Rihapet debati për zonat e mbrojtura, organizatat civile kërkojnë rishikimin e ligjit
Një koalicion organizatash të shoqërisë civile i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke argumentuar se ndryshimet ligjore hapin rrugë për zhvillime në zona me vlera të larta natyrore. Kërkesa vjen në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e zhvillimeve të reja në ekosistemet e mbrojtura mbeten të larta.
Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora
Më 9 qershor, 96 organizata të shoqërisë civile i kërkuan Kuvendit të Shqipërisë, përmes një kërkese, rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke argumentuar se ndryshimet e miratuara në vitin 2024 dobësojnë mbrojtjen e biodiversitetit dhe cenojnë ekosistemet natyrore.
“Ligji i ndryshuar nr. 21/2024 mund të rrezikojë biodiversitetin dhe habitatet e mbrojtura”, thuhet në kërkesën e organizatave të shoqërisë civile.
Në kërkesën dorëzuar Kuvendit, organizatat shprehen se ndërhyrjet e planifikuara në zonat e mbrojtura dhe ndryshimet në kuadrin ligjor mund të kenë pasoja afatgjata për ekosistemet natyrore, duke vënë në pikëpyetje ruajtjen e habitateve dhe specieve të mbrojtura.
“Investimet turistike dhe infrastrukturore në zonat bërthamë (core zones) mund të sjellin pasoja afatgjata ekologjike”, thuhet më tej në kërkesë.
Organizatat kërkojnë shfuqizimin e dispozitave që, sipas tyre, cenojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura, nisjen e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi për harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, si dhe pezullimin e dhënies së lejeve për zhvillime të reja deri në përfundimin e këtij procesi.
Shqetësimet e organizatave lidhen edhe me zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro – Nartë, një prej zonave me rëndësi të veçantë për biodiversitetin në vend, ku gjenden mbi 35 habitate të mbrojtura, më shumë se 2,500 specie të florës dhe faunës, si dhe laguna e zona kënetore me vlera të njohura ndërkombëtarisht.
Në dokument ngrihen gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore dhe procedurat e ndjekura për zhvillimet e propozuara në zonë, ndërsa organizatat kërkojnë publikimin e plotë të dokumentacionit dhe rritjen e transparencës institucionale në proceset vendimmarrëse që prekin zonat e mbrojtura.
Organizatat shprehen se proceset vendimmarrëse që prekin zonat e mbrojtura duhet të shoqërohen me transparencë dhe konsultim publik, duke argumentuar se qytetarët duhet të informohen për çdo plan apo projekt që prek pasuritë natyrore të vendit.
“Informimi dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen mjedisore nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor”, thuhet në kërkesë.
Organizatat argumentojnë se ndryshimet e miratuara në vitin 2024 kanë zgjeruar mundësinë për zhvillimin e aktiviteteve turistike dhe infrastrukturore brenda zonave të mbrojtura, duke ndryshuar qasjen e deritanishme që vendoste në plan të parë ruajtjen e habitateve dhe biodiversitetit.
Sipas tyre, ndryshimet ligjore krijojnë hapësira për ndërhyrje në zona me vlera të larta natyrore dhe mund të dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes që synojnë ruajtjen afatgjatë të ekosistemeve.
Kërkesa e organizatave vjen në një kohë kur debatet mbi zhvillimet në zonat e mbrojtura janë rikthyer në qendër të vëmendjes publike, nga Zvërneci deri te shqetësimet e ngritura për projekte turistike në zona të ndjeshme ekologjikisht, si Rrjolli.
Rastet ka nxjerrë në pah shqetësimet mbi mënyrën se si po zbatohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke paralajmëruar se zhvillime të ngjashme mund të shtrihen edhe në zona të tjera me rëndësi të veçantë ekologjike.
Debati është përqendruar kryesisht te projektet turistike të propozuara në zonë, ndërsa organizatat kërkojnë që çdo vendimmarrje të mbështetet në vlerësime të plota mjedisore dhe në respektimin e standardeve kombëtare dhe europiane për mbrojtjen e natyrës.
Organizatat argumentojnë se mbrojtja e zonave natyrore lidhet drejtpërdrejt me angazhimet që Shqipëria ka marrë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se të gjitha zonat e mbrojtura të vendit janë propozuar si zona me interes për komunitetin europian dhe pritet të bëhen pjesë e rrjetit Natura 2000 pas anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas tyre, ruajtja e këtyre zonave nuk është vetëm një detyrim ligjor dhe mjedisor, por edhe një kusht për përmbushjen e standardeve europiane që lidhen me mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.