim të paligjshëm ose të tepruar të forcës.

“Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij”, deklaroi ai. 

Demo kërkoi uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve. Deri në njoftimet e mbrëmjes, institucionet kishin shpallur nisjen e hetimeve, por ende nuk kishin paraqitur përfundime mbi përgjegjësitë për rastet e denoncuara. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për dhunën ndaj studentëve dhe gazetarëve gjatë protestës. Në deklaratën e mbrëmjes, ai u bëri thirrje demokratëve, prindërve dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të 14 tetorit, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.

“Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, mëngjesin e 14 tetorit, kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga konferenca ndërqeveritare në Luksemburg, ku një ditë më parë Shqipëria dhe BE-ja mbyllën përkohësisht negociatat për kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale. Ai uroi “një tjetër ditë Shqipërie në BE”, duke mos dhënë asnjë reagim publik rreth protestës.

Protesta studentore pason muajt e tubimeve të “Revolucionit të Flamingove”, të nisura kundër ndërhyrjeve në Zvërnec, si dhe protestat e zhvilluara para Kuvendit dhe SPAK-ut.

Zhvillimet në Tiranë morën vëmendje edhe ndërkombëtare, me raportime nga “Reuters”, “Deutsche Welle” dhe “Al Jazeera” për kërkesat e studentëve dhe përplasjet me policinë. 

Për 4 tetor, është paralajmëruar një tjetër protestë në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa “Portali Studentor” ka përcjellë edhe thirrjen për bojkotimin e mësimit.