Fluturimet nga Izraeli dhe “ardhja” e izraelitëve u lidhën me protestat në Shqipëri
Publikime në media dhe rrjete sociale e lidhën mbërritjen e pretenduar të shtetasve izraelitë me protestat në Shqipëri, duke ngritur dyshime për shtimin e fluturimeve nga Tel Avivi, fshehjen e tyre nga tabelat e aeroportit dhe fikjen e radarëve në Rinas. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mohoi shtimin e fluturimeve, ndërsa publikimet nuk paraqitën prova që lidhnin lëvizjet e pasagjerëve me protestat.
Grafikë ilustruese me postimet në rrjetet sociale. Përpunoi Media Amfora
Protestat studentore të zhvilluara në mesin e tetorit në Shqipëri u shoqëruan me publikime në media dhe në rrjetet sociale që ngritën dyshime për mbërritjen e shtetasve izraelitë në aeroportin e Rinasit.
Fotografitë e pasagjerëve, numri i fluturimeve nga Tel Avivi dhe pretendimet për ndryshime në tabelat e aeroportit u lidhën me situatën e krijuar gjatë protestave, pa u paraqitur prova për një lidhje mes këtyre ngjarjeve.
“Foto nga Rinasi! Çfarë po ndodh me lëvizjet e shtetasve izraelitë në Shqipëri?”, shkruhej në një publikim të faqes “tempullnews” në Instagram, ku shfaqej fotografia e disa personave me veshje tradicionale hebraike në aeroport.
Faqja e paraqiste fotografinë si material të mbërritur në redaksi, ku, sipas informacionit të përcjellë, shfaqej një grup personash që pretendohej se ishin shtetas izraelitë që po largoheshin nga Shqipëria.
Publikimi e lidhte këtë lëvizje të pretenduar me protestat dhe tensionet në Tiranë, duke ngritur pyetjen nëse bëhej fjalë për udhëtime të zakonshme apo zhvillime të tjera që kërkonin sqarim. Megjithatë, nuk paraqiteshin prova për shtetësinë e personave, praninë dhe largimin e tyre nga Shqipëria apo lidhjen me protestat.
Publikimet mbi fluturimet nga Izraeli vijuan edhe në një postim të faqes “bota.nefokus” në Instagram, ku shkruhej: “Të paktën 7 fluturime nga Tel Avivi drejt Tiranës në tri ditë”.
Publikimi shoqërohej me një grafikë ku shfaqeshin flamujt e Shqipërisë dhe Izraelit, aeroporti i Tiranës dhe një tabelë me fluturimet e datave 13, 14 dhe 15 tetor 2026.
Sipas të dhënave të paraqitura, më 13 tetor ishin listuar dy fluturime, më 14 tetor një dhe më 15 tetor katër, nga kompanitë ajrore Israir, Arkia dhe EL AL. Publikimi evidentonte numrin e fluturimeve gjatë këtyre tri ditëve, por nuk jepte të dhëna krahasuese me javët e mëparshme për të përcaktuar nëse kishte ndryshuar programi i zakonshëm i fluturimeve.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës reagoi, duke sqaruar se fluturimet nga dhe drejt Tel Avivit nuk kishin pësuar ndryshime në frekuencë.
“Asnjë fluturim shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës, operimet vijojnë sipas skedulit”, thuhej në njoftimin e aeroportit.
Sipas institucionit, dy fluturimet e ditës së njoftimit ishin pjesë e programit veror, i cili vijonte deri në fund të tetorit. Aeroporti sqaroi se gjatë këtij sezoni tri linja ajrore operojnë mesatarisht 22 deri në 24 fluturime në javë.
Ndërsa vijonin publikimet për fluturimet nga Izraeli, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin edhe pretendime se informacionet për mbërritjen e avionëve po fshiheshin nga autoritetet. Dyshimet nuk përqendroheshin më vetëm te numri i fluturimeve, por edhe te një ndërhyrje e pretenduar për të mos i bërë ato publike.
Në një publikim, profili “lajmesi_shqiperise” pretendoi se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kishte fshirë nga tabelat zyrtare disa fluturime nga Izraeli.
“Urdhëri i Ramës, si i fshiu aeroporti i Kastratit fluturimet e Izraelit nga tabela”, shkruhej mbi pamjet e avionëve me flamurin izraelit.
Në përshkrim, faqja pretendonte se më parë ishin listuar pesë fluturime, ndërsa më pas shfaqeshin vetëm dy. Publikimi ia atribuonte këtë ndryshim një urdhri të kryeministrit Edi Rama, pa paraqitur prova që dokumentonin një urdhër të tillë apo fshirjen e fluturimeve nga autoritetet aeroportuale.
Pretendimet për fshehjen e fluturimeve nga Izraeli u pasuan nga publikime që ngrinin dyshime edhe për funksionimin e radarëve në aeroportin e Rinasit. Krahas ndryshimeve të pretenduara në tabelat e fluturimeve, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin informacione për radarë të fikur dhe mbërritjen e mundshme të një avioni nga Izraeli.
“Çfarë po ndodh në Rinas? Radarët të fikur dhe një mbërritje misterioze!”, shkruhej në një publikim të faqes “tempullnews”, të shoqëruar me një video ku shfaqej një radar aeroportual.
Në përshkrim përmendeshin anulime fluturimesh, pasiguri për disa linja drejt Italisë dhe informacione për një avion që mund të mbërrinte nga Izraeli. Vetë publikimi pranonte se pretendimet për radarët dhe avionin izraelit nuk ishin konfirmuar zyrtarisht. Nga pamjet e shpërndara nuk mund të përcaktohet nëse radari ishte jashtë funksionit.
Narrativa për ndikimin e Izraelit në Shqipëri nuk u shfaq vetëm gjatë protestave studentore. Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit në Shqipëri ishte shoqëruar me publikime në rrjetet sociale që e paraqisnin marrëveshjen mes dy vendeve si një formë të dorëzimit të Shqipërisë.
Amfora ka dokumentuar edhe pretendime që lidhnin pa prova turistët dhe shtetasit izraelitë me zjarret në disa zona të vendit.
Në rastin e fluturimeve në Rinas, publikimet paraqitën fotografi pasagjerësh, tabela fluturimesh dhe pamje aeroportuale, por nuk dokumentuan një lidhje mes udhëtimeve nga Izraeli dhe protestave në Shqipëri.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mohoi shtimin e fluturimeve, ndërsa në materialet e shqyrtuara nuk u gjetën prova që mbështesnin pretendimet për fshirjen e tyre nga tabelat, fikjen e radarëve apo lidhjen e udhëtimeve të pasagjerëve me protestat.