Pedagogët kërkojnë ndalimin e dhunës ndaj studentëve dhe respektimin e së drejtës për protestë

Një grup pedagogësh të universiteteve shqiptare ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj studentëve gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri. Përmes një deklarate publike, pedagogët u kërkojnë punonjësve të policisë të refuzojnë urdhrat e paligjshëm, ndërsa protestuesve të shmangin dëmtimin e pronës publike dhe private.

Një grup pedagogësh ka reaguar ndaj përplasjeve të regjistruara gjatë protestave studentore në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e dhunës dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Në deklaratën publike, të titulluar “Deklaratë e një grupi pedagogësh”, nënshkruesit shprehen të shqetësuar për trajtimin e studentëve gjatë protestave dhe për atë që e cilësojnë shkelje të të drejtave të njeriut.

“Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës”, shrkuhet në hyrje të deklaratës.

Një prej thirrjeve kryesore u drejtohet punonjësve të policisë dhe strukturave të tjera përgjegjëse për ruajtjen e rendit.

Pedagogët kërkojnë që të ndalet çdo akt dhune ndaj studentëve dhe që efektivët të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm.

“Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave”, shkruhet në deklaratë.

Thirrja për shmangien e dhunës u drejtohet edhe protestuesve. Pedagogët kërkojnë që pjesëmarrësit në tubime të mbrojnë bizneset, pronën publike dhe atë private, duke shmangur veprime që mund të përdoren për të justifikuar ndërhyrjen e forcave të rendit.

Në dokument u bëhet thirrje edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë që të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Pedagogët i drejtohen gjithashtu kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe të hapë rrugën për qetësimin e situatës. Në deklaratë kërkohet dorëheqja e tij dhe krijimi i një qeverie kujdestare, e cila, sipas pedagogëve, duhet të sigurojë stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Një tjetër thirrje u drejtohet qytetarëve të Tiranës, të cilëve pedagogët u kërkojnë t’u bashkohen studentëve, duke iu referuar edhe protestave të vitit 1991.

“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh”, shkruhet në fund të deklaratës, e cila mbyllet me një ftesë për pedagogë të tjerë që t’i bashkohen nismës.

Deklarata vjen pas disa ditësh protestash të të rinjve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, persona të lënduar dhe dëmtime të pronës.

Përmes reagimit të tyre, pedagogët kërkojnë ndalimin e dhunës ndaj studentëve, përgjegjësi nga strukturat e rendit dhe shmangien e veprimeve të dhunshme gjatë protestave.